Shpëtimtari i Mahnitshëm dhe Furnizimi i Mrekullueshëm

Historia e të ushqyerit të 5000 vetave është ndoshta mrekullia më e njohur nga të gjitha mrekullitë e tjera të Jezusit. Duket qartë se kjo mrekulli përmban të vërteta shumë të rëndësishme, të cilat duhet t’i marrim në konsideratë, sidomos ngaqë kjo ngjarje është e regjistruar edhe në të katër ungjijtë.

Furnizimi i Jezusit

Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë. Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë”. Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: “U jepni ju të hanë!” Ata i thanë: “A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?”. Dhe ai u tha atyre: “Sa bukë keni? Shkoni e shikoni”. Ata, mbasi shikuan, thanë: “Pesë bukë e dy peshq”. Atëherë ai i urdhëroi ata që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë. Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve. Të gjithë hëngrën sa u ngopën. Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku. Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra” (Marku 6:35-44).

Kjo mrekulli bën fjalë për fuqinë e perëndishme të Zotit Jezus Krisht, sepse, përveç Perëndisë, kush tjetër do të mund t’i ushqente 5000 burra vetëm me disa bukë e peshq? Turma e madhe e njerëzve mund të ketë qenë rreth 15000-20000 veta, nëse këtu përfshijmë edhe gratë dhe fëmijët e burrave të pranishëm. Ata ishin të uritur, ngaqë e kishin kaluar tërë ditën me Jezusin: “Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët” (Mateu 14:21). Ç’duhej bërë për turmën? “Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?”. Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç’do të bënte” (Gjoni 6:5-6). Filipi, që po kryente rolin e zëdhënësit të dishepujve, kishte vetëm një përgjigje për të dhënë: “Filipi iu përgjigj: “Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë” (Gjoni 6:7). Ku dhe si do ta gjenin ata, brenda një kohe kaq të shkurtër, shumën e parave, vlera e së cilës ishte sa rroga e 200 ditëve? Mrekullia do të fillonte, jo nga dishepujt, që, kohët e fundit, e kishin përjetuar vetë fuqinë e madhe të Perëndisë, por nga një djalë i vogël dhe dreka e tij: “Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?” (Gjoni 6:8-9).

Jezusi e bekoi sasinë e vogël të ushqimit, që ia vunë përpara dhe e ndau pjesë-pjesë, në mënyrë që dishepujt t’iua shpërndanin turmës së njerëzve. Pavarësisht sa ushqim ndanë dishepujt, rezervat e tij kurrë nuk mbaruan. Më vonë, dishepujt do ta kujtonin këtë mrekulli, kur festuan Darkën e Fundit. Fjalët që përdoren për të përshkruar këtë mrekulli, janë shumë të ngjashme me ato që përdori edhe Jezusi, kur e theu (ndau) bukën në tavolinë: “Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im” (Mateu 26:26). Gjithashtu, dishepujve iu lejua që t’iua shpërndanin ushqimin njerëzve, për të ilustruar faktin se ata ishin përgjegjës për përhapjen e Lajmit të Mirë mes atyre, që ishin të uritur nga ana shpirtërore.

Ky ushqim i pakët (i djalit) u transformua në një banket dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm, u ngopën. Djali nuk doli i humbur, sepse, po të donte, mund t’i merrte me vete e t’ia çonte nënës 12 shportat e mbushura plot e përplot me bukë e peshq. Vetëm Perëndia është Ai, i cili mund të krijojë diçka prej asgjëje. Ka nga ata, që kanë sugjeruar se Jezusi bëri një dredhi (marifet). Por fuqia e Tij u vërtetua nga njerëzit, që e ngopën barkun. Jezusi është “Bariu i Mirë” (Gjoni 10:11) dhe Perëndia i Plotfuqishëm: “Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: “A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?” (Psalmi 78:19).

Duhet t’i ruajmë këto të vërteta në zemër, se do të na nevojiten, atëherë kur edhe ne vetë të ballafaqohemi me vështirësi. Duhet të dimë se kujt t’i drejtohemi, kur kemi probleme, ngaqë zemrat i kemi të dobëta dhe gati për të hequr dorë nga besimi. Duhet t’i drejtohemi Jezusit, “kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Hebrenjve 12:2). Duhet ta mbajmë mend se Ai është në gjendje për të na ndihmuar, ashtu siç ndihmoi edhe turmat që e ndiqnin. Ai mundet që të na “plotësojë të gjitha nevojat” tona, nëse vazhdojmë t’i besojmë (Filipianëve 4:19). Zoti, i cili eci mbi këtë tokë këtu e 2000 vjet më parë, kurrë nuk ka ndryshuar: “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8).

Të luturit e Jezusit

Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën. Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t’u lutur” (Marku 6:45-46).

Kemi shumë gjëra për të mësuar prej kësaj situate. Jezusi, më parë, iu kishte folur dishepujve rreth domosdoshmërisë për ripërtëritje shpirtërore dhe fizike (Marku 6:31). Prandaj, nuk duhet të habitemi, kur e shohim se edhe Ai kishte nevojë për të qenë vetëm për vetëm me Atin e Tij. Ai mund të kishte vazhduar të qëndronte me njerëzit, për të marrë lavdërimet e tyre, por nuk veproi kështu. “Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë”. Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm” (Gjoni 6:14-15). Jezusi kishte triumfuar me kohë mbi këtë tundim në shkretëtirë (shiko Mateun 4:8-9). Këtu e shohim se Jezusi vuri në praktikë atë, që e predikoi edhe vetë: “Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht” (Mateu 6:6).

Ndoshta ne mund të mos bëjmë mrekullitë që bëri Jezusi, por mundemi që ta ndjekim shembullin e Tij, kur bëhet fjalë për devocionin privat (personal). Duhet të jemi këmbëngulës në vendimin tonë për të kaluar kohë me Perëndinë. Ç’pjesë të ditës sonë ia kushtojmë Atij? Kurrë nuk do të korrim sukses në jetën tonë të krishterë, po qe se nuk shpenzojmë kohë me Zotin: “Ngulmoni në të lutur, duke ndenjur zgjuar në të me falenderim” (Kolosianëve 4:2).

Përfundim                      

Jetojmë në një epokë, ku gjithçka është e shpejtë dhe e nxituar, në një epokë, në të cilën kohën do ta kemi gjithmonë me racion. Do të kemi raste, kur do të tundohemi që ta ndërpresim kohën tonë të qetësisë (e të meditimit) në Zotin, por ky nuk do të jetë një veprim i mençur nga ana jonë. Në të tilla raste, duhet ta imitojmë Zotin Jezus edhe më shumë, sesa ç’e kemi imituar më parë.

Mbrapa

Advertisements