Shtëpia e poçarit

Teksti i studimit: Jeremia 18:1-10

Parathënie

Vizita e profetit Jeremia në shtëpinë e poçarit nuk ishte thjesht një vizitë, për të parë se si kthehej argjila në një enë të bukur. Përkundrazi, nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre dramatike, Perëndia kërkon të na tregojë diçka rreth autoritetit të Tij absolut, jo vetëm ndaj Izraelit, por gjithashtu edhe ndaj të gjithë besimtarëve të çdo brezi.

Poçari

Perëndia poçar ka të drejtën absolute, për të na dhënë formë, ashtu si t’i dojë qejfi. Perëndia vepron tek ne për hir të lavdisë së Tij. “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6)…”Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:10). E, ngaqë Perëndia e ka një qëllim për jetën tonë, Ai e di pikërisht se ç’do të bëhemi një ditë. Prandaj, përsa kohë që i bindemi vullnetit të Tij, karakteri ynë do të transformohet, derisa të bëhemi gjithnjë e më shumë si Krishti.

Përkushtimi

Perëndia nuk dëshiron, që t’i bindemi Atij me detyrim, sepse Ai nuk krijoi rrobotë, por njerëz, që me vullnetin e tyre të lirë, marrin vetë vendim ose për t’iu bindur fjalës së Tij, ose për ta hedhur poshtë atë. Nuk e kënaqim dot Perëndinë, po qe se nuk tregojmë përkushtim ndaj vullnetit të Tij. Përkundrazi, kur nuk i bindemi Atij, i dëmtojmë planet, që ka Ai për ne. “Por në rast se ai komb ose ajo mbretëri bën atë që është e keqe në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, unë pendohem për të mirën që i kisha premtuar t’i bëja” (Jeremia 18:10). Perëndia kënaqet me përkushtimin tonë besnik. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij” (Hebrenjve 11:6).

Mohimi ose pendimi

Nëse poçari nuk është i kënaqur me produktin e tij përfundimtar, atëherë ai ka plotësisht të drejtë t’i japë formë argjilës nga e para. Në të njëjtën mënyrë, nëse populli i Perëndisë rebelon kundër Tij, atëherë Ai është në gjendje ta ndryshojë planin e Tij, kur vjen puna për t’i bekuar njerëzit me mirësinë, që iu ka premtuar. “Prandaj edhe jeta jonë është në dorë të Perëndisë, e jo në dorën tonë. Është e kotë, atëherë, që të ngremë krye kundër Tij” (Mateo Henri). Perëndisë i mbeten dy opcione:

1. Ai mund ta shkatërrojë plotësisht enën dhe të marrë vendim se nuk do ta përdorë më kurrë atë argjilë. “Pastaj do të thyesh poçin në prani të atyre njerëzve që do të kenë ardhur me ty dhe do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kështu do të copëtoj këtë popull dhe këtë qytet, ashtu si copëtohet një poç balte, që nuk mund të ndreqet më; atëherë do t’i varrosin të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë më vend për t’i varrosur” (Jeremia 19:10-11)…”Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?” (Romakëve 9:22).

2. Nëse i japim fund rezistencës sonë kryeneçe dhe pendohemi, atëherë Perëndia na kthen në një enë nderi, të denjë për qëllimet e Tij. “Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar. Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 2:20-21)…”A ndjej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?,” thotë Zoti, “apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë?” (Ezekielit 18:23).

Këto dy opcione varen nga bindja jonë. Mjafton që vetëm të pendohemi vërtet dhe do të shohim Perëndinë tek vepron tek ne. Gjon Uesli ka shkruar: “Perëndia ka fuqinë absolute dhe sovrane për të vepruar ashtu si t’i pëlqejë. Por Ai vepron si një gjykatës i drejtë, duke e shpërblyer çdo njeri, në bazë të veprave të tij”.

Përfundim

Poçari Hyjnor nuk dëshiron shkatërrimin e argjilës. Përkundrazi, Ai do që argjila të mos i kundërshtojë më Atij, por të pranojë të formohet sipas vullnetit të Tij. “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

Mbrapa