Shpirtrat e lidhur

“Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet” (1 Samuelit 18:1).

Parathënie

Fitorja e Davidit kundër Goliathit e bëri atë, që të duhej shumë prej popullit të Izraelit. Jonathani, biri i Saulit, lidhi me Davidin një miqësi, që zgjati gjatë gjithë jetës. Është interesant fakti se Jonathani, i cili i kishte mundur edhe më parë filistenjtë, kësaj rradhe nuk i doli përpara gjigandit. “Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: “Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit” (1 Samuelit 14:12). S’ka dyshim se Jonathani do ta ketë ditur se dora e Perëndisë ishte mbi Davidin.

Lidhja e fortë

Në hebraisht, fjala “qashar” përdoret për të përshkruar lidhjen e ngushtë miqësore midis Jonathanit dhe Davidit. Sot, kjo fjalë mund të përkthehet edhe si “ngjitës (vinovil) tepër i fortë”, gjë që shpjegon sesa e fortë ishte dashuria e Jonathanit për Davidin. Ata që sugjerojnë gjëra të tjera, e jo një miqësi të sinqertë e të dlirë mes këtyre dy personazheve, nuk tregojnë gjë tjetër, veçse zemrën e tyre të ndotur, ngaqë njerëz të tillë mundohen të nxjerrin si konkluzion nga Bibla diçka, që nuk ndodhet fare aty.

Dashuria

Përdorimi i fjalës “e deshi” ka bërë që shumë njerëz të kujtojnë se marrëdhënia që egzistonte mes Jonathanit dhe Davidit ishte një marrëdhënie homoseksuale. Por e njëjta fjalë dhe i njëjti koncept përdoret edhe tek Zanafilla 43:30, ku lexojmë rreth dashurisë së fortë e të veçantë, që kishte Jozefi për vëllanë e tij, Benjaminin. “Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij“. Të njëjtën shprehje (në gjuhën hebraisht) e gjejmë të përdorur edhe tek Zanafilla 44:30, ku lexojmë se jeta e Jokobit “është e lidhur me atë të fëmijës“. Nuk ka ndonjë gjë mëkatare në asnjërin prej këtyre vargjeve.

Ata që kanë një pikëpamje të shtrembëruar rreth Davidit, nuk e kuptojnë atë, që thotë Bibla. Tek 1 Mbretërve 15:5 na thuhet se “Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut“. Kjo nuk do të ishte e vërtetë, po qe se Davidi ishte homoseksual, një veprim që ishte i neveritshëm në sytë e Perëndisë. “Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme” (Levitikut 18:22). Homoseksualiteti është ndëshkuar gjithmonë në Bibël. “Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre” (Romakëve 1:27). Asnjë homoseksual nuk ka për të hyrë në Parajsë, po qe se nuk pendohet për mënyrën e tij të neveritshme të jetesës. “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët” (1 Korintasve 6:9).

Dashuria që kishte Jonathani për Davidin, ishte thjesht një dashuri platonike. Në Dhiatën e Re, një dashuri e tillë përshkruhet si “dashuri vëllazërore” (shiko Romakëve 12:10, Hebrenjve 13:1). Zoti Jezus Krisht na urdhëron që ta duam të afërmin tonë “porsi vetveten” (Mateu 22:39). “Dashuria e Davidit dhe e Jonathanit ishte si rezultat i hirit Hyjnor, i cili bën që besimtarët e vërtetë të kenë një zemër e një shpirt të vetëm dhe i bën ata, që ta duan njëri-tjetrin” (Mateo Henri).

Humbi gjithçka

Për ta vlerësuar mirë dashurinë që kishte Jonathani për Davidin, duhet ta kuptojmë se ai (Jonathani) humbi gjithçka si rezultat i kësaj dashurie. Siç ishte edhe tradita e asaj kohe, atij i takonte të bëhej mbret, pasi t’i vdiste i ati. Por, siç do ta vëmë re edhe në studimet e ardhshme, ai ka për t’i hedhur poshtë të gjitha të drejtat e veta si princ, për shkak të djalit bari. E, duke vepruar kështu, ai ka për të përjetuar zemërimin e madh të të atit. Jonathani i pa gjërat nga ana shpirtërore, ashtu si edhe Davidi. Ai ishte gati për ta hedhur poshtë të gjithë botën, me qëllim që të fitonte miqësinë e Davidit. Edhe ne jemi thirrur për të vepruar njëlloj për Jezusin. “Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet:Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:24-26).   

Përfundim

Davidi atë ditë arriti të fitonte dy gjëra: fitoren kundër Goliathit dhe miqësinë e dashurinë e Jonathanit. Dashuria e tyre ishte më e thellë sesa ajo e dy vëllezërve, që janë të lidhur me njëri-tjetrin nga ana familjare. Marrëdhënia mes Davidit dhe Jonathanit ishte një marrëdhënie shpirtërore. Një marrëdhënie e tillë është e rrallë. “Është një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24). Jonathani dhe Davidi kishin të njëjtin shpirt. Vetëm ai, që ka një mendje të çoroditur, mendon ndryshe.

Mbrapa

Advertisements