Siria e mundur

“Me të dëgjuar këtë lajm, Davidi dërgoi kundër tyre Joabin me gjithë ushtrinë e njerëzve trima. Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në hyrjen e portës së qytetit, ndërsa Sirët e Tsobas dhe të Rehobit, dhe njerëzit e Tobit dhe të Maakahut u rreshtuan në fushë të hapur. Kur Joabi e kuptoi se kundër tij ishin dy fronte beteje, njeri nga përpara dhe tjetri nga prapa, ai zgjodhi disa nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i renditi për betejë kundër Sirëve; Pjesën tjetër të njerëzve e la në duart e vëllait të tij Abishai për t’i renditur kundër bijve të Amonit. Pastaj i tha: “Në qoftë se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në qoftë se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë unë do të të vij në ndihmë. Tregohu guximtar dhe të jemi të fortë për të mbrojtur popullin tonë dhe qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen”. Pastaj Joabi me gjithë njerëzit e tij ecën përpara për të luftuar kundër Sirëve; por këta ikën para tij. Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, ua mbathën edhe ata para Abishait dhe hynë përsëri në qytet. Atëherë Joabi u kthye nga ekspedita kundër bijve të Amonit dhe erdhi në Jeruzalem. Kur Sirët panë që ishin mundur nga Izraeli, u mblodhën të tërë. Hadadezeri dërgoi lajmëtarë për të sjellë Sirët që ishin matanë Lumit. Ata arritën në Helam, me komandantin e ushtrisë të Hadedezerit, Shobakun, në krye. Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin dhe arriti në Helam. Sirët u radhitën kundër Davidit dhe nisën betejën. Por Sirët ua mbathën përpara Izraelit; dhe Davidi vrau nga Sirët njerëzit e shtatëqind qerreve dhe dyzet mijë kalorës, goditi Shobakun, komandantin e ushtrisë së tyre, i cili vdiq në atë vend. Kur tërë mbretërit vasalë të Hadadezerit e panë që ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët patën frikë të ndihmonin akoma bijtë e Amonit” (2 Samuelit 10:7-19).

Parathënie

Në studimin e kaluar, e pamë se si Amonitët i kërkuan ndihmë Sirisë, me qëllim që t’i dilnin ballë sulmit të ardhshëm të ushtrisë së Davidit – një sulm hakmarrës për mënyrën mizore, me të cilën Amonitët i kishin trajtuar shërbëtorët e mbretit. Davidi kishte vetëm një ushtri të vogël, në krahasim me ushtrinë e bashkuar të Amonitëve dhe të Sirianëve. Kështu që, pa dyshim, ai i vari shpresat tek Perëndia, jo tek fuqia njerëzore. Ka të ngjarë që Davidi në fillim qëndroi në Jeruzalem dhe nuk luajti një rol aktiv në betejë.

Mençuria e Joabit

Ushtarët e Davidit, tek po marshonin drejt Amonit, morën vesh se Sirianët po bëheshin gati për t’iu ardhur në ndihmë Amonitëve. Kështu, Joabi e ndau përgjysëm ushtrinë e tij dhe mori me vete ushtarët më të mirë, me qëllim që t’iu dilte Sirianëve përpara e t’i ndalonte së avancuari më tej. Sirianët mund ta kishin sulmuar kollaj Jeruzalemin, ndërkohë që Joabi luftonte me Amonitët, ndaj edhe kjo manuvër ushtarake e Joabit ishte si parandalim i një plani të tillë. Ndarja e ushtrisë në dy pjesë do të sillte si rezultat një zvogëlim të fuqisë ushtarake të Izraelit, por Joabi e pa se e liga duhej kundërshtuar me çdo kusht. E kuptoi mirë se tani lufta e tij me armikun do të bëhej akoma më e vështirë, por, në të njëjtën kohë, Joabi besonte se Perëndinë e kishte me vete. Edhe pse Joabi nuk përmendet në listën e heronjve të besimit tek Hebrenjve 11:33-34, fjalët e këtij vargu i përkasin edhe atij: “Të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja”.

