Sprova e përditshme

“Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13).

Parathënie

I krishteri ballafaqohet me shumë tundime, sprova dhe vështirësi të përditshme gjatë gjithë jetës. Nganjëherë Perëndia na e lejon besimin, që të na vihet në provë, nëpërmjet dilemave të ndryshme personale, apo nëpërmjet problemeve, që na shkaktojnë të tjerët. Ka edhe tundime të tjera, që na shkaktohen prej djallit, i cili kërkon që të na e dobësojë përkushtimin tonë ndaj Perëndisë. Çdo tundim, sidoqë të jetë, na e vë në provë karakterin dhe vendosshmërinë tonë. Teksti i mësipërm biblik na e shpjegon edhe më mirë temën e tundimit.

Gjetur

Ndoshta nuk e kemi vënë re mirë fjalën “gjetur” në tekstin e mësipërm, sepse mund ta kemi përqëndruar më shumë vëmendjen tek aspektet e tjera të këtij vargu. Por Pali me anë të kësaj fjale kërkon të na thotë se shumica e tundimeve nuk e kanë burimin tek ne. Kjo fjalë mund të përkthehet gjithashtu edhe si “kapur”, d.m.th. tundimi vjen si rezultat i rrethanave, që nuk i kemi vetë nën kontrollin tonë. E shohim, pra, atëherë se disa situata, edhe pse mund të krijohen prej ligësisë njerëzore, prapëseprapë janë vepër e Satanait.

Tundimi njerëzor

Pali po iu referohet tundimeve dhe sprovave, që i vuajnë të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse janë besimtarë, apo jo. E kuptojmë, p.sh. efektin që kanë patur problemet financiare të kohëve të fundit mbi popullsinë e botës. Si botës, ashtu edhe besimtarëve iu duhet të paguajnë më shumë tani për ushqimet, apo për naftën. Ose p.sh. edhe të krishterin e kap gripi!

Besnik

Perëndia është besnik. Kjo është një e vërtetë absolute, që nuk ndryshon kurrë, ndaj edhe ne duhet ta besojmë këtë të vërtetë, pavarësisht se ç’probleme apo vështirësi mund të hasim në jetë. “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten” (2 Timoteut 2:13). Ku do të ishim sot, vallë, po qe se Perëndia nuk do të kishte qenë çdo ditë me ne? “Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë” (1 Thesalonikasve 5:24).

Fuqia

E meqënëse Perëndia është besnik, Ai nuk ka për ta lejuar asnjë vështirësi që kalojmë, që të jetë përtej fuqive tona për ta përballuar. Vargu i mësipërm ka të bëjë jo vetëm me fuqinë, por edhe me idenë se asnjë tundim nuk ka për të zgjatur më shumë sesa durimi ynë. Për më tepër, shuma e këtyre tundimeve dhe barra e tyre nuk ka për të qenë më e madhe sesa fuqia jonë për t’i përballuar ato. Mund të themi, pra, se tundimet na bëhen “si me porosi”, sepse Perëndia na ka dhënë mundësinë për ta vënë në praktikë besimin tonë në situata, që mund të na duken të jashtëzakonshme.

Rrugëdalja

Fjala “rrugëdalje” në këtë varg nuk na sugjeron që të heqim dorë, apo që t’iu largohemi problemeve me vrap. Po vepruam kështu, atëherë kot që besojmë tek Perëndia! Perëndia na e ka siguruar mënyrën e duhur të shpëtimit prej tundimeve dhe sprovave. Ajo që na mbetet neve për të bërë, është thjesht të veprojmë ashtu siç na mëson Ai. “Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju,” thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë” (Jeremia 29:11). “Satanait nuk i lejohet kurrë që të na e bllokojë rrugën, pa miratimin e Perëndisë” (Adam Klark). Rrugëdalja është rruga e bindjes ndaj Frymës së Shenjtë, që na drejton. Ka nga ata, që ankohen gjatë gjithë jetës, ndaj edhe nuk korrin fitore kundra vështirësive. Kërkojnë të gjejnë rrugën më të lehtë, rrugën më të shkurtër, por në fakt, zhyten gjithnjë e më thellë në baltën shpirtërore, që ia kanë krijuar vetvetes. “Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit” (2 Pjetrit 2:9).

Durimi

Të gjitha problemet janë të përballueshme, po t’i pranojmë ato si të tilla. Nuk kemi nevojë shumë as për këshilltarë, as për doktorë, as për ilaçe, që të na ndihmojnë si t’i zgjidhim problemet, sepse, në fakt, mjekimet e shumta më shumë shkatërrojnë shpirtin, sesa e zgjidhin problemin. Jetojmë në një kohë, kur shumica e njerëzve nuk mund ta përballojnë dot jetën pa alkol, pa drogë, pa cigare, apo pa ilaçe. Të tillë njerëz i kritikojnë të krishterët, duke iu thënë se krishtërimi është për ta si patericat për të çalin! Vetë e kemi fajin, kur rrëzohemi, ndaj edhe si besimtarë, që jemi, duhet të ngrihemi e t’iu bëjmë ballë të gjithë atyre e gjithçkaje, që mundohet të na shkatërrojë. “Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:31). 

Përfundim                      

Tek 1 Korintasve 10:1-10 na thuhet se Perëndia i kishte siguruar Izraelit gjithçka, e megjithatë ky popull vendosi që t’ia kthejë kurrizin Atij. I shkaktuan probleme vetes, që në momentin kur nuk pranuan të jetonin me besim. Si pasojë, shumica e tyre vdiqën. I lejuan gjërat e kësaj bote, që t’iua vidhnin përkushtimin, që kishin ndaj Zotit, prandaj edhe nuk mund t’iu bënin dot ballë problemeve pa patur besim. E ngaqë ky pasazh është shkruar për të mirën tonë, Perëndia po na paralajmëron, që t’i mbajmë sytë të ngulitur tek Ai, pavarësisht se ç’mund të na dalë përpara. Vetëm atëherë do të korrim fitore. “Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan” (Jakobi 1:12).

Mbrapa

Advertisements