Streha dhe forca e besimtarit

Teksti i studimit: Psalmi 46

Parathënie

Jetojmë në një botë, në të cilën të paktë janë ata, që kanë një shpresë të vërtetë e të sigurtë, qoftë në të tashmen, qoftë në të ardhmen. Pali na thotë se ata, që nuk e njohin Krishtin si Shpëtimtar, janë pa shpresë. “Ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë” (Efesianëve 2:12). Psalmi 46-të i Davidit na thotë se kemi një strehë, madje edhe atëherë kur bota shkon drejt shkatërrimit.

Perëndia është streha jonë

Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit, dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)” (Psalmi 46:1-3).

Ai është streha jonë, që na mbron prej problemeve të kësaj bote. Kur jemi të shqetësuar për ndonjë problem, thjesht duhet të vrapojmë tek Perëndia, për të marrë përsëri forcë për të vazhduar së jetuari. Perëndia ynë është me ne në çdo hap, që hedhim. Për Të, asnjë problem nuk është aq i vështirë, sa nuk zgjidhet dot; asnjë frikë nuk është aq e madhe, saqë Ai s’e mposht dot. Ata, që nuk janë besimtarë, merakosen  për gjendjen e vështirë ekonomike që po kalon bota, për sëmundjet e ndryshme, etj. Përkundrazi, ata, që e njohin Zotin, kanë besim e jo frikë. Për ta “streha” është, në fakt, “vendi i besimit”. “Lum ata që gjejnë strehë tek ai” (Psalmi 2:12). Të gjithë ata, që besojnë në Krishtin, kanë një strehë të tillë për shpirtin e tyre. “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri” (Fjalët e Urta 18:10)… “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).

Perëndia është afër

Është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti. Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit. Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri. Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)” (Psalmi 46:4-7).

Perëndia është me ne. E pse kemi frikë, atëherë, e merakosemi për ato që ndodhin në botë? Le të tronditet toka prej fatkeqësive natyrore; Perëndia nuk luan nga vendi. As ne nuk duhet të luajmë nga vendi. Malet le të tronditen; Perëndia nuk tronditet. As ne nuk duhet të tronditemi. Mbretëritë e kësaj bote le të ngrenë krye kundër Zotit dhe popullit të Tij, por Ai, prapëseprapë, është i ulur në fronin e Tij. “Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta” (Psalmi 2:4)… “Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël” (Isaia 40:15). Ajo, që ka rëndësi, është fakti se “kujt i besojmë?”. Ai, që është me ne, është streha dhe forca jonë e vazhdueshme dhe gjithnjë e gatshme.

Perëndia vepron

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr. Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë. Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)” (Psalmi 46:8-11).

Po, është e vërtetë se të drejtët ballafaqohen me vështirësi, por asnjëra prej këtyre vështirësive nuk i shpëton syrit të Perëndisë. Ai sheh dhe ka për t’u hakmarrë një ditë kundër të gjithë atyre, që nuk besojnë. Ai ka për ta shkatërruar gjithçka, që ata kujtonin se ishte streha e tyre. E kur gjithçkaje t’i vijë fundi, vetëm Perëndia dhe populli i Tij kanë për të egzistuar. Bota, atëherë, ka për ta kuptuar se vetëm Perëndia i Jakobit, Zoti i ushtrive, është Shkëmbi i fortë i shpëtimit të përjetshëm. Mos harroni se Ai, që e bëri universin të egzistonte thjesht me anë të fjalës së Tij, është po Ai, që mjafton vetëm ta hapë gojën e ta shkatërrojë të njëjtin univers me po të njëjtën fjalë të Tij. Në komentimin që i bëjnë Biblës, autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun thonë kështu: “Hiqni dorë e mos më kundërshtoni as Mua, as popullin Tim, sepse Unë jam streha e tyre”.

Përfundim

Dy gjëra na mbeten për të bërë: ose të merakosemi e të shqetësohemi për problemet e kësaj jete, ose t’i qetësojmë zemrat, duke i besuar Atij, që vdiq në kryq për të na çliruar prej skllavërisë. Perëndia ynë na siguron lumin e jetës së përjetshme, për të na i kënaqur shpirtrat e për të na i gëzuar zemrat, pavarësisht nga problemet, që mund të kalojmë.

Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit. Unë i them Zotit: “Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj”. Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse. Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën, as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë. Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet. Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve. Duke qenë se ke thënë: “O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate. Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur. Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën. Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim. Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj. Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim” (Psalmi 91).

Mbrapa