Sini – Fjala e mrekullueshme

Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote. Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. Urrej dhe s ‘e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd. Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’ i rrëzojë. O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua. Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe. Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.” (Psalmi 119:161-168).

Parathënie 

Tek i afrohemi ardhjes së dytë të Krishtit dhe shohim tek përmbushen profecitë e ndryshme, ndihemi sikur besimtarët nuk janë më aq të lirë për ta shprehur besimin e tyre tek Perëndia. Autori i psalmit e përqëndron vëmendjen tek domosdoshmëria për t’iu përkushtuar Zotit, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasim në jetë. Sipas tij, fjala e Perëndisë ka fuqi për të na udhëhequr gjatë gjithë jetës.

Princat

Tek Psalmi 2:1-4 thuhet: “Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij duke thënë:”Le t ‘i këputim prangat e tyre dhe t’ i heqim qafe litarët e tyre”. Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta”. Është Perëndia, pra, Ai, që mbretëron mbi gjithçka dhe, edhe pse drejtuesit e kombit tonë mund të na shqetësojnë, vargje të tilla na ngushëllojnë dhe na japin forcë. Nuk ka asnjëfarë arsye pse krishtërimi duhet të vihet në lojë sot, e prapëseprapë, media dhe shoqëria në përgjithësi, shfrytëzojnë çdo lloj mundësie për t’i tallur besimtarët, ndërkohë që qeveria bën sehir! Në të njëjtën kohë, sapo fetë e rreme fillojnë e vihen në lojë, politikanët bëjnë të pamundurën për t’iu dalë në mbrojtje. Persekucjoni është realitet për të gjithë ata që e ndjekin Jezusin, pothuajse në çdo qoshe të botës, por besimtarët nuk duhet të mposhten për shkak të persekutimit. Të ligët le të flasin sa të duan kundra nesh, por ne le të vazhdojmë të “kemi frikë” nga fjala e Zotit dhe të mahnitemi prej saj. Kur flet Ai, të gjithë armiqtë shpërndahen. “Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij. Ti do t ‘i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë. Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi” (Psalmi 68:1-3). Nëse kemi frikë prej Zotit, nuk kemi për të patur frikë prej mbretërve, princave, politikanëve, apo prej njerëzve të famshëm. Bota mund të na thurë kurthe, por liria jonë qëndron tek Krishti.

Adhurimi

Autori i psalmit e konsideron fjalën e Perëndisë si një thesar premtimesh, që të ngushëllojnë, të forcojnë dhe të mbështesin në çdo vështirësi. Plot gëzim e kënaqësi, ai i hap fletët e Biblës, sepse e di se ajo ka për ta bekuar. “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd” (Psalmi 119:18)… “Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë” (Fjalët e Urta 2:1-5). Po ne, a gjejmë kënaqësi tek Bibla, apo e lëmë të zërë pluhur mbi tavolinë? Fjala e Perëndisë na jep forcë, me qëllim që t’iu rezistojmë të gjitha gënjeshtrave që na propogandon bota. Nëse vërtet e urrejmë botën, por e duam me gjithë zemër fjalën e Zotit, atëherë kemi për ta adhuruar dhe për ta lëvduar Perëndinë shatë herë në ditë, d.m.th. sa herë që të na jepet mundësia. Autori i psalmit, pra, edhe kur ndodhej në mes të vuajtjes, gjente forcë për ta adhuruar Zotin, ashtu siç do ta shohim edhe në vargjet e mëposhtme.

Paqja

“Paqja e madhe” mund të gjendet vetëm prej atyre, që kanë besim tek e vërteta dhe tek dhënësi i së vërtetës. “Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” (Isaia 26:3)… “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7). Nëse kjo paqe na mbizotëron në zemër, atëherë nuk kemi për t’u ndjerë “të ofenduar” prej askujt, d.m.th. nuk ka asgjë që të mund të na “rrëzojë”. Paqja e Perëndisë në shpirt na forcon për ta mposhtur gjithçka apo gjithkënd, që kërkon të na rrëzojë. “Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij. Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore” (Psalmi 37:23-24). 

Urdhërimet

Ata që janë të shpëtuar (apo besimtarë), i binden urdhërimeve të Zotit. Çfarë “shprese” ka ai besimtar, që kujton se nuk është e domosdoshme për të jetuar sipas fjalës së Perëndisë, që kujton se mund të jetojë si t’i dojë qejfi, por se prapëseprapë ka për të shkuar në Qiell? Ta mohosh fjalën e Perëndisë është njëlloj sikur ta mohosh Krishtin si Shpëtimtar. Ka nga ata, që thonë se janë përjetësisht të shpëtuar, ngaqë dikur u penduan dhe i kërkuan falje Zotit për mëkatet e tyre. Por autori i psalmit e ka fjalën këtu tek “shpëtimi” përfundimtar i besimtarit. Bibla përmend tre faza të ndryshme të shpëtimit, të cilat duhet të realizohen në jetën tonë – shpëtimi në të kaluarën: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit” (Efesianëve 2:8); shpëtimi në të tashmen, “Punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje” (Filipianëve 2:12); shpëtimi në të ardhmen: “Ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë” (Mateu 10:22). Ata që nuk janë dakort me këto tre faza, mendojnë kështu, ngaqë kanë qejf t’i bëjnë të dyja: të mëkatojnë dhe të shkojnë në Qiell. Por bindja është themeli i të qënit dishepull. Ata që e duan Zotin, e duan gjithashtu edhe fjalën e Tij dhe kanë dëshirë t’i binden asaj. Perëndia shikon se ç’bëjmë. Ai dëgjon se ç’themi. Ai e di se ç’mendojmë. Sa qesharake është, pra, ta fshehim mosbindjen tonë mbrapa doktrinave njerëzore!

Përfundim

E shohim, pra, sesi autori i psalmit ishte i mahnitur me Perëndinë dhe me fjalën e Tij të shenjtë, prandaj edhe i bindej asaj fjale. Këtu e kishte origjinën fitorja e tij mbi armiqtë. Ai kishte paqe në zemër, pavarësisht nga konfliktet e ndryshme, me të cilat ballafaqohej në jetë. E dinte mirë se Perëndia ishte i shenjtë dhe kjo njohuri e mbante atë larg prej mëkatit. Le të mos bëhemi si njerëzit në kohën e profetit Malakia, të cilët e konsideronin bindjen si diçka monotone. Përkundrazi, le të gjejmë kënaqësi tek Zoti. “Ju thoni gjithashtu:”Ah, sa u lodhëm!” (Malakia 1:13)… “Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës” (Psalmi 33:8).

Mbrapa

Advertisements