Sprova e besimit

“… duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.” (Jakobi 1:3) 

Parathënie
Meqënëse po ia arrijmë fundit të këtyre studimeve mbi temën e shenjtërimit, na mbetet edhe një çështje tjetër, që ka nevojë për t’u marrë në konsideratë. Kjo çështje është sprova e besimit tonë.

Vuajtja
Tek 1 Pjetrit 5:6-11 lexojmë: “Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju. Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë. Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen”.

Pjetri na kërkon të bëjmë tre gjëra:
1. Të përulemi nën dorën e fuqishme të Perëndisë.
2. Ta hedhim gjithë merakun (frikën) tonë mbi Zotin.
3. T’i kundërshtojmë djallit.

Por vini re se më tej, ai na paralajmëron se besimit tonë mund t’i duhet të durojë një periudhë sprove dhe testimi. Shpesh ne lutemi ashtu si dishepujt: “Zot, na e shto besimin” (Luka 17:5). Por shpesh fara e besimit rritet vetëm nën hijen e errët të vuajtjes. Mund ta falenderojmë Perëndinë që kjo vuajtje zgjat vetëm për “pak kohë”. Kur prova e besimit tonë ia ka arritur qëllimit të saj, atëherë Fryma e Shenjtë do ta bëjë realitet gjithçka që ia kemi besuar Atij. “Që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 1:7).

Besim triumfues
Besimi është fitimtar para kohës së sprovës, gjatë saj dhe sidomos pas kohës së sprovës. Besimi nuk njeh frikë apo dështim. Besimi nuk e lejon Satanin që t’ia largojë vëmendjen nga pikësynimi. Besimi beson se “Perëndia i paqes” do të na shenjtërojë tërësisht” dhe se Ai do ta ruajë “gjithë frymën, shpirtin e trupin” tonë, “pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Thesalonikasve 5:23).

Përfundim
Do ta adhurojmë Perëndinë gjatë gjithë përjetësisë për thirrjen e Tij në jetët tona. Kurrë nuk do të pushojmë së lavdëruari Atë për punën e shenjtërisë tek ne. Do ta falenderojmë për besnikërinë e Tij dhe për gjithçka që Ai ka bërë për ne. 

Shenjtërimi nuk është një përvojë që ndodh vetëm një here, por është në fakt, një punë e Frymës së Shenjtë, që zgjat gjatë gjithë jetës. Është e rëndësishme që të mos heqim dorë, edhe pse nuk i shohim akoma rezultatet e shenjtërimit në zemrat tona. Le të ecim “denjësisht sipas thirrjes” për të cilën u thirrëm dhe Zoti do të na pastrojë zemrat (Efesianëve 4:1).

Mbrapa

Advertisements