Shpëtimtari i Pashoq dhe Mëkati i Pafalshëm

Parathënie

Tek Marku 3:22-30, shohim shëmbëlltyrën e Jezusit, lidhur me përçarjet, faljen dhe ndëshkimin e përjetshëm. Drejtuesit fetarë nuk mund ta mohonin se Jezusi ishte në gjendje të bënte mrekulli të mëdha, por ata akoma nuk ishin gati për ta pranuar Atë si Bir të Perëndisë. Mendjet e tyre të liga ngjallën idenë se Jezusi ishte dërguar prej Satanait dhe jo prej Perëndisë.

Përçarja djallëzore

Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: “Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve”. Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: “Si mund Satanai të dëbojë Satananë? Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë. Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë. Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi! Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t’ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë” (Marku 3:22-27).

Skribët besonin se Jezusi kishte përbrenda Beelzebubin (perëndinë e mizave). Filistenjtë e njihnin këtë perëndi me emrin Baal (shiko Marku 3:30), kurse Judenjtë e konsideronin si Satanai, zot i frymërave (apo shpirtrave) të ndyra, perëndia i plehrave. Jezusi iu tha skribëve se ishte absurditet të besoje se Ai kishte një frymë të ndyrë, sepse, nëse Ai po i dëbonte demonët në emër të Satanait, atëherë a nuk po e shkatërronte vetë Satanai kalanë, që kishte ngritur në jetën e njerëzve? Aty ku ka përçarje, çdo mbretëri, sado e mirë apo e keqe qoftë, do të rrëzohet.

Përçarjet janë gjithashtu edhe shkaku i dobësisë në kishën e krishterë. Po qe se djalli nuk mundet që ta mposhtë kishën ballë për ballë, (“dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” – Mateu 16:18), atëherë ai bën që besimtarët të grinden me njëri-tjetrin rreth çështjeve të parëndësishme. Përça e sundo! ‘Të sundosh’ do të thotë ‘të jesh nën kontroll’ dhe kur je nën kontroll, mundesh që t’i skllavërosh më lehtë të tjerët. Duhet të tregojmë kujdes, që të mos lejojmë që të ketë grindje mes nesh, sepse përndryshe, i japim shkak Satanait për të na shkatërruar. “Mos i jepni vend djallit” (Efesianëve 4:27).

Jezus Krishti erdhi për ta lidhur dhe për ta mundur atë, që kishte nën kontroll jetën tonë: “Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj” (Mateu 12:28). Kur e lejojmë Zotin që të mbretërojë në jetën tonë, atëherë kemi mundësi që të korrim fitore mbi djallin. Do vijë dita, kur të gjithë armiqtë e Krishtit do të gjenden nën këmbët e Tij: “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja” (1 Korintasve 15:25-26).

Mëkatarë të dënuar

Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë” (Marku 3:28).

Gjaku shpengues i Krishtit, i derdhur mbi kryq për mëkatarët, është i vetmi ilaç për mëkatin. Pak rëndësi ka sesa mëkatar apo i ligë është një person, ai, prapëseprapë, mund të pendohet dhe të shpëtohet: “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). Është pikërisht kjo doktrinë, që e ndan krishtërimin biblik nga të gjitha fetë e tjera, sepse kjo doktrinë është kurora dhe lavdia e ungjillit të Krishtit. Vetëm kjo doktrinë i ofron njeriut falje të plotë dhe shlyrjen e përsosur të mëkateve, pa patur nevojë për para, apo për vepra bamirësie: “Dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut” (Veprat e Apostujve 13:39)… “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!” (Isaia 55:1). Ne e meritonim që të ndëshkoheshim në një përjetësi të humbur, por Krishti mori për ne ndëshkimin mbi kryq: “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma” (1 Pjetrit 3:18). Kjo dhuratë falas e shpëtimit është e rezervuar për të gjithë: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18).

Zoti Jezus Krisht është Shpëtimtar unik (i pashoq). Asnjë fe tjetër nuk mund të mburret se ka një Shpëtimtar, i cili mund ta heqë mëkatin: “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15). Nuk kemi nevojë që ta gërrmojmë të kaluarën e t’ia kujtojmë vetes mëkatet e hershme, sepse Perëndia nuk i mban mend më ato mëkate: “Nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre” (Jeremia 31:34).

Dënim i merituar

Po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm”. Sepse ata thoshnin: “Ai ka një frymë të ndyrë!” (Marku 3:29-30).

Nuk ka dyshim se është e mundur që shpirti i njeriut të humbasë përgjithnjë në Ferr. Ka nga ata, që kujtojnë se një Perëndi i dashurisë kurrë nuk do ta çojë një shpirt në Ferr. Por, Perëndia duhet ta bëjë një gjë të tillë, ngaqë Ai është Perëndi i drejtë. Përveç kësaj, njerëz të tillë i mohojnë mësimet e qarta të Krishtit në Bibël. Ka nga ata, që nuk mund të falen kurrë, sepse kanë bërë mëkatin e pafalshëm. Ky mëkat kryhet nga ata, që binden prej Frymës së Shenjtë se Jezusi është e vetmja rrugë, por që, me zemër të ligë, e deklarojnë Atë dhe sakrificën e Tij sikur të jetë prej djallit. I vetmi mëkat, të cilin Perëndia nuk mund ta falë, është mosbesimi kokëfortë. Kur një njeri ia ka mbyllur veshët dhe ia ka ngurtësuar zemrën përgjërimeve të Frymës së Shenjtë, atëherë për të nuk ka më shpresë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes” (Hebrenjve 3:15). Kur njeriu e mohon Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, atëherë për të nuk egziston më asnjë mundësi për t’u bërë i drejtë: “Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë, dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme, dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë” (Hebrenjve 6:4-6).    

Përfundim

Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë” (Hebrenjve 3:12). Kjo “zemër e ligë mosbesimi” është pikërisht ajo, që e mallkon shpirtin për në Ferr. Një njeri mund të jetë shumë fetar, i ndershëm dhe humanist, por prapëseprapë, mundet që të ketë mosbesim në zemër. Mosbesimi të shkatërron veten dhe përhapet si kancer. Besimi i vërtetë gjendet tek ata, që e kanë pranuar Jezus Krishtin si Zot të jetës së tyre dhe i kanë besuar fjalës së Tij.

Mbrapa

Advertisements