Skllavi Egjiptas

“Gjetën në fushë një Egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë; i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri netë me radhë. Davidi e pyeti: “Ti kujt i përket dhe nga vjen?”. Ai u përgjegj: “Jam një egjiptas i ri, shërbëtor i një Amalekiti; pronari im më braktisi, sepse tri ditë më parë u sëmura. Kemi bërë një plaçkitje në jug të Kerethejve, në territorin e Judës dhe në jug të Tsalebit, dhe i kemi vënë zjarrin Tsiklagut”. Davidi i tha: “A mund të më çosh poshtë ku ndodhet kjo bandë?”. Ai u përgjegj: “Betomu në emër të Perëndisë që nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh në duart e pronarit tim, dhe unë do të çoj poshtë, aty ku gjendet kjo bandë”. Dhe e çoi poshtë; dhe ja Amalekitët ishin shpërndarë në të gjithë vendin; hanin, pinin dhe bënin festë për plaçkën e madhe që kishin sjellë nga vendi i Filistejve dhe nga vendi u Judës” (1 Samuelit 30:11-16).

Parathënie

Davidi, kur po shkonte rrugës për të marrë atë, që i kishin vjedhur Amalekitët, gjeti një skllav Egjiptian, të braktisur nga pronari i vet. Kjo situatë ishte e planifikuar prej Perëndisë, për ta inkurajuar edhe më shumë Davidin dhe për t’ia rritur besimin. “Perëndia, me mëshirën e Tij, jo vetëm që ia plotëson nevojat këtij të huaji të shkretë, por edhe e përdor atë si udhërrëfyes për Davidin” (Bibla Studimore e Gjenevës). Skllavi ishte në gjendje t’i jepte Davidit të dhëna të sakta, lidhur me faktin se kush ishin pushtuesit dhe se ku gjendej kampi i tyre. Gjithçka po shkonte mirë e bukur, tani që Davidi po vepronte sipas vullnetit të Perëndisë.

Padrejtësia

Amalekitët e kishin braktisur këtë njeri, ngaqë kishte qenë i sëmurë. Ka mundësi që ai të ketë patur nevojë vetëm për bukë e ujë, sepse, sapo hëngri një vakt të mirë, ishte në gjendje t’i tregonte vetë Davidit rrugën. E kishin lënë të vdiste nga uria, në mes të fushës për tre ditë e tre netë me rradhë. Ky skllav do të kishte vdekur, po të mos e kishte gjetur Davidi, sepse fusha ishte e shkretuar, larg prej gjithçkaje të banueshme.

Davidi, po të donte, mund ta kishte vrarë këtë të ri, sepse, ashtu siç e pranoi edhe ai vetë, ai kishte qenë anëtar i grupit të atyre, që e kishin djegur Tsiklagun dhe kishin marrë çdo gjë të vlefshme me vete. Ndoshta, para se t’i bindej Perëndisë, Davidi edhe mund të kishte vepruar kështu, por tani ai është gati të tregohet i mëshirshëm. “Nuk do të urresh Idumeon, sepse ai është vëllai yt; nuk do të urresh Egjiptasin, sepse ti ishe i huaj në vendin e tij” (Ligji i Përtërirë 23:7).

Ky incident na tregon gjithashtu edhe ashpërsinë zemërgur të Amalekitëve. Nuk kishin dhembshuri fare për ata, që ishin të sëmurë, apo të dobët, prandaj edhe thjesht vetëm për këtë padrejtësi, ata meritonin që të ndëshkoheshin. Zemërngurtësia e pronarit Amalekitas solli si pasojë shkatërrimin e bashkëatdhetarëve të tij, ngaqë skllavi nuk vdiq në mes të shkretëtirës, ashtu siç e mendonin ata. Mëkati, pra, e ka zakon të na zërë mat, atëherë kur nuk e presim. “Të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Numrave 32:23).

Të dhënat

I riu ishte në gjendje t’i jepte Davidit informacionin e duhur rreth vendndodhjes së pushtuesve. Nga Bibla, e dimë se kush ishin këta pushtues, por, para se ta pyeste Egjiptasin, Davidi vetë nuk e kishte idenë fare se kush kishte qenë përgjegjës për sulmin. Skllavi ishte gati t’i shërbente Davidit, duke i dhënë të gjithë informacionin e duhur, ngaqë Davidi i kishte shfaqur një mirësi të pamerituar. “Perëndia mund ta kthejë edhe aksidentin më të vogël në një shërbesë të vlefshme, që sjell rezultate të mëdha” (Gjon Uesli).

Pushtuesit

Egjiptasi e drejtoi Davidin dhe njerëzit e tij pikërisht tek vendi i kampit të Amalekitëve. Ata dukeshin sikur s’ishin aspak të shqetësuar. Po hanin e po pinin, duke menduar se ç’fitore të madhe kishin korrur, si ndaj filistenjve, ashtu edhe ndaj judenjve, duke i mashtruar e duke i vjedhur me dinakëri. Davidi kishte rastin ta merrte mbrapsht gjithçka, që ia kishin vjedhur Amalekitët, tani që ata ishin të dehur e nuk ishin të gjendje të luftonin. “Ata që kanë shkuar në bashkësinë e të vdekurve, kanë shkuar nëpërmjet rrugës së këndshme e të butë të të ngrënit e të të pirit e të të hedhurit valle” Mateo Henri). Amalekitët ishin të pambrojtur, ngaqë nuk e imagjinonin dot kurrë se dikush do të vinte e do t’i gjente kaq shpejt. Kujtonin se konflikti mes filistenjve dhe izraelitëve do të zgjaste me ditë e me javë të tëra. “Të ligët, kur janë duke bërë qejf, nuk e marrin parasysh fare gjykimin e Perëndisë, i cili është aty pranë, gati për t’i ndëshkuar” (Bibla Studimore e Gjenevës). “Nga pamja e jashtme, Amalekitët nuk dukeshin fare se ishin në rrezik, e megjithatë, ata e kishin shkatërrimin më afër nga të gjithë” (Gjon Uesli).

Përfundim

Në studimin tonë të ardhshëm, do ta shohim se si Davidi ka për të korrur një fitore të vendosur e të menjëhershme kundër Amalekitëve. Por duhet ta pranojmë se kjo fitore nuk do të kishte qenë e mundur, po qe se ai nuk do të ishte kthyer përsëri tek Zoti. Bindja, pra, të sjell shpërblime. “Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet. Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë” (Psalmi 19:7-11)… “Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet” (Fjalët e Urta 24:14)… “Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë” (Zbulesa 22:12).

Mbrapa

Advertisements