Të ecurit me Krishtin

Të rriturit shpesh iu bëjnë pyetje fëmijëve: “Ç’do të bëhesh, kur të rritesh?” “Polic”, ose “mësues”, ose “doktor” – përgjigjen fëmijët. Secili prej nesh, para se ta mbaronte shkollën, kishte dëshirë të bëhej dikushi, por sa shpejt na u ndërrua mendja! Jeta jonë tani ndoshta është komplet ndryshe nga ç’e mendonim në fëmijëri. Në Dhiatën e Re, fjala “dishepull” i referohet dikujt, që ecën me Krishtin, që rritet dita-ditës me Të dhe që ka dëshirë të qëndrojë në prezencën e Tij. Perëndia dëshiron që ne të rritemi e të bëhemi të pjekur e të maturuar në Krishtin. Kjo nuk është diçka që ndodh automatikisht. Përkundrazi, pjekuria në Krishtin ka nevojë për ushqim dhe bindje shpirtërore.

Ecja fillon me të hedhurit e hapit të parë

Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të” (Kolosianëve 2:6).

Të ecurit me Krishtin e ka një fillim. Njerëzit fetarë kujtojnë se i përkasin Krishtit, ngaqë u pagëzuan si të krishterë në foshnjëri. Kujtojnë se kanë qenë gjithmonë të krishterë. Por Pali na thotë se njeriu duhet ta pranojë Krishtin, d.m.th. ai/ajo duhet të marrë vendim për t’u penduar dhe për ta ndjekur Atë. Është e pamundur që të lindësh i shpëtuar. Përkundrazi, shpëtimi vjen, kur e pranojmë Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, kur besojmë plotësisht në atë që Ai bëri për ne në kryq. “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12). Vetëm Perëndia na e jep këtë fuqi, për t’u bërë bijtë e Tij, nëpërnjet besimit në Jezusin. Nuk mund të ecim dot “në risinë e jetës”, nëse nuk kemi marrë në fillim shpëtimin (Romakëve 6:4).

Ecja nënkupton veprim

Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim” (Kolosianëve 2:6-7).

Ardhja tek Krishti për shpëtim është thjesht fillimi i udhëtimit tonë në rrugën e drejtësisë. Është e pamundur për të ecur pa patur energji. Na duhet ta vëmë trupin në punë, në mënyrë që të ecim. Në të njëjtën mënyrë, edhe besimtari duhet të jetojë në harmoni të vazhdueshme me Krishtin. Nëse e filluam udhëtimin tonë tek kryqi, atëherë duhet të vazhdojmë të ecim, duke e patur vazhdimisht kryqin në mendje. “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Mateu 16:24). Prandaj edhe Pali thotë se duhet të rrënjosemi, të ndërtohemi dhe të forcohemi në Zotin, ashtu si pema, që duhet të zërë rrënjë në fillim, para se të rritet. Askush nuk e sheh dot me sy sistemin rrënjor të pemëve, sesi rrënjët e mbështesin dhe e ushqejnë trungun, degët dhe gjethet. Por rrënjët e forcojnë pemën, me qëllim që t’iu rezistojë stuhive, ashtu si një ndërtesë, themelet e së cilës janë të forta e të sigurta. “Sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti” (1 Korintasve 3:11).  Çdo lloj themeli tjetër është i papranueshëm në sytë e Perëndisë. Ai e ngriti themelin e Besëlidhjes së Re në kryqin, ndaj edhe gjithçka tjetër është vepër e të çmendurve. “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh” (Mateu 7:24-27).

Si ndodh kjo rrënjosje dhe ky ndërtim? Duhet të jemi të gatshëm për të marrë mësim, nëse duam që të forcohemi dhe të sigurohemi në besim. Krishti na ka dhënë gjithçka që na nevojitet, për t’u forcuar fuqimisht në Të dhe për t’u rritur vazhdimisht. “Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit” (Efesianëve 4:11-12). Të ecurit në Krishtin tregon se jemi duke u rritur. Sepse ashtu siç na duhet të bëjmë ushtrime fizike për ta mbajtur trupin të shëndetshëm, ashtu na duhet për të qenë aktivë edhe në gjërat shpirtërore. “Sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë” (1 Timoteut 4:8).

Ecja sjell rezultate

Duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim” (Kolosianëve 2:7).

Rezultati, që vjen nga të ecurit me Krishtin, është fuqia e besimit tonë tek Ai. Kemi për të qëndruar të patundur në mes të stuhive të jetës. Një fryt tjetër i të ecurit me Krishtin është falenderimi – do të jemi vazhdimisht mirënjohës për gjithçka që Zoti ka bërë për ne. Tek Efesianëve 4:12-13 shohim edhe fryte të tjera, që dalin si rezultat i të ecurit me Krishtin. “Për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”. Kur ecim me Zotin, kemi për ta parë se dëshira jonë për ta ndjekur Atë, ka për t’u ‘kopjuar’ edhe prej të tjerëve. Ne do të bëhemi kështu bekim për të gjithë kishën. “Ky unitet i besimit” do të thotë se të gjithë besimtarët kanë të njëjtin besim tek puna e përfunduar e Krishtit në kryq. Sepse, si mund ta kemi “njohurinë e Birit të Perëndisë”, si mund të bëhemi “njerëz të përsosur” (ose të pjekur në Krishtin) dhe të arrijmë “në masën e shtatit të plotësisë së Tij”, nëse nuk kemi një besim të tillë? E si është e mundur të jesh “i forcuar në besim”, nëse e hedh poshtë të vërtetën?

Përfundim

Duhet t’i bëjmë pyetje vetes: “A kemi udhëtuar goxha në rrugën e drejtësisë, apo kemi mbetur në vend-numëro, ose në të njëjtin pozicjon, ku u ndodhëm, kur e pranuam fillimisht Krishtin në zemër? A jemi më të pjekur e më të matur shpirtërisht sivjet, sesa ç’ishim vitin e kaluar?” Pa dyshim, që të gjithë hasemi me pengesa gjatë rrugës, por a po avancojmë, apo po kthehemi mbrapsht? A po rritemi? Dita kur e pranuam Krishtin si Shpëtimtar, ishte thjesht fillimi, thjesht hapi i parë në udhëtimin tonë të besimit. Që prej asaj dite, duhet të jemi rritur edhe më shumë në Të. E si është e mundur të ecësh me Krishtin e të mos rritesh? “Ju pra, shumë të dashur, duke i ditur këto gjëra, ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve. Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen” (2 Pjetrit 3:17-18). Satanai e ka kollaj, për ta çuar në rrugë të gabuar madje edhe besimtarin më të pjekur, sytë e të cilit nuk janë të përqëndruar tek Krishti. Ata që ecin me Krishtin, nuk kanë për t’u rrëzuar, por kanë për t’u rritur në hirin e Perëndisë. Të ecësh me Krishtin do të thotë ta vësh tërë besimin tënd tek Ai.  

Mbrapa