Ta marrim nga e para (pjesa 2)

“Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet. Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti. Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij” (2 Thesalonikasve 2:6-8).

Parathënie

Antikrishti nuk ka për t’u shfaqur, pa ndodhur më parë disa ngjarje të caktuara. Në këtë studim, do t’i hedhim një sy asaj gjëje, apo atij personi, që e “ndalon“, apo që e frenon Antikrishtin prej së shfaqurit në ditët e sotme.

Ai që e ndalon

Në disa versione të Biblës, kjo shprehje përkthehet kështu: “ai që e frenon”. Kush është pra ai, që e pengon të shfaqurit e Antikrishtit? Janë dhënë shumë interpretime të ndryshme, lidhur me përcaktimin e identitetit të kësaj fuqie frenuese. Por asnjëri prej këtyre interpretimeve nuk është i bazuar në Bibël. Disa kanë thënë, p.sh. se fuqia frenuese e Antikrishtit është Perandoria Romake, apo qeveritë e botës, apo Izraeli, apo Ungjilli, apo Satanai, apo ëngjëjt, apo Perëndia, apo një profet, apo kisha, apo Fryma e Shenjtë. Cilin interpretim duhet ta marrim ne si të saktë?

Vetë Satanai ka për t’i dhënë fuqi të “paudhit” për të mashtruar botën. “Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit” (2 Thesalonikasve 2:9)… “Dragoi i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh” (Zbulesa 13:2). Cili është aq i fuqishëm, saqë ta ndalojë së vepruari fuqinë e Antikrishtit, derisa të vijë koha e caktuar? Pa dyshim se s’ka asnjë organizatë apo fuqi njerëzore, që ta bëjë një gjë të tillë. Prandaj, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta pranojmë se është vetë Perëndia, në personin e Frymës së Shenjtë, Ai, që e ndalon shfaqjen e parakohëshme të Antikrishtit. Vini re përdorimin e përemrit vetor, “ai”. Fryma e Shenjtë nuk e ka dorëzuar kurrë fuqinë e Tij. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua; për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më; për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar” (Gjoni 16:8-11). Si e ndalon, pra, Fryma e Shenjtë Antikrishtin? Ka mundësi që ta ndalojë, nëpërmjet pranisë dhe influencës së Tij në kishën e vërtetë të Krishtit, anëtarët e së cilës janë të përkushtuar ndaj predikimit të fjalës së pastër të Perëndisë. Me fjalë të tjera, Perëndia është akoma sovran mbi të gjithë botën. “Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve” (Psalmi 11:4). Deri atëherë, “Fryma dhe nusja thonë: “Eja!” (Zbulesa 22:17).

Misteri i paudhësisë

Veprat e mistershme të mëkatit kanë egzistuar, qëkurse Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë në Kopshtin e Edenit (Zanafilla 3:1-7). Këto vepra janë të dukshme edhe në jetën e përditshme. “Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit” (1 Gjonit 3:4)… “Çdo paudhësi është mëkat” (1 Gjonit 5:17). E megjithatë, bota nuk e ka parë akoma shfaqjen e plotë të paudhësisë së mëkatit, ngaqë Fryma e Shenjtë e ka frenuar fuqinë e mëkatit. Por, do të vijë një ditë, kur Fryma e Shenjtë nuk ka për të vepruar më me një fuqi të tillë frenuese. “Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun” (Zanafilla 6:3). Shprehja “të hiqet nga mesi” do të thotë “të vihet mënjanë”. Disa komentues të Biblës e kanë krahasuar tërheqjen e fuqisë frenuese të Frymës së Shenjtë me shpërthimin e ujërave të një dige, për të lejuar përmbytjen e tokës. “Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë” (Zbulesa 12:12).

Shkatërrimi

Për shtatë vjet me rradhë, pas shfaqjes së tij, Antikrishti ka për të qenë në kontroll të njerëzimit dhe ka për të kërkuar që ta adhurojnë të gjithë. Por edhe ai vetë ka për t’u ballafaquar me gjyqin e Perëndisë dhe Shpëtimtarit të vërtetë. “Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur” (Zbulesa 19:20)… “Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve” (Zbulesa 20:10). Një shkatërrim i tillë është shprehje e zemërimit të Perëndisë. “Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata” (Jobit 4:9)… “Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin” (Isaia 11:4). Kjo detyrë do të kryhet prej Zotit Jezus Krisht. “Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm” (Zbulesa 19:15). E kush mund t’i fshihet “zemërimit të Qengjit” (Zbulesa 6:16)?

Shkatërrimi i Antikrishtit ka për të ndodhur, sapo të vijë Krishti e ta themelojë mbretërinë e Tij mbi tokë. “Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij” (2 Timoteut 4:1). Veprat e Satanait do të shkatërrohen njëherë e përgjithmonë, prej dritës së shenjtë e të vërtetë të shfaqjes së Krishtit. “Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” (1 Gjonit 3:8).

Përfundim

Ka për të ndodhur më e keqja, para se të ndodhë më e mira. Mëkati dhe pasojat e tij do të vazhdojnë të përhapin errësirë në botë. Antikrishti do të vijë, pikërisht atëherë kur e ka caktuar Perëndia. Fryma e Shenjtë do të vazhdojë ta pengojë çdo lloj shfaqjeje të parakohëshme të “ paudhit“. Zoti Jezus Krisht do të merret Vetë me të gjitha këto, kur të kthehet, sepse vetëm Ai është Zot dhe Mbret. “Që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen” (1 Timoteut 6:15-16).

Mbrapa

Advertisements