Silluni me nder

“Dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar, që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë” (1 Thesalonikasve 4:11-12).

Parathënie

Bota e ka vazhdimisht nën vëzhgim jetën tonë. Kur bëjmë gabime, njerëzit janë gati të na i vënë re dobësitë që kemi. Përkushtimi ynë ndaj Krishtit pasqyrohet shumë në mënyrën se si jetojmë. Prandaj, nëse jemi hipokritë, dëmtojmë jo vetëm veten tonë, por e turpërojmë edhe kishën e Perëndisë, e mbi të gjitha, emrin e Krishtit: “Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi” (1 Korintasve 14:40). Nuk kemi se si ta ndajmë ashtu siç duhet besimin tonë me të tjerët, po qe se ata nuk kanë aspak respekt për ne, ngaqë jetojmë jetë të padisiplinuara.

Shikoni punën tuaj!

Pali përmend tre aspekte të jetës sonë të përditshme mes jobesimtarëve. Këtyre aspekteve duhet t’iu kushtojmë kujdes të veçantë:

1. Përpiquni me kujdes të jetoni në paqe: “Që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder” (1 Timoteut 2:2)… “Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar” (2 Thesalonikasve 3:12). Kjo është e kundërta e të jetuarit në mënyrë të çrregullt. Paqja duhet të jetë qëllimi ynë. Bota kujton se të kesh paqe, do të thotë të përpiqesh që të jesh gjithnjë i pari në gjithçka. Por Pali iu thotë besimtarëve që të kenë paqe të brendshme shpirtërore, sepse kjo paqe iu jep fuqi të madhe atyre që e ndjekin pas Krishtin.

2. Merruni me gjërat tuaja, ose me fjalë të tjera: “Mos i futni hundët në punët e të tjerëve”. “Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen” (Fjalët e Urta 26:17)… “Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve” (1 Pjetrit 4:15).

3. Punoni me duart tuaja. Besimtari duhet të bëjë punën, për të cilën paguhet. Duhet të punojmë për copën e bukës, e jo të sillemi rrotull, lart e poshtë. Grekët, në përgjithësi, ishin një popull dembel. Përdornin skllevërit për të bërë ato punë, që duhej t’i bënin vetë. Pali vuri në dukje se një mënyrë e tillë jetese ishte në kundërshtim me planin e Perëndisë, prandaj edhe nuk duhej të imitohej prej besimtarëve thesalonikas: “Dhe mundohemi, duke punuar me duart tona” (1 Korintasve 4:12).

Të krishterë, ashtu siç na ka hije

Duhet të dëshirojmë që të sillemi në mënyrë të ndershme, të drejtë e të shenjtë përpara atyre, që nuk e njohin Krishtin si Shpëtimtar: “Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë” (Romakëve 13:13)… “Ecni me urti ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën” (Kolosianëve 4:5)… “Madje duhet që ai të ketë dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos shahet dhe të bjerë në lakun e djallit” (1 Timoteut 3:7). Tek jetojmë jetën tonë të përditshme në sytë e jobesimtarëve, dëshmia jonë duhet të jetë e mirë dhe e sinqertë, për hatër të Zotit. Shprehja “silluni me nder” mund të përkthehet edhe kështu: “silluni ashtu siç duhet”. Prandaj, pra, duhet të jemi të krishterë, ashtu siç na ka hije.

Të mos keni nevojë për asgjë

Vetë e kemi fajin, nëse e turpërojmë veten, për shkak të sjelljes sonë të keqe. Ka patur nga ata njerëz, që janë hequr nga puna, për shkak se jetës së tyre i mungonte disiplina. Në këtë mënyrë, ata kanë turpëruar veten, familjen dhe Perëndinë.

Ka mundësi që disa prej besimtarëve thesalonikas të jenë treguar të shkujdesur në jetën e tyre të përditshme, ngaqë kujtonin se Zoti Jezus Krisht do të kthehej menjëherë. Komentuesit e Biblës, Xhejmisën, Foset dhe Braun, shkruajnë: “Të priturit e ardhjes së menjëhershme të Krishtit kishte shkaktuar disa prej entuziastëve thesalonikas që ta neglizhonin punën e tyre të përditshme e t’i varnin shpresat tek të tjerët”. Gjatë shekujve, ka patur shumë grupe të krishtera, që kanë vepruar pikërisht në po të njëjtën mënyrë. Pa dyshim, njerëzve të tillë iu është dashur një kohë e gjatë për t’u shëruar prej zhgënjimit.  

Përfundim                      

Koncepti i njohur me emrin “Etika Protestante e Punës”, ose, siç e thotë edhe fjalori Enkarta: “besimi në vlerën morale të punës, të kursimit, dhe të përgjegjësisë së çdo personi për veprimet e tij”, bazohet tek tekstet biblike, si ato të këtij studimi. Në përkthimin e Dhiatës së Re të Popullit, thuhet: “Një i krishterë nuk duhet të jetë dembel. Ai që rri kot, nuk mund ta pasqyrojë dot jetën e Krishtit”. Dembelizmi, të marrurrit me punët e të tjerëve, si edhe jeta pa disiplinë nuk gjejnë aspak mbështetje në fjalën e Perëndisë: “Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes. Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt? Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur” (Fjalët e Urta 6:6-11). Mënyra e të jetuarit, që e kënaq Perëndinë, është ajo mënyrë që Ai vetë e ka urdhëruar. Kur jobesimtarët e shohin Krishtin të lavdëruar e të lartësuar në jetën tonë, atëherë, ata, ose na kundërvihen neve, ose kanë dëshirë të madhe ta njohin Atë si Shpëtimtarin e tyre. 

Mbrapa

Advertisements