Rezistenca e Amonit

Amonitët zunë pozicion tek porta e Rabas, ndërkohë që Sirianët u rreshtuan në fushë të hapur. Kjo do të thotë se ushtria e Davidit ishte e futur në mes të dy grupeve armike, ndaj nuk kishte nga t’ia mbathte, po qe se beteja do të ashpërsohej edhe më tej. Kjo luftë tanimë nuk ishte thjesht si hakmarrje për keqtrajtimin e shërbëtorëve të Davidit, por nëpërmjet kësaj lufte po kërcënohej vetë egzistenca e Izraelit. “Gjatë gjithë mbretërimit të Davidit”, kjo ishte “lufta më e rrezikshme”, në të cilën “Izraeli ishte përfshirë” ndonjëherë (Karl Frederik Keil). Dhe është për t’u habitur që kjo luftë filloi, ngaqë Davidi donte të tregohej dashamirës me Amonitët!

Ushtarët e Davidit, edhe pse kishin besim tek Perëndia, prapëseprapë duhej ta përballonin ashpërsinë e mundshme të betejës. Joabi e pa se ishte e domosdoshme që ta ndante ushtrinë e Izraelit në dy pjesë, ndaj edhe dha udhëzime lidhur me atë që do të ndodhte, po qe se ai, ose ushtarët e Abishait do të hasnin probleme në fushën e betejës. Joabi iu dha kurajo ushtarëve të tij, duke iu thënë që të bëheshin të fortë dhe të kishin besim se Zoti do t’iua jepte fitoren. E dinte se Sirianët ishin më të shumtë në numër sesa Amonitët, ndaj edhe mori me vete ushtarët më të mirë, që t’iu dilte ballë. E dinte gjithashtu se Amonitët ishte në një pozitë më të dobët ushtarake, ngaqë kishin rekrutuar mercenarë, që të luftonin për ta.  

Fitorja e Izraelit

Për çudinë e të gjithëve, atë ditë Izraeli korri fitore kundër forcave të bashkuara të armikut. Në fakt, s’u bë fare betejë. Sirianët thjesht ia mbathën me të katra, kurse Amonitët u frikësuan, kur panë shpëtimtarët e tyre, që po iknin me vrap. Raba u mor kështu nën zotërimin e Izraelitëve, pa u derdhur pikë gjaku.

Siria bëhet gati përsëri për betejë

Ndoshta, ushtria e Davidit kujtoi se mbaroi lufta, ndaj edhe u kthyen në Jeruzalem. Por, shumë shpejt e morën vesh se Sirianët po bëheshin gati për të sulmuar Jeruzalemin. Ndoshta Hadadezeri, mbreti i Tsobas, u inatos me ushtrinë e tij frikacake, ndaj edhe thirri ushtarë të tjerë rezervë prej Damaskut, që ta ndihmonin për ta sulmuar Davidin. Këtu na tregohet edhe një herë budallallëku i armikut, sepse Sirianët e kishin provuar edhe më parë fuqinë e Davidit. “Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë prej tyre. Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit; Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte… Davidi i bëri emër vetes kur u kthye, mbasi kishte mundur tetëmbëdhjetë mijë Sirë në luginën e Kripës” (2 Samuelit 8:5-6, 13). Sirianët ishin, pra, një popull kokëfortë.

Davidi shumë shpejt e mundi ushtrinë siriane, pavarësisht nga fuqia e tyre e madhe ushtarake. Më në fund, pas një dështimi shkatërrues dhe pas një gjakrrjedhjeje të madhe, Sirianët e kuptuan se ishin mundur dhe iu dorëzuan Davidit. Të gjithë mbretërit, që kishin qenë nën autoritetin e Hadadezerit, lidhën marrëveshje paqësore me Izraelin dhe u bënë shërbëtorë të tij. As që nuk do t’iu shkonte më kurrë në mendje, që t’iu vinin në ndihmë Amonitëve në betejë. E kishin pësuar mirë.

Përfundim   

Ka nga ata, që sugjerojnë se vrasja, që iu bëri Davidi Sirianëve ishte e pamëshirshme. Por duhet ta marrim parasysh faktin se nuk kishte qenë Davidi ai, që e kishte hapur luftën, as me Hanunin, as me Hadadezerin. Ata ia kishin bërë vetë të keqen vetes, ngaqë kishin vepruar pa mend. Përveç kësaj, siguria e Izraelit kishte më shumë rëndësi sesa çdo gjë tjetër, ndaj edhe Davidit iu desh t’iu dërgonte armiqve një sinjal të qartë se populli i Perëndisë nuk kishte për t’u bërë pre e asnjërit.

Mbrapa

Advertisements