Si mund të mbijetojmë, kur na sulmon luani?

Si do t’ju dukej, po ta dinit se dikush po ju vinte çdo ditë nga mbrapa, duke ju përgjuar? Secili prej nesh përgjohet vazhdimisht përditë prej djallit, i cili pret momentin e duhur për të na shkatërruar, ashtu si luani e përgjon dhe pastaj e përpin prenë e vet. Djalli do që të na e shkatërrojë marrëdhënien shpirtërore që kemi me Perëndinë. Por fatmirësisht, Zoti na ka siguruar armaturën e duhur, për ta mbrojtur veten prej sulmeve të armikut.

Vigjilenca

Jini të përmbajtur, rrini zgjuar” (1 Pjetrit 5:8).

Si mund ta ruajë veten i dehuri prej një hajduti, apo prej një vrasësi? Në të njëjtën mënyrë, as ne nuk mund ta ruajmë dot veten prej sulmeve të Satanait, nëse nuk jemi esëll dhe vigjilentë.Lexuesit e letrës së Pjetrit i dinin mirë pasojat afatgjate, që linte alkoli mbi mendjen dhe trupin e pijanecit. “Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme” (1 Pjetrit 4:3). Alkoli na e turbullon mendjen. Prandaj edhe duhet të jemi vigjilentë në betejën tonë të përditshme ndaj mëkatit dhe djallit. Nëse nuk jemi esëll, atëherë bëhemi pre e kollajshme për armikun. “Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët’’ (Mateu 26:41).

Armiku ynë

Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8).

Në vargun e mësipërm, djalli quhet “kundërshtari”, ose “i kundra-ligjshmi”. Ai është, pra, i paligjshëm dhe gjithmonë i kundërvihet ligjit të Perëndisë. Në një varg tjetër biblik, djalli quhet “paditësi i vëllezërve tanë” (Zbulesa 12:10). Na thuhet se ai “sillet rreth e qark”, si një luan që përgjon prenë e vet. Shumica e njerëzve kujtojnë se Satanai është në Ferr, duke i torturuar përjetësisht të ligët. Por në fakt, ai është në tokë, duke i bezdisur shenjtorët e Perëndisë. Së bashku me demonët e vet, djalli sillet lart e poshtë, duke u përpjekur për t’i zënë në kurth zemrat dhe mendjet e njerëzve. “Zoti i tha Satanait: “Nga vjen?”. Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: “Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë” (Jobit 1:7). Ashtu siç e shohim, pra, edhe tek libri i Jobit, kundërshtari ynë është gjithmonë gati për të na sulmuar dhe për të na shkatërruar. S’ka mëshirë fare. Prandaj edhe ne duhet të tregohemi gjithmonë vigjilentë. “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar” (Gjoni 10:10).

Rezistenca jonë

Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjetrit 5:9).

Ta “kundërshtosh” djallin do të thotë t’iu rezistosh sulmeve të tij. Një veprim i tillë mund të na duket marrëzi, sidomos kur e imagjinojmë luanin tek sillet rreth e qark, gati për të na përpirë. Por Krishti na ka dhënë guxim për t’u ballafaquar me një armik të tillë të pamëshirshëm, që kërkon të na e shkatërrojë besimin. Djallin e kundërshtojmë, “duke qëndruar të patundur në besim”. Një patundshmëri e tillë është rezistenca jonë, e cila e mund armikun. Me këtë rezistencë i dalim përpara çdo luani! “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit” (1 Korintasve 15:58).  Duhet të na inkurajojë fakti se djalli po i sulmon edhe besimtarët e tjerë në mbarë botën. Kur i shohim vëllezërit dhe motrat tona tek persekutohen dhe tek korrin fitore mbi armikun, besimi na forcohet edhe më shumë. Duhet të qëndrojmë të patundur, pra, pavarësisht sesa i ashpër mund të jetë sulmi.

Mbrojtësi ynë

Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel” (1 Pjetrit 5:10).

Patjetër që frikësohemi, kur e shohim se po na sulmon luani, e sidomos kur e dimë se ky luan është djalli! Por vini re se ç’na thotë teksti i mësipërm. Po, vërtet që djalli na sulmon, por Perëndia na ka thirrur – jemi zgjedhur për të banuar në Parajsë në praninë e Krishtit. Kur i zëmë besë këtij fakti, s’na mashtron asnjë gënjeshtër armiku! Sulmi i armikut është i përkohshëm, kurse shpërblimet e besnikërisë janë të përjetshme. Vuajtja zgjat vetëm për pak kohë, por më pas kemi për të shijuar mrekullitë e lavdisë. Satanai mund të na vijë “për të vjedhur, për të vrarë dhe për të shkatërruar”, por “Perëndia i çdo hiri” ka për të na bërë “të përsosur”, “të patundur”, të fortë dhe me themel. Jezusi tha: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Krishti gjithmonë ka për të qenë Mbrojtësi ynë. Për më tepër, “Luani i fisit të Judës” është më i fuqishëm sesa luani, që na përgjon (Zbulesa 5:5).

Përfundim

Duhet të jemi të përmbajtur, esëll dhe vigjilentë. Duhet të qëndrojmë të patundur, t’i rezistojmë djallit dhe ta kundërshtojmë atë me anë të besimit në Krishtin Jezus. Mbrojtësi ynë na ka pajisur në mënyrë të atillë, që, jo vetëm t’i rezistojmë armikut, por edhe ta mundim atë. “Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:10-12). A kemi besim tek premtimi i Jezusit? “Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë” (Luka 10:19).

Mbrapa