Shpëtimtari i Fuqishëm dhe Stuhia e Mesnatës

Ashtu si dishepujt në barkë mbi detin e trazuar, edhe ne shpesh e gjejmë veten të lëkundur sa andej, këtej prej stuhive të jetës. Po qe se nuk jemi “të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje” (Efesianëve 4:14), atëherë mund të jemi të sigurtë se do të arrijmë bashkë me Krishtin në bregun tjetër.

Përsëri, Marku na tregon se Zoti Jezus Krisht ka fuqinë për të kontrolluar natyrën, një gjë që mund ta bëjë vetëm Perëndia.

Fuqia e stuhisë 

U ngrys, barka ishte në mes të detit dhe ai ishte i vetëm fare në tokë. Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t’i kalonte” (Marku 6:47-48).

Pasi Jezusi kishte mbaruar së luturi, Ai ia hodhi sytë krahinës së Galilesë dhe pa dishepujt e Tij, tek po mundoheshin të qëndronin mbi ujë, ndërkohë që stuhia po i kërcënonte që t’i fundoste. Jezusi mund ta kishte qetësuar (pushuar) stuhinë që nga mali ku ishte, por Ai donte që dishepujt të mësonin një mësim të çmuar. Ata ishin tmerrësisht të frikësuar prej egërsisë së stuhisë. Por, si do të reagonin, po të shihnin dikë, që po iu kalonte pranë, duke ecur mbi ujë? Zoti iu kishte premtuar se do t’i takonte në anën tjetër të Galilesë (Marku 6:45), por ata kurrë nuk e pyetën se si do të arrinte të shkonte Ai atje, pa pasur barkë. Vihet re një farë humori tek fjalët: “…dhe donte t’i kalonte”.

Jezusi na ka premtuar edhe ne një banesë me Të në Qiell: “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3). Por, a i besojmë Atij mjaftueshëm, që të na ndihmojë për të mundur vështirësitë e jetës, fatkeqësitë, sëmundjet dhe zhgënjimet, ndërsa presim ditën, kur do të jemi së bashku me Të? I njëjti Zot, që po kujdesej për dishepujt, po kujdeset edhe për ne. Rrugët tona nuk janë të fshehura prej Tij. Ai është gjithmonë gati për të na çliruar nga stuhitë: “Sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5).

Prania e Shpëtimtarit

Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin, sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: “Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!” Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan, sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar” (Marku 6:49-52).

Kur panë pamjen që po iu afrohej mes e përmes stuhisë, dishepujt duhet të kenë kujtuar se kishte ardhur “ëngjëlli i vdekjes” për t’i marrë. Zemrat i kishin të mbushura me frikë, ndaj edhe i kishin humbur të gjitha shpresat për shpëtim. Mrekullia e shumimit të bukëve (dhe e të ushqyerit të 5000 vetave) duhet t’iu kishte treguar se Zoti kujdeset për pasuesit e Tij dhe se Ai mund të bëjë gjithçka. Por, frika iua kishte larguar edhe atë pak besim që kishin. Frika e ngurtëson zemrën dhe e ndalon njeriun nga të kuptuarit se Krishti është me të. Besimtarit i është dhënë ilaçi kundër frikës: “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjonit 4:18-19). Jezusit i duhej që t’iua heqte dishepujve frikën dhe merakun, para se të qetësonte stuhinë. Në zemrat tona ka besim, nëse e dimë se Ai na do dhe kujdeset për ne. Me Jezusin si Shpëtimtarin dhe Bariun tonë, nuk kemi shkak për t’u alarmuar, apo për t’u frikësuar, sepse Ai gjithmonë është Mburoja dhe Çliruesi ynë (Psalmi 144:2).

Pikërisht në këtë moment, Pjetri dyshoi rreth egzistencës së pranisë së Jezusit: “Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra”. Ai tha: “Eja!”. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!”. Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?”. Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi” (Mateu 14:28-32). Ai nuk arriti ta kuptojë se, përsa kohë që Jezusi ishte me të, stuhia ishte thjesht një gjë e bezdishme. Ai pa problemin, në vend që të shikonte praninë e Jezusit. Pjetri, me sa duket, kishte pak më shumë besim sesa të tjerët, por, prapëseprapë, dyshimi e fundosi. Kësaj rradhe, ai u lut vërtet me fjalë, që i dilnin nga zemra. Zoti gjithmonë do t’i shpëtojë ata, që e kuptojnë gjendjen e dëshpëruar në të cilën ndodhen.

Stuhia pushoi, sapo Jezusi hyri në barkë. Tani, dishepujt e panë Atë, jo më si sjellës i vdekjes, por si Bir të Perëndisë: “Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!” (Mateu 14:33). Pse presim sa të na ndodhë diçka e keqe, e pastaj të lutemi dhe ta deklarojmë besimin tonë në Zotin?

Mjeku Më i Madh

Mbasi kaluan, arritën në krahinën e Gjenasaretit dhe aty e lidhën barkën. Dhe kur dolën nga barka, njerëzit e njohën menjëherë dhe, duke përshkuar me vrap mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se gjendej; dhe kudo ku ai vinte, në fshatra, në qytete a në lagje, njerëzit i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe e lutnin që të paktën të mund të preknin cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin” (Marku 6:53-56).

Sapo arritën në Gjenasaret (dhe kjo duhet të ketë qenë si rezultat i një mrekullie tjetër – Gjoni 6:21), njerëzit shumë shpejt morën vesh se kishte ardhur Jezusi. Ata u turrën tek Ai për t’u shëruar e për t’u çliruar. Kishin dëgjuar për mrekullinë e shquar të gruas, që ishte shëruar prej sëmundjes së gjakut (Marku 5:25-34).   

Përfundim

Studimi ynë na vërteton se nuk ka asgjë tjetër përtej fuqisë së Perëndisë: “Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty” (Jeremia 32:17). Stuhitë, sëmundjet dhe Satanai nuk barazohen me Të, sepse Ai është në gjendje t’i mundë si njërin, ashtu edhe tjetrin. Prania e Tij është thesari më i madh, si në këtë jetë, ashtu edhe në tjetrën: “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11).

Mbrapa

Advertisements