Sindroma e mëkatit

Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati” (Romakëve 6:1-7).

Parathënie

A mund të keqësohet edhe më shumë sesa kaq gjendja e shoqërisë dhe e botës, në të cilën jetojmë sot? Ngado që t’i kthejmë sytë, na duket sikur njerëzit e ligë po përpiqen vazhdimisht, që të shpikin mënyra nga më të ndryshmet, si e si për të mëkatuar ndaj Perëndisë, ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj vetë shëndetit të tyre. Në fakt, nuk ka humnerë më të thellë sesa ajo, që i ka hapur vetë njeriu sot vetes së tij. Kisha e Krishtit nuk bën zë fare. Pastorët e saj nuk tregojnë më interes ndaj rëndësisë së mëkatit dhe të pasojave të tij. Shumica e besimtarëve kujtojnë se Perëndia e bën një vesh shurdh e një sy qorr, kur ata mëkatojnë, ngaqë e kanë pranuar Krishtin si Shpëtimtar. Djalli i ka vaksinuar shumë njerëz, që të mos vuajnë pasojat e virusit të mëkatit. Prandaj edhe njerëz të tillë nuk e kanë problem të mëkatuarin, ngaqë e dinë se janë të shpëtuar. Sa keq duhet të na vijë për ta!

  Fuqia e mëkatit të anulluar

Fjalët që përdor Bibla rreth mëkatit, janë komplet ndryshe nga ato të pastorëve të sotshëm. Në momentin kur mëkati hyri në botë përmes Adamit, Perëndisë i mbetën vetëm dy opcione: ose ta shkatërronte racën njerëzore, ose të dërgonte një Shpëtimtar, i cili do të mund të paguante çmimin më të lartë për mëkatin. Nuk kishte as ëngjëll, as ndonjë qënie tjetër të krijuar, që të mund ta shpengonte njerëzimin prej pasojave të mëkatit. Prandaj, pra, ishte vetë Perëndia Ai, që në personin e Birit të Tij, duhej të bëhej flijim për mëkatin. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Perëndia nuk mund t’i mbyllë sytë përpara mëkatit. Ai e fal dhe e anullon mëkatin. Mënyra e shpëtimit kishte mbi 4000 vjet, që po përgatitej. Gjaku i kafshës së therur në Kopshtin e Edenit, si edhe flijimet e përditshme në tempull i tregonin njeriut atë, për të cilën ai kishte nevojë më shumë, d.m.th. që një kafshë e pafajshme të dënohej e të merrte ndëshkimin, në vend të tij. Të gjitha këto oferta e flijime i hapën rrugën ardhjes së Mesias, Zotit Jezus Krisht. Parajsa duhet të jetë habitur shumë, kur Jezusi e la vendin e lavdisë së Tij, për të vdekur në kryqin e Kalvarit në vend të mëkatarëve. Por Perëndia nuk kishte rrugë tjetër si të na shpëtonte. S’ka dyshim se Parajsa tani është zemërthyer, kur sheh reagimet e njerëzve ndaj një dhurate të tillë të madhe. “Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan” (Gjoni 1:11). S’është për t’u habitur, pra, se ka gëzim të madh në Qiell, kur një mëkatar shpëtohet e kthehet tek Krishti! “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12)… “Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Luka 15:7).

  A të vazhdojmë të mëkatojmë?

Të jetosh në mëkat, është njëlloj sikur ta mohosh arsyen e ardhjes së Krishtit në botë për të na shpëtuar. Ai besimtar, që nuk heq dorë prej mëkatit, nuk e pranon as Krishtin si Zot, as fuqinë pastruese të gjakut të Tij. Pasazhi biblik në hyrje të këtij studimi na e bën të qartë rrezikun, që shkakton mëkati në jetën e një besimtari. Ose jemi të çliruar prej mëkatit, ose jemi robër të tij – nuk ka opcion tjetër. Ose jemi në Krishtin, ose nuk jemi në Të. Prandaj, pra, nuk mund t’i themi vetes ‘të krishterë’, nëse kemi marrë vendim të bëjmë si të na dojë qejfi, duke mos e përfillur udhëheqjen e Frymës së Shenjtë dhe Fjalën e Perëndisë.

Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj” (2 Korintasve 6:17). Nuk është vetëm ndarja prej botës, që na bën të shenjtë, por është Perëndia Ai, që me hirin dhe mëshirën e Tij, na shenjtëron, nëse dëshirojmë. Por, si fillim, duhet t’i besojmë dhe t’i bindemi Atij. Perëndia nuk e pranon një shenjtëri personale, së cilës i mungon vepra e hirit të Tij.

  Kananeu në Shtëpinë e Zotit

A ka rrugë tjetër për të hyrë në Mbretërinë e Qiellit? Edhe po të ketë rrugë tjetër, ajo nuk gjendet në Bibël. Po të ketë rrugë tjetër, atëherë nuk do të ishte absolutisht e nevojshme, që Jezusi të vdiste në kryq. Prandaj edhe ai, që nuk heq dorë prej mëkatit, duhet ta pranojë gjykimin e Perëndisë, ngaqë nuk ka jetuar sipas standarteve të Tij. Njëherë e një kohë, fjala “shenjtëri” ishte e vendosur mbi shtëpinë e Perëndisë. Por tani, fjala ‘mëkat’ dallohet qartë, e pikturuar me ngjyra të ndezura në derën e kësaj shtëpie. Ajo, që dikur urrehej si një ligësi e tmerrshme, tani kremtohet brenda kishës. “Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: “SHENJTËRIM ZOTIT”. Tenxheret në shtëpinë e Zotit do të jenë si legenët e vegjël përpara altarit. Po, çdo tenxhere në Jeruzalem dhe në Judë do t’i shenjtërohet Zotit të ushtrive; të gjithë ata që do të ofrojnë flijime do të vijnë t’i marrin për të gatuar mishrat. Atë ditë në shtëpinë e Zotit nuk do të ketë më asnjë tregtar” (Zakaria 14:20-21). Është kananeu ai, që e drejton kishën e sotshme, duke predikuar prej katedrës e duke lejuar që të praktikohen lloj-lloj mëkatesh brenda kishës. Edhe kur e shohim se fjala e Perëndisë po shtrembërohet, në mënyrë që të bjerë dakort me mëkatet e këtij brezi, ne duhet të jemi ata, që qëndrojmë të patundur, në mbrojtje të të vetmes rrugë shpëtimi, që na ka dhënë Zoti.  

  Përfundim

Kisha është e mbushur me pastorë të marrë, që iu mësojnë doktrina të marra atyre budallenjve, që nuk pranojnë të jetojnë sipas fjalës së dlirë të Perëndisë. Fryma e Shenjtë po i thërret besimtarët, që t’i largohen gjykimit të ardhshëm e t’i afrohen shenjtërisë. “Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë” (1 Pjetrit 4:17). Besimtarëve iu dha garancia e drejtësisë së vërtetë, që në momentin kur Krishti vdiq në kryq. Ata që i besojnë Atij, kanë një uri e një etje të atillë, e cila nuk mund të shuhet dot prej kësaj bote mëkatare. “Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen” (Mateu 5:6).

Ai e thyen fuqinë e mëkatit të anulluar,
Ai e bën të burgosurin të lirë;
Gjaku i Tij pastron mëkatin,
Gjaku i Tij është i dobishëm për mua.

(Çarls Uesli)

Mbrapa