Tau – Fjala triumfatore

Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate. Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua. Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua. Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im. Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua. Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.” (Psalmi 119:169-176).

Parathënie  

Ky pasazh i Psalmit 119-ë është një përmbledhje e gjithë psalmit. Autori nuk përmend vuajtjet e tij, apo ata që e persekutojnë. Përkundrazi, ai i ofron Perëndisë një këngë lavdërimi. Mendja i shkon tek fuqia e fjalës së Zotit. Dëshiron ta dijë se ç’thotë Bibla dhe vetëm Fryma e Shenjtë mund t’ia ndriçojë atij mendjen dhe t’i japë njohuri. Ka njerëz që e citojnë përmendësh Biblën, por, duke mos e vënë atë në praktikë në jetën e tyre të përditshme, nuk e lejojnë fuqinë e fjalës që t’iua transformojë jetën.

Lutja

Autori lutet për çlirim, duke iu referuar premtimeve të Zotit. Herë të tjera ai ka përmendur armiqtë e tij, të ligët dhe të pabesët, që donin ta shkatërronin. Por tani, në vend që ta lejojë vuajtjen që t’ia dobësojë besimin, ai merr vendim që të përhapë “lavde”. Me gojën e tij, ai deklaron hapur besimin që ka tek Perëndia. E shohim, pra, se autori nuk donte që të ishte një dishepull frikacak, apo një besimtar sekret, por një njeri që e hapte gojën për ta shpallur besimin e tij. “Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim, sepse Shkrimi thotë:“Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet” (Romakëve 10:10-11).

Fakti se ai ishte i përkushtuar për ta shpallur fjalën e Zotit, na tregon se ai donte t’iu fliste të tjerëve rreth asaj që kishte bërë Perëndia për të dhe sidomos rreth premtimeve të Tij. Drita që ai vetë kishte marrë prej Biblës, po ndriçonte në mes të errësirës. “Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë” (Luka 11:33). Autori kishte dëshirë t’iu mësonte të tjerëve urdhërimet e drejta të Zotit. Nuk do ta mbante gojën mbyllur, kur shikonte mëkatet në shoqëri. Përkundrazi, do t’iu tregonte mëkatarëve për të Vetmin Shpëtimtar, që mund t’i shpëtonte. Po ne, a duhet të pushojmë së shpalluri fjalën e Zotit, ngaqë djalli dhe pasuesit e tij nuk duan të na dëgjojnë? Pothuajse tërë njerëzimi nuk ka qejf ta dëgjojë se është në mëkat, por e vërteta qëndron këtu: Krishti është e vetmja mënyrë çlirimi.

Shpëtimi

Në  Bibël, “dora” e Perëndisë simbolizon fuqinë e Tij. Një shembull të kësaj fuqie e shohim tek mënyra sesi Zoti e çliroi popullin e Tij prej Egjiptit. “E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë” (Eksodi 15:6). Jozueu përdor të njëjtën shprehje për të përshkruar fitoren e Izraelitëve mbi Kananitët. “Me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj” (Jozueu 4:24). Autori i psalmit, pra, i lutet Zotit që të ndërhyjë dhe ta çlirojë prej vuajtjeve. Ai ka besim se Zoti do të veprojë, ngaqë e di se Zoti është i vërtetë dhe i mban premtimet që ka bërë në fjalën e Tij. Ai e di gjithashtu se Zoti është një Zot veprues. “Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti” (Eksodi 15:3)… “Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.” (Isaia 42:13). Ai është “i fuqishëm për të shpëtuar” (Isaia 63:1).

Autori e dëshiron një “shpëtim” (apo një çlirim) të tillë me gjithë shpirt. Ai pret me besim, i bindur se Zoti ka për ta mbajtur fjalën. Përsa kohë që ishte gjallë, ai do ta lavdëronte dhe do ta adhuronte Atë, që sundonte mbi gjithë njerëzimin. “Dekretet” e Perëndisë na janë dhënë, me qëllim që të na udhëheqin në jetë. Çdo hap i jetës sonë duhet të bëhet në përputhje me Biblën. Kur i besojmë Zotit, e shohim se bekimet e Tij na ngrenë lart. Kemi dy opcjone: ose ta ndjekim “ndihmën” që na jep Fryma e Shenjtë, ose të endemi “si një dele e humbur”. Ashtu si autori i psalmit, edhe ne le të lutemi që Zoti vazhdimisht të na “kërkojë” dhe të na mbrojë, duke na inkurajuar se Ai është një Perëndi që i mban premtimet e Veta. Në momentin kur marrim vendim për t’ia përkushtuar veten tonë urdhërimeve të Zotit, e shohim se premtimet e Tij bëhen realitet në jetën tonë. “Zoti të të bekojë dhe të të ruajë! Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty! Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!” (Numrave 6:24-26)… “Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe” (Zbulesa 3:10).

Përfundim

Psalmi 119-ë na ka mësuar se fjala e Perëndisë duhet të bëhet kënaqësia jonë, se duhet t’i bindemi asaj dhe se Zoti i bekon ata që e duan fjalën e Tij. Vuajtjet dhe persekutimi nuk janë kurrë larg fëmijës së Perëndisë, por, në vend që të ndihemi të mundur dhe të shkatërruar, le t’i zëmë besë Zotit. Autori i psalmit na ka thënë se Perëndia nuk është një Zot i largët, por Ai dëshiron të ketë një marrëdhënie të ngushtë personale me popullin e Tij. Ai është i interesuar në çdo aspekt të jetës sonë dhe ndërhyn për të na dhënë fitore mbi armikun. Fjala e Tij na shfaq vullnetin e Tij për jetën tonë. Ta ndjekësh Perëndinë nuk do të thotë të ndjekësh idetë e kësaj bote, por zbulesën hyjnore, d.m.th. të jetosh sipas asaj që është shkruar në Bibël. “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë” (Psalmi 119:89).

Mbrapa

Advertisements