Ta marrim nga e para (pjesa 1)

“Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi. A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?” (2 Thesalonikasve 2:3-5).

Parathënie

Ka patur shumë njerëz, sidomos mes anëtarëve të kulteve të ndryshme, të cilët janë mashtruar në lidhje me ngjarjet e Ditëve të Fundit, ngaqë nuk i kanë rradhitur këto ngjarje ashtu siç i rradhit Bibla. Ardhja e Dytë e Krishtit nuk do të ndodhë, pa ndodhur më parë disa gjëra të caktuara si brenda kishës, ashtu edhe në mbarë botën. Në Biblën Studimore të Gjenevës thuhet kështu: “Apostulli na tregon se, para ardhjes së Zotit, do të ngrihet një fron, i cili do të jetë në kundërshtim të plotë me lavdinë e Krishtit. Në këtë fron do të ulet ai njeri i ligë, i cili do t’ia transferojë vetes të gjitha gjërat, që i përkasin Perëndisë. Të shumtë do të jenë ata, që do të largohen nga Perëndia e do ta ndjekin këtë njeri të tillë”.

Mashtrimi

Pali, jo vetëm që i paralajmëron besimtarët, që të ruhen prej mashtrimit të mësuesve të rremë, por gjithashtu, iu thotë atyre se mashtrimi është njëra prej arsyeve e “të rënit” të njerëzve. Mashtrimi ta bën mendjen lëmsh e të çon në rrugë të gabuar. “Të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit” (2 Thesalonikasve 2:2)… “Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit” (2 Korintasve 11:3). Gënjeshtra, që e transmeton djalli nëpërmjet profetëve të rremë, ka si qëllim lartësimin e tij mbi fjalën e Perëndisë.

Përsa i përket Ardhjes së Dytë të Krishtit, vëmë re se duhet të ndodhin në fillim dy gjëra, para se të vijë Ai.

Rënia

Shpesh këtë rënie e quajmë “rënia e madhe”, sepse e tillë ka për të qenë edhe ajo vetë. Në greqisht, fjala “rënie” (“apostasia“) do të thotë “një braktisje me vetëdashje prej një pozicioni (një gjendjeje) të paracaktuar”. Të njëjtën fjalë përdor edhe Jezusi tek Mateu 5:31, kur bën fjalë për divorcin. Një rënie e tillë ndodh atëherë, kur nuk e zbatojmë fjalën e shkruar të Perëndisë. “Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë” (Hebrenjve 3:12)… “Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve” (1 Timoteut 4:1).

Pali na thotë se ka për të ndodhur një rënie (ose një largim) prej së vërtetës, para se kisha e vërtetë të largohet prej kësaj toke e të rrëmbehet në Qiell. Do të ndodhë një rebelim i madh kundra Krishtit, para ardhjes së Tij në këtë botë. “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:8). Ka shumë mundësi, që një largim i tillë prej fjalës së Perëndisë, ka kohë që ka filluar të ndodhë. Kishat tona janë pothuajse bosh dhe doktrinat e rreme po iua prishin mendjen edhe atyre të paktëve, që kanë mbetur.

Njeriu i mëkatit

Do të vijë dita, kur ka për t’u shfaqur njeriu më rebel kundra Perëndisë. Ky njeri do ta vërë veten në vend të Perëndisë dhe të fjalës së Tij. Fundi i tij ka për të qenë Liqeni i Zjarrtë, drejt të cilit ai ka për ta tërhequr edhe botën. Ky njeri është shkatërruesi i gjithçkaje të shenjtë e të drejtë. Ka mundësi që ai të jetë i demonizuar prej të njëjtit shpirt të lig dhe rebel, si të atij të Judë Iskariotit, që e tradhtoi Zotin e që Jezusi vetë e quajti “biri i humbjes” (Gjoni 17:12). “Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall” (Gjoni 6:70)… “Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte” (Gjoni 13:2)… “Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri e tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion” (Zbulesa 9:11). Identiti i këtij njeriu do të zbulohet vetëm në fillim të periudhës 7-vjeçare, që i paraprihet mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit.

Antikrishti do të jetë epiqendra e adhurimit, e jo Perëndia. “Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës” (Zbulesa 13:8). Këtë dëshirë ka patur gjithmonë Satanai dhe një dëshirë të tillë do ta realizojë brenda një periudhe të caktuar në ditët e fundit. “Ti thoshnje në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin”. Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës” (Isaia 14:13-15). Ai do të lartësohet në tempullin e judenjve në Jeruzalem, për ta treguar veten si Mesia e Izraelit. Por, ç’është më e keqja, judenjtë kanë për t’i zënë besë atij për tre vjet e gjysëm, duke kujtuar se ai është si Perëndi, ashtu edhe Mesia, në një kohë që vetë Jezusin nuk e pranuan si të tillë. “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit” (Gjoni 5:43). Gjon Uesli ka thënë: “Antikrishti do të vijë, duke i deklaruar si të vetat ato privilegje, që i përkasin vetëm Perëndisë”.

Përfundim

Këto dy ngjarje, d.m.th. rënia dhe shfaqja e Antikrishtit, do të ndodhin para ardhjes së Ditës së Zotit. Në fakt, ka edhe shumë ngjarje e shenja të tjera, që do të ndodhin, para ardhjes së Krishtit, por, sipas Palit, këto dy ngjarje të caktuara dëshmojnë plotësisht se Krishti do të kthehet vetëm atëherë, kur të ketë ndodhur pikërisht këto ngjarje.

Mbrapa

Advertisements