Të mos ju prishet mendja

“Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të, të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit” (2 Thesalonikasve 2:1-2).

Parathënie

Gjatë viteve të fundit, ka patur shumë doktrina të rreme, të cilat iua kanë prishur mendjen shumë besimtarëve në mbarë botën. Shumica e këtyre besimtarëve nuk janë çliruar dot kurrë prej kurtheve të tilla shpirtërore. Mësimet e rreme shkaktojnë konfuzion. E njëjta gjë ndodhi edhe në kohën e Palit. Të krishterëve thesalonikas iu ishte thënë të besonin se persekucioni dhe vuajtjet, që po kalonin, ishin provë se Rrëmbimi i Kishës në Qiell prej Krishtit kishte kohë që kishte ndodhur dhe se ata kishin mbetur mbrapa, në tokë, për të përjetuar zemërimin e Perëndisë. Një gënjeshtër e tillë e kishte lëkundur tej mase besimin e tyre.

Mësimi i rremë

Besimtarëve thesalonikas iu duhej ta shtjellonin vetë mirë këtë çështje. Po qe se Krishti kishte ardhur vërtet dhe ata kishin mbetur mbrapa (d.m.th. nuk ishin rrëmbyer në Qiell prej Tij), atëherë edhe vetë ata që po thoshin teorira të tilla, kishin mbetur gjithashtu mbrapa. Në vargjet në hyrje të këtij studimi, Pali na e bën të qartë se Ardhja e Krishtit dhe Rrëmbimi i Kishës janë dy ngjarje, që i përkasin së ardhmes, jo së shkuarës. Ashtu si shumë besimtarë të periudhës së tij, edhe Gjon Uesli besonte në Rrëmbimin e Kishës. Ja, se ç’shkruan ai vetë, lidhur me vargun e mësipërm: “Tubimin (ose rrëmbimin) tonë në Të (ose prej Tij) – në retë”. Prandaj, pra, doktrina e Rrëmbimit të Kishës nuk është produkt i Gjon Darbit, apo Meri MakDonaldit në shekullin e 19-ë, siç sugjerojnë disa komentatorë të Biblës.

Pali i quan besimtarët thesalonikas “vëllezër”, për të treguar se, pavarësisht se ç’po thonin mësuesit e rremë, ata i përkisnin me të vërtetë Krishtit dhe se ai, Pali vetë, ishte gjithashtu vëllai i tyre në Zotin. Zoti nuk do t’i lërë mbrapa ata, që i përkasin Atij, por do t’i rrëmbejë e do t’i çojë në praninë e Tij. Ata do të qëndrojnë përpara Gjykatës së Krishtit. “Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit” (Romakëve 14:10)… “Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të, sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti. Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit” (1 Korintasve 3:10-15)… “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10). Kjo nuk ka ndodhur akoma, gjë që vërteton se Krishti nuk ka ardhur.

Të mos ju prishet shpejt mendja

Është për të të ardhur keq, kur shikon njerëz, mendjet e të cilëve janë të trazuara e të turbulluara prej doktrinave të rreme, në një kohë që kanë se kujt t’i drejtohen – fjalës së Perëndisë. Njerëzve të tillë, të cilët nuk e lexojnë shumë Biblën, iu prishet shpejt mendja prej mësimeve të rreme. “Çuditem që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër” (Galatasve 1:6)… “Që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit” (Efesianëve 4:14). Ka mundësi që emrat e këtyre mësuesve të rremë, që po e trazonin kishën thesalonikase, të na jepen tek 2 Timoteut 2:16-18, “Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi, dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti, të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave“.

Është për të të ardhur keq, gjithashtu, kur e sheh se sa shpejt e harrojnë njerëzit mësimin e mirë, që kanë marrë dikur. Besimtarët thesalonikas i harruan shumë shpejt ato, që iu kishte mësuar Pali, lidhur me çështjen e Ardhjes së Krishtit: “Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës” (1 Thesalonikasve 5:4). Është shkurajim dhe dëshpërim i madh për një pastor, kur i sheh besimtarët tek bien pre e gënjeshtrave, edhe pse e kanë dëgjuar më parë të vërtetën. “A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?” (2 Thesalonikasve 2:5).

Letra

Nuk e dimë me saktësi burimin e doktrinave të rreme në Thesalonik. Ka mundësi që shprehja “prej fryme” t’i referohet ndonjë lloj profecie të rreme. “Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë” (1 Gjonit 4:1). Ka mundësi, gjithashtu, që shprehja “prej fjale” t’i referohet faktit se mësuesit e rremë kishin arritur të binin në kontakt të drejtpërdrejtë me besimtarët, duke iu thënë atyre se po flisnin në vend të Krishtit. Për shkak të asaj që na thotë Pali në këto vargje, ka të ngjarë që ai të mos e dinte se sa ndikim kishin patur mësuesit e rremë mbi këta besimtarë. E megjithatë, duket sikur ata kishin marrë një letër fallco, gjoja të shkruar prej Palit, sepse ai e thekson tek 2 Thesalonikasve 3:17 se letra që po shkruante, ishte origjinale, d.m.th. e shkruar me dorën e tij: “Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu“. 

Përfundim

Ka nga ata, që thonë se pak rëndësi ka se ç’besojmë lidhur me Ardhjen e Dytë të Krishtit, duke përfshirë këtu edhe Rrëmbimin e Kishës. Pali nuk do ta kishte pranuar kurrë një lloj arsyetimi të tillë. Për të, kjo ishte një çështje serioze dhe e tillë duhet të jetë edhe për ne. Mund të kemi pikëpamje të ndryshme, lidhur me kohën, kur do të ndodhin ngjarjet e Ditëve të Fundit, por, kur vjen puna tek Ardhja e Krishtit, nuk mund të biem dakort me ata, që thonë se Zoti ka kohë që ka ardhur, apo me ata, që thonë se Ai nuk do të vijë kurrë për t’i rrëmbyer të vetët për në Qiell.

Mbrapa

Advertisements