Si mund ta marrim Pagëzimin me Frymën e Shenjtë?

Pagëzimi me Frymën e Shenjtë është absolutisht i domosdoshëm në jetën e besimtarit. Por të paktë janë ata, që e kuptojnë siç duhet mënyrën se si mund të merret ky lloj pagëzimi. Bibla na ofron gjashtë “hapa”, që duhen ndjekur, me qëllim që të merret një bekim i tillë. Këto “hapa” nuk na sugjerojnë një proçedurë të caktuar për marrjen e Pagëzimit me Frymën e Shenjtë. Përkundrazi, “hapat” i referohen ca parimeve të nevojshme për realizimin e këtij pagëzimi. Për më tepër, këto “hapa” duhet të dalin nga zemra, jo thjesht të mësuara përmendësh! Këto “hapa” i shohim qartë tek Veprat e Apostujve 2:38, “Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë”.     

Hapi 1: Pendimi

“Të pendohesh” do të thotë “ta ndërrosh mendjen dhe të kthehesh në drejtim të kundërt” – jo thjesht ta ndryshosh mënyrën e të sjellurit, por, përkundrazi, të gjithë mënyrën e të menduarit rreth Perëndisë dhe rreth Biblës. Zoti e përdori Pjetrin për t’u bërë shkaktar i një ndryshimi të madh në zemrat e besimtarëve në Ditën e Pentikostit. “Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: “Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?’’ (Veprat e Apostujve 2:37). Përgjigja e Pjetrit ishte e menjëhershme: “Pendohuni”. Atyre, jo vetëm që iu duhej të ktheheshin prej mëkatit, por iu duhej gjithashtu të mendonin ndryshe tani edhe rreth Krishtit. Në këtë mënyrë, ata nuk do të ishin më vrasës të Jezusit, por pasues të Tij. E tillë është, pra, fuqia transformuese e Perëndisë në zemrën e mëkatarit të penduar.

Sot në pendimin e vërtetë përfshihet gjithashtu edhe të pranuarit e Jezus Krishtit si Shpëtimtar dhe Zot.

Hapi 2: Hedhja poshtë e mëkatit

Pa dyshim se pendimi ka të bëjë edhe me hedhjen poshtë të mëkatit të të gjitha formave. “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22). Mëkati gjithmonë bëhet pengesë, kur vjen puna për të pranuar diçka prej Zotit, e sidomos, kur vjen puna për t’u pagëzuar me Frymën e Shenjtë. Para se ta marrim këtë bekim, duhet ta lejojmë Perëndinë, që të na hetojë zemrën dhe të na pastrojë madje edhe prej mëkatit më sekret. “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme” (Psalmi 139:23-24). Kur drita e Tij na vë në dukje çdo të ligë të jetës sonë, atëherë me besim dhe me bindje duhet ta largojmë menjëherë atë të ligë prej vetes. Por kjo është e pamundur, nëse nuk jemi gati për t’u penduar. “Çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat” (Romakëve 14:23).

Hapi 3: Pagëzimi

Pagëzimi që përmendet këtu ka të bëjë me pagëzimin në ujë, si një simbol i faktit se besimtari i është kthyer vërtet me gjithë shpirt Krishtit dhe e ka hedhur poshtë mëkatin. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20)… “I cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 3:21). Është e mundur të pagëzohesh me Frymën e Shenjtë, para se të pagëzohesh në ujë, si p.sh. në rastin e Kornelit dhe të familjes së tij (shiko Veprat e Apostujve 10:47). Por Zoti nuk vepron zakonisht në këtë mënyrë. E megjithatë, ata që e hedhin poshtë pagëzimin në ujë, nuk janë kandidatë për marrjen e pagëzimit me Frymën e Shenjtë.

Hapi 4: Bindja

Siç e vumë re edhe në hapin e mësipërm, bindja është mëse e domosdoshme në jetën e të krishterit, sepse Jezusi do që pasuesit e Tij t’i “zbatojnë të gjitha gjërat” që i ka urdhëruar Ai në fjalën e Tij. Kjo është sidomos e vërtetë, kur vjen puna tek marrja e pagëzimit me Frymën e Shenjtë. “Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij” (Veprat e Apostujve 5:32). E shohim, pra, se bindja, sipas Biblës, do të thotë t’i nënshtrohesh plotësisht vullnetit të Perëndisë. Psalmi 51:19 na thotë se vetëm një flijim që digjej tërësisht, ishte i pranueshëm/i vlefshëm në sytë e Zotit. “Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd”. E tillë duhet të jetë edhe oferta që i paraqesim ne sot Perëndisë. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur” (Romakëve 12:1).

Hapi 5: Kërko

Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë’’ (Luka 11:13). Të dëshirosh të pagëzohesh me Frymën e Shenjtë nuk do të thotë se do që të dukesh më i mirë sesa të tjerët nga ana shpirtërore. Kur i lutemi Zotit për këtë bekim, tregojmë se jemi me të vërtetë të etur dhe të uritur për të. “Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhësit e tu dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu” (Isaia 44:3). Një dëshirë e tillë kaq e zjarrtë ka për të na shtyrë, për t’iu afruar edhe më shumë Zotit dhe për t’iu lutur Atij, derisa ta marrim bekimin. Ka nga ata, që mund të luten për qëllime të papastra, si puna e Simonit (shiko Veprat e Apostujve 8:18-24), por të tillë njerëz nuk kanë për ta marrë pagëzimin. “Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakobi 4:3).

Hapi 6: Besimi

Fatkeqësisht, ka nga ata, që nuk besojnë se Perëndia mund t’i bekojë me fuqinë e Frymës së Shenjtë. Një mosbesim i tillë mund të ketë ardhur si rezultat i mësimeve të gabuara që mund të kenë marrë njerëz të tillë në kishë, apo si rezultat i mosdashjes për ta hedhur poshtë mëkatin, apo për shkak se shokët e tyre të krishterë iu kanë bërë presjon për t’u pagëzuar me Frymën. Sidoqë të jetë shkaku, pa besim njeriu nuk e merr dot një bekim të tillë. “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobi 1:5). E si është e mundur ta marrësh premtimin e përmendur tek Veprat e Apostujve 2:38-39, nëse nuk pranon ta besosh se ai premtim është akoma i vlefshëm për kishën e sotshme? “Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni” (Marku 11:24). Një besim i tillë duhet të jetë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. “Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson: Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij. Në se dikush sheh vëllanë e vet se kryen një mëkat që nuk çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë, dhe ai do t’i japë jetën, atyre që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Ka mëkat që çon në vdekje nuk them që ai të lutet për këtë” (1 Gjonit 5:14-16).

Përfundim

Perëndia nuk dëshiron që të Tijët të jetojnë, pa e marrë fare Pagëzimin me Frymën e Shenjtë. Kjo dhuratë është e vlefshme për ne sot, gati për t’u na u dhënë. Prandaj edhe duhet të shkojmë tek Perëndia në lutje dhe t’ia kërkojmë me besim. Ai mund ta përdorë fuqishëm atë besimtar, kur ai/ajo është i pagëzuar me Frymën e Tij. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10).

Mbrapa