Simbolet mbretërore të Rabahut

“Ndërkaq Joabi luftonte kundër Rabahut të bijve të Amonit dhe pushtoi qytetin mbretëror. Pastaj Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit për t’i thënë: “Kam sulmuar Rabahun dhe kam shtënë në dorë rezervat e tij të ujit. Prandaj tani mblidh popullin që ka mbetur, vendos kampin tënd përballë qytetit dhe shtjere atë në dorë, përndryshe do ta marr unë qytetin dhe ai do të mbajë emrin tim”. Atëherë Davidi mblodhi tërë popullin, shkoi në Rabah, e sulmoi dhe e pushtoi. Hoqi pastaj kurorën nga koka e mbretit të tyre; ajo peshonte një talent ari dhe kishte gurë të çmuar; ajo u vu mbi kokën e Davidit. Ai mori me vete gjithashtu nga qyteti një plaçkë të madhe. I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punonin me sharra, me lesa dhe më sëpata prej hekuri, i futi të punojnë në furrat e tullave; kështu bëri në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem bashkë me tërë popullin” (2 Samuelit 12:26-31).

Parathënie

Kapitulli 12-të përfundon me historinë e betejës, që kreu Davidi kundër Amonitëve. Disa komentatorë të Biblës besojnë se kjo luftë zgjati për gati dy vjet. Po ta marrim parasysh këtë ngjarje nga ana kronologjike, atëherë do ta shohim se fitorja ndaj Amonitëve u korr menjëherë pas incidentit të Davidit me Bathshebën. Prandaj edhe stërgjatja e kësaj lufte mund të ketë ardhur si shkak i mëkatit të Davidit.

Qyteti

Më në fund, Joabi qe në gjendje t’i mundte Amonitët, duke iu marrë nën kontroll kryeqytetin. Me sa duket, izraelitët ishin përpjekur për ta marrë nën zotërim disa herë këtë qytet, por armiqtë e tyre kishin luftuar ashpër. Joabi kurrë nuk u dorëzua, por u tregua i vendosur për të korrur fitore. I dërgoi lajm Davidit, duke i thënë se e kishte pushtuar Rabahun dhe i kishte shtënë në dorë rezervat e ujit të qytetit. Ka të ngjarë që Rabahu të ketë qenë i ndarë në dy pjesë: në njërën jetonin banorët, kurse në tjetrën ishin të përqëndruara rezervat e ujit. Pushtimi nga ana e Izraelit e pjesës, ku ndodheshin rezervat e ujit, solli si pasojë dorëzimin e menjëhershëm të ushtrisë së Amonit.

Pavarësisht se Joabi u tregua guximtar në nënshtrimin, që iu bëri Amonitëve, prapëseprapë në këtë pasazh e shohim gjithashtu se sa kokëfortë ishte dhe se ç’zemër prej rebeli kishte. Në pamje të parë, na duket sikur ai po i kërkon Davidit ndihmë, për të korrur fitoren përfundimtare. Por, në fakt, në mesazhin e tij përmbahet një farë ndjenjeje përçmimi dhe kokëfortësie. Po thoshte kështu: “Po nuk erdhe këtu në fushën e betejës, në vend që të rrish e të bësh qejf në pallatin tënd mbretëror, atëherë kam për ta pushtuar vetë qytetin dhe kam për t’i vënë atij emrin tim”. Joabi i ishte bindur urdhërit të Davidit për ta vrarë Uriahun dhe ndoshta e dinte se ç’sekret po mundohej të mbante Davidi të fshehur në zemër. Ndaj edhe nuk e vrau shumë mendjen se po e ofendonte mbretin me fjalët e tij.

Davidi e kuptoi se duhej ta merrte vetë situatën nën kontroll. I duhej që jo vetëm ta pushtonte Rabahun, por edhe që ta shuante çdo lloj rebelimi të Joabit. Mbreti nuk kishte nevojë për një luftë civile! Fatmirësisht, Davidi u kthye në krye të detyrës si udhëheqës i kombit. Kishin qenë pikërisht kjo mungesë autoriteti dhe ky dembelizëm i tij, që i kishin shkaktuar probleme. Duke e mbledhur tërë ushtrinë rreth vetes, ai qe në gjendje ta bënte popullin të përqëndrohej tek ai, jo tek Joabi.

Kurora

Edhe pse nuk na jepet një përshkrim i plotë i kurorës, që u hoq prej kokës së mbretit të Amonit, prapëseprapë e marrim me mend se ajo duhet të ketë qenë e një cilësie të lartë, ngaqë ishte prej ari dhe e zbukuruar me gurë të çmuar. Peshonte “një talent”, d.m.th. 28 kg-38 kg, sipas peshës së sotshme. Një peshë e tillë do ta bënte kurorën shumë të rëndë për t’u mbajtur në kokë. Gjon Uesli ndoshta ka të drejtë kur thotë se teksti i referohet vlerës së kurorës, jo peshës së saj, ngaqë fjala “talent” kishte dy përdorime. E megjithatë, ka mundësi që Davidi të mos e ketë vënë këtë kurorë në kokë, por siç thonë edhe autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun, “një kurorë me peshë të tillë ka mundësi, që ashtu si kurorat e tjera të lashta, të jetë varur mbi fronin mbretëror”. Davidi mori gjithashtu me vete edhe një plaçkë të madhe lufte prej Amonitëve dhe e çoi në Jeruzalem. Kjo do të përdorej më vonë në ndërtimin e tempullit të ardhshëm.  

Ndëshkimi

Amonitët humbën gjithçka, duke përfshirë këtu edhe jetën e tyre. Disa komentatorë sugjerojnë se Davidi i përuli shumë ata, duke i kthyer në punëtorë. Në pasazh vërtet mund të na sugjerohet se Amonitët u bënë skllevër punësh të rëndomta në Izrael, por tek 1 Kronikasve 20:3, e shohim se ç’iu ndodhi tamam atyre. “I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punojnë me sharra, me lesa prej hekuri dhe me sëpata”. Një ndëshkim i tillë mund të na duket i ashpër, por le të mos e harrojmë arsyen pse Davidi veproi kështu. Amonitët morën atë, që meritonin. Duhet ta marrim në konsideratë, gjithashtu, se Amoni, së bashku me ndihmën e Sirisë, ishte përpjekur për ta shfarosur plotësisht Izraelin nga faqja e dheut, ndaj edhe ndëshkimi që morën, i përshtatej krimit që kishin bërë. Nuk e dimë me siguri nëse u vranë të gjithë Amonitët. “Fjalët e pasazhit janë të pacaktuara, ndaj edhe mund të mos përfshijnë të gjithë popullin, por vetëm burrat që ishin të aftë për luftë e sidomos ata, që kishin qenë përgjegjës për atë, që i ndodhi ambasadorëve të Davidit, një ngjarje kjo që solli si pasojë luftën mes Amonitëve dhe Izraelit. Prandaj edhe Amonitët e meritonin një ndëshkim të tillë të ashpër” (Gjon Uesli). Ndoshta, duke i vënë që të punonin në furrat e tullave, Davidi donte t’iu tregonte Amonitëve urrejtjen e tij ndaj zakonit të tyre, për t’ia sakrifikuar fëmijët në furra perëndisë Molok. Amonitët nuk hoqën dorë së qëni një popull i ligë dhe i egër, gjë që na tregon se Davidi nuk i vrau të gjithë. “Kështu thotë Zoti: “Për tre krime të bijve te Amonit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse u kanë çarë barkun grave me barrë të Galaadit për të zgjeruar kufijtë e tyre” (Amosit 1:13). 

Përfundim

Izraelitët u gëzuan atë ditë, ngaqë kishin korrur një fitore të madhe kundra armiqve të tyre. Por, që nga ky moment, jeta e Davidit do të kthehej përmbys prej një serie problemesh. Mëkati i tij do të linte pasoja, të cilat kishin për të zgjatur gjatë gjithë jetës së tij si mbret.

Mbrapa

Advertisements