Sundimi i Davidit

“Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ne jemi kocka dhe mishi yt. Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: “Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin””. Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet. Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën” (2 Samuelit 5:1-5).

Parathënie   

Kishte ardhur koha, që premtimi dhe plani i Perëndisë të bëhej realitet. Tani, i gjithë populli i Izraelit, si nga veriu, ashtu edhe nga jugu, do ta vinte veten nën sundimin e Davidit. Ai nuk e kishte detyruar asnjërin me forcë që të vepronte kështu. Përkundrazi, edhe pse kishte hasur vështirësi nga më të ndryshmet, të shkaktuara shpeshherë nga të tjerët, prapësprapë Davidi e kishte pritur me padurim një ditë të tillë.

Fiset

Ardhja e pleqve (apo e krerëve) të fiseve tek Davidi i hapi rrugën, jo vetëm ri-bashkimit të Izraelit, por gjithashtu edhe pranimit të Davidit si udhëheqës i tyre i vetëm. Populli i Izraelit kishte pritur për shtatë vjet e gjysëm, para se t’ia miratonte Davidit të drejtën për të sunduar mbi të gjithë kombin. Kjo do të thotë se izraelitët, jo vetëm që s’kishin pranuar ta vinin veten nën sundimin e Davidit, por gjithashtu e kishin hedhur poshtë edhe vullnetin e Perëndisë. Fatkeqësisht, një vonesë e tillë kishte shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve – vdekje, të cilat mund të ishin parandaluar, po qe se izraelitët do t’i ishin nënshtruar Davidit që më parë.

Sipas 1 Kronikasve 12:23-38, Davidit në Hebron atë ditë iu paraqitën pothuajse 350.000 vetë. Në këtë mënyrë, pra, kurorëzimi i Davidit si mbret u bë tanimë një fakt zyrtar e i pamohueshëm, ngaqë shumica e Izraelit, e përfaqësuar prej kësaj turme kaq të madhe njerëzish, i ishte gjunjëzuar atij. Izraeli po e zgjidhte tani Davidin si mbret, edhe pse ky kishte qenë me kohë plani dhe qëllimi i vetë Perëndisë. Por kishte përsëri disa, që ishin në opozitë ndaj Davidit –një fakt ky, që u shfaq hapur nga pjesëmarrja e një numri të vogël njerëzish prej fisit të Benjaminit, i cili i ishte besnik Saulit. “Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit) (1 Kronikasve 12:29).

Premtimi

Kjo turmë përbëhej prej ushtarëve dhe heronjve të luftës të fiseve të ndryshme, të cilët i premtuan Davidit se do t’i qëndronin përjetë besnikë. “Tërë këta luftëtarë, të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur, erdhën në Hebron për ta shpallur Davidin mbret mbi tërë Izraelin; edhe pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mëndje për ta bërë mbret Davidin” (1 Kronikasve 12:38). Disa prej tyre ishin vërtet të zgjuar. “Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohrat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli” (1 Kronikasve 12:32).

Shprehja “ne jemi kocka dhe mishi yt” ka kuptimin se izraelitët tani po e pranonin Davidin si birin e vërtetë të Izraelit, pavarësisht nga gënjeshtrat, që iu kishte thënë Sauli rreth tij. Ajo që ndoshta nuk arritën ta kuptonin dot atë ditë, ishte fakti që tani dëshira e tyre po përputhej me vetë vullnetin e Perëndisë. “Do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur. Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që të mos jetë vëllai yt” (Ligji i Përtërirë 17:15). Atyre gjithashtu iu kujtua fakti se sa besnik ishte treguar Davidi ndaj mbretit Saul, kur ky i fundit kishte dalë në krye të ushtrisë, për të luftuar kundër armiqve të Izraelit. Ata, duke i thënë Davidit se ai tani ishte “princ që do të sundojë Izraelin”, po i tregonin atij se kishte qenë Davidi ai, e jo Sauli, që kishte korrur fitore për Izraelin në të kaluarën. Kënga e kënduar dikur po bëhej tanimë edhe më kuptimplotë. “Sauli vrau mijëshin e tij dhe Davidi dhjetëmijëshin e tij” (1 Samuelit 18:7). E dinin se Davidi do t’i “ushqente”, d.m.th. se do të kujdesej për ta si një bari, e jo si një despot, siç ishte treguar Sauli. Dhe vërtet, gjatë gjithë sundimit të tij si mbret, Davidi u kujdes për Izraelin tamam si një bari. Davidi nuk u bë “mbret, për t’u lartësuar për vete, por, përkundrazi, për të mirën e popullit të tij, të cilin do ta sundonte me shumë dhembshuri dhe do ta ruante me shumë pasion” (Gjon Uesli). Autori i Psalmit 78-ë shkruan kështu: “Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve, dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij. Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij” (Psalmi 78:70-72).

Vajosja

Të gjithë iu nënshtruan sundimit të Davidit, por e vëmë re gjithashtu se ai lidhi një “aleancë” me ta para Perëndisë, apo “sipas fjalës së Perëndisë” (1 Kronikasve 12:23). Ky akt mund të konsiderohet si një shkëmbim betimesh, para se të bëhej kurorëzimi i Davidit.

Ishte hera e tretë, që Davidi ishte vajosur si mbret mbi popullin e Perëndisë: herën e parë, nga dora e Samuelit, rreth 20 vjet më parë (1 Samuelit 16:12); herën e dytë, para shtatë vjet e gjysëm, atëherë kur vetëm Juda iu nënshtrua atij (2 Samuelit 2:4), por kjo vajosje e tretë e themeloi vërtet Davidin si mbret mbi të gjithë Izraelin e bashkuar. Tërë populli e festoi kurorëzimin e Davidit si mbret me një festë, që zgjati rreth 3 ditë me rradhë. “Ata qëndruan atje tri ditë me Davidin, duke ngrënë dhe duke pirë, sepse vëllezërit e tyre kishin siguruar ushqim për ta. Edhe nga ata që banonin afër tyre, madje edhe nga Isakari, nga Zabuloni dhe nga Neftali sillnin ushqime me gomarë, me deve, me mushka dhe me qe, furnizime të mëdha: miell, bukëfiqe dhe rrush të thatë, verë, vaj, lopë dhe dele me bollëk; sepse Izraeli ishte shend e verë” (1 Kronikasve 12:39-40). “Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet” (Fjalët e Urta 29:2).

Përfundim   

Problemeve të Davidit nuk do t’iu vijë fundi, edhe pse tani ai është bërë mbret i Izraelit. Davidit do t’i duhet akoma që ta sulmojë e ta pushtojë Jeruzalemin dhe ta bëjë atë kryeqytetin e vet. Do t’i duhet të përballojë shumë çështje familjare e kombëtare, si edhe të kërkojë falje për mëkatet e tij. Por gjëja më e mrekullueshme, që shohim në këtë studim, është fakti që plani, qëllimi dhe premtimi i Perëndisë u bënë realitet, pavarësisht nga pamundësitë e kaluara. “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11).

Mbrapa

Advertisements