Shpëtimtari i Ringjallur dhe Guri i Rrokullisur

Si vdekja, ashtu edhe ringjallja e Zotit Jezus Krisht, janë në qendër të besimit të vërtetë të krishterë. Nëse Krishti nuk do të ishte ngjallur prej së vdekuri, atëherë nuk do të kishim asnjë lloj themeli, ku ta mbështetnim besimin tonë: “Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj. Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen. Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur; por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (1 Korintasve 15:14-17). Detajet, që kanë të bëjnë me ringjalljen fizike të Krishtit, janë të shumta. Ato ndodhen në të katër Ungjijtë, por, në këtë studim, do të shohim vetëm ato detaje që na paraqet Marku, duke prekur edhe shumë pak detaje nga Ungjijtë e tjerë.

Lindja e diellit

Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin. Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli. Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?” (Marku 16:1-3).

Këto gra kryen një veprim shumë kurajoz. Po prisnin ta gjenin varrin të ruajtur nga një turmë ushtarësh. Për më tepër, shkuan tek varri pa lindur akoma dielli, në errësirë: “Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri” (Gjoni 20:1). Këto vargje na sugjerojnë se Jezusi nuk u ngrit prej së vdekuri të dielën në mëngjes, por në mbarimin e ditës së Shabatit të judenjve, d.m.th. natën e së shtunës, para gdhirjes së të dielës.

Këto gra shkuan tek varri, nga dashuria që kishin për Zotin. Burrat ishin mbyllur brenda nga frika, por gratë, me guxim e kurajo, morën në duar aroma për ta vajosur trupin e Zotit. E megjithatë, vërejmë se as ato, as dishepujt, nuk iu besuan fjalëve të Jezusit lidhur me ringjalljen e Tij të tretën ditë. Mendjen e kishin vetëm tek vështirësia, me të cilën kujtonin se do të ballafaqoheshin: si do ta hapnin varrin e si do të hynin brenda?

Ringjallja e Birit

Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura. Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë” (Marku 16:4-6).

Kur arritën tek varri, gratë nuk u ballafaquan me asnjë nga vështirësitë e presupozuara më parë: “Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të. Pamja e tij ishte si vetëtima dhe veshja e tij e bardhë si bora. Dhe nga frika e tij, rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur” (Mateu 28:2-4). Në vend që të shihnin roje të armatosura, gratë u takuan me ëngjëjt e Perëndisë, të cilët iu deklaruan atyre se Jezusi ishte ngritur vërtet prej së vdekuri. Ishin ëngjëjt ata, që e kishin rrokullisur gurin, për të treguar se Jezusi tanimë ishte ringjallur.

Jezusi ishte kryqëzuar dhe ishte ringjallur. Varri bosh vërteton se Ai nuk kishte ardhur në vete, por ishte ngritur vërtet prej së vdekuri. Po ta kishin vjedhur trupin judenjtë, atëherë atyre iu duhej vetëm që ta tregonin se ku e kishin fshehur dhe të vërtetonin, në këtë mënyrë, se Ai nuk ishte Mesia. Po të ishin dishepujt ata, që e kishin vjedhur trupin, atëherë s’do të kishte asnjë lloj arsyeje pse ata të sakrifikonin jetën dhe pronën e tyre për diçka, që e dinin mirë se ishte gënjeshtër. Që nga ringjallja e Jezusit e deri më sot, përvoja e miliona besimtarëve është dëshmi e realitetit, që deklaron Bibla.

Restaurimi i shërbëtorëve

Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë”. Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga varri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë” (Marku 16:7-8).

Gratë ishin predikueset e para të historisë së ringjalljes dhe jo dishepujt e caktuar prej Jezusit. Këto gra ishin po ato, të cilave iu ngarkua detyra për ta kthyer përsëri Pjetrin mëkatar në besim. Jezusi as nuk e kishte harruar, as nuk e kishte hedhur poshtë Pjetrin, pavarësisht nga serioziteti i mëkatit të tij. Këtu na paraqitet sadopak hiri dhe mëshira e Zotit Jezus Krisht: “Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë” (Mateu 12:20)… “Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm” (Mikea 7:18).

Përfundim

Falja e Pjetrit u bë e mundshme vetëm për shkak të ringjalljes së Atij, të cilin ai e kishte mohuar tre ditë më parë. Po të mos ishte ringjallur Krishti, atëherë ne akoma jemi “të vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1). Dera për tek mëshira dhe hiri i Perëndisë është ende e hapur për të gjithë mëkatarët. Ata që e mohojnë ringjalljen fizike të Krishtit, nuk mund të njihen kurrë si pasues të vërtetë të Tij: “Se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si në dështimit” (1 Korintasve 15:4-8). Ata që refuzojnë ta besojnë atë që na mëson Bibla, janë përjetësisht të humbur: “Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit” (Veprat e Apostujve 17:31).

Mbrapa

Advertisements