Shumë zhurmë për asgjë

Mesazhi i kësaj jave ka të bëjë me “asgjënë”. Ka nga ato kisha, që kanë qejf kur pastori nuk flet për asgjë. Ndoshta ka nga ata pastorë, që nuk kanë asgjë për të thënë! Por Bibla ka se ç’të na thotë për “asgjënë”.

Asgjë gabim

Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3).

Sa vend i mrekullueshëm do të ishte kisha, nëse secili prej anëtarëve të saj sillej mirë me njëri-tjetrin dhe nuk mburrej, apo nuk grindej! Grindja dhe mendjemadhësia kanë qenë gjithmonë shkaktarët kryesorë të përçarjes në kishë, duke e penguar kështu punën e Frymës së Shenjtë në bashkësi. “Në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?” (1 Korintasve 3:3). Grindja ka shoqet e saj. “Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet” (Galatasve 5:19-20).

Sa gjë e mrekullueshme do të ishte, sikur të thonim se s’ka asgjë në kishën tonë, që i bëhet pengesë unitetit të krishterë! Grindja largohet atëherë, kur çdo anëtar sillet si Krishti. “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:5-8).

Asgjë për t’u frikësuar

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7). 

Shpesh kemi frikë dhe shqetësohemi e bëhemi me strese. Bëjmë pikërisht atë që Bibla na thotë të mos e bëjmë. Por ç’fitojmë që merakosemi? Meraku na e shkatërron shëndetin, marrëdhëniet tona me të tjerët dhe shërbesën tonë ndaj Perëndisë. Nuk na ofron asnjë rrugëzgjidhje për problemet e së nesërmes, por thjesht na e dobëson fuqinë për të sotshmen. Kemi nevojë për paqen, që na jep vetëm Perëndia. Këtë paqe mund ta marrim vetëm atëherë kur i besojmë Atij. “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju. Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjetrit 5:7-9). Në fakt, nuk kemi pse të frikësohemi, sepse “në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri” (1 Gjonit 4:18).

Asgjë nuk është e pamundur

Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Luka 1:37).

Pa mendoni pak se ç’i tha ëngjëlli Gabriel Maries – e pamundur nga ana natyrale, por e mundur me Perëndinë. Që prej kohës së Kainit, çdo lindje ka ardhur si rezultat i veprimeve njerëzore, por lindja e Jezusit ishte vepër e Zotit. As Maria, as Jozefi nuk mund ta bënin dot realitet një mrekulli të tillë. Maria e dinte se ishte e pamundur, por Perëndia kishte tjetër mendim!

Po ne, ç’pengesa i kemi vënë në zemër besimit tonë? Në ç’mënyrë po e pengojmë Perëndinë së vepruari në jetën tonë? Ç’pamundësi kemi në mendje, të cilat na pengojnë që ta shohim Perëndinë si të Gjithëpushtetshëm? “Është me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar?” (Isaia 50:2). Besimi ka për të na u shtuar atëherë, kur e pranojmë se “për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mateu 19:26)… “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson” (Marku 9:23). Perëndia po i flet secilit prej nesh. “Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?” (Jeremia 32:27).

Asgjë nuk nevojitet

Sepse ti thua: “Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë”; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur. Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh” (Zbulesa 3:17-18).

Pa dyshim që nuk duam të bëhemi si kisha e Laodicesë, që nuk kishte nevojë për asgjë, madje as edhe për Krishtin! Ishte një kishë e madhe, me shumë njerëz dhe me shumë aktivitete. Paraja nuk mungonte. Nga pamja e jashtme, dukej sikur kjo kishë ishte e bekuar. Por fakti qëndronte këtu: vërtet nuk kishin nevojë për asgjë, por në fakt, gjithçka që kishin, ishte pikërisht “asgjëja”! Kishin gjithçka nga kjo botë, por asgjë në Krishtin.

Një kishë e vakët dhe e kompromentuar me botën nuk prodhon asgjë me vlerë të përjetshme. Po, vërtet që anëtarët e saj mund të hiqen si njerëz fetarë dhe të duken shumë shpirtërorë nga ana e jashtme, por Zoti sheh zemrën. Cili është ilaçi kundra një plogështie të tillë në kishat e sotshme? Autori Vans Havner dikur tha kështu: “Nuk duhet të jetojmë jetë të zakonshme në kohë të tilla të jashtëzakonshme”. Ilaçi është kthimi tek shenjtëria, tek drejtësia dhe tek bindja ndaj Zotit dhe ndaj fjalës së Tij. Na duhet që Ai të veprojë tek ne, me qëllim që ta ndihmojmë këtë botë mëkatare. “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5).

Përfundim   

Le t’iu përgjigjemi këtyre “asgjëve”, duke e hequr qafe grindjen dhe përçarjen. Le t’i besojmë Zotit dhe ta mposhtim plogështinë shpirtërore. Le të mos na pengojë asgjë prej së përkushtuari plotësisht Perëndisë.

Mbrapa