Të ndezur flakë!

“Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia” (2 Timoteut 1:6).

Parathënie

Folja “zgjoj” në tekstin e mësipërm ka kuptimin “t’i frysh zjarrit”. Pra, si besimtarë që jemi, duhet të jemi të ndezur flakë, kur vjen puna për dhuntitë shpirtërore, që na ka dhënë Perëndia. Nuk ka absolutisht asnjë arsye pse t’i lejojmë dhuntitë shpirtërore që të na mbeten të fjetura në jetën tonë. Përkundrazi, duhet t’i përdorim vazhdimisht dhunti të tilla, të cilat na janë dhënë, me qëllim që të jemi të ndezur flakë për Zotin, që të jetojmë për Të dhe që t’iu tregojmë të tjerëve rreth Tij.

Neglizhimi i dhuratave

Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë” (1 Timoteut 4:14).

Pse nuk i dëshirojmë më dhuntitë? Ndoshta ngaqë nuk jemi dakort me veprimet dhe sjelljen e disa pastorëve të ndryshëm pentakostalë. Por, a nuk i bëhet, vallë, kështu qejfi edhe djallit? Ai nuk do që besimtarët e vërtetë t’i shijojnë bekimet e Frymës, sepse kështu ata bëhen edhe më të fuqishëm. Është me rëndësi për t’u theksuar fakti se dhuntitë nuk janë thjesht dhuntitë e Frymës së Shenjtë. Bibla bën fjalë për tre tipe dhuntish: 1) dhunti shpirtërore – “Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 Korintasve 12:8-11); 2) dhunti shërbimi – “Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim” (Romakëve 12:6-8); 3) dhunti mësimi – “Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:11-13).

Pali i inkurajon besimtarët, që të mos “e lënë pas dore” atë që kanë marrë. Kjo do të thotë se ai pret që ata të reagojnë pozitivisht ndaj një këshille të tillë. E shohim, pra, se dhuntitë, cilatdo qofshin ato, duhen “zgjuar”, me qëllim që të jenë të fuqishme në jetën tonë. Kjo do të thotë se ne vetë duhet të jemi vigjilentë e syhapur, jo të fjetur, sepse është e lehtë t’i neglizhosh dhunti të tilla, në vend që t’i përdorësh ato. “Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë” (1 Pjetrit 4:10). Fjala “gjithsecili” përfshin cilindo, që i përket Krishtit. Prandaj, pra, kur nuk i përdorim dhuntitë, nuk i shërbejmë Perëndisë ashtu siç duhet.

Dëshirimi i dhuntive     

“Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira” (1 Korintasve 12:31)… “Lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore” (1 Korintasve 14:1).

Është për të të ardhur keq, kur e shohim se sa shumë rëndësi iu kushtojmë gjërave që na interesojnë! Harxhojmë aq shumë kohë e para për gjërat e kësaj bote, por iu kushtojmë shumë pak rëndësi gjërave shpirtërore. Vini re se si Pali përdor fjalën “lypni” ose “lakmoni”, për të përshkruar dëshirën e zjarrtë, që duhet të kemi për dhuntitë shpirtërore. Urdhërimi i dhjetë thotë: “Nuk do të dëshirosh” (Eksodi 20:17). Apostulli Pal, pra, përdor këtu një fjalë me shumë peshë! Fatkeqësisht, ne dëshirojmë dhe lakmojmë ato gjëra që s’duhen, në vend që të lakmojmë ato që duhen! Nuk jemi të vlefshëm as për Zotin, as për kishën e Tij, nëse nuk i kërkojmë me zemër të zjarrtë dhuntitë shpirtërore. “Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t’i keni të bollshme për ndërtimin e kishës” (1 Korintasve 14:12). Kush po shkëlqen sot në dhuntitë e Perëndisë?

Ka nga ata, që mund të thonë se përdorimi i dhuntive të tilla mund t’ia rrisë mendjen besimtarit. Kjo është e vërtetë, por fakti se disa mund t’i përdorin dhuntitë që iu ka dhënë Perëndia, me qëllim që t’ia vjedhin lavdinë Atij, nuk do të thotë se këto dhunti nuk duhen përdorur fare nga frika se mos ia vjedhim lavdinë Zotit! Perëndinë e nderojmë gjithmonë, nëse “ecim në Frymë”, jo duke ia përmbushur dëshirat mishit (Galatasve 5:16). Nëse ecim vërtet në Frymë, atëherë do ta shohim se dëshira për gjërat shpirtërore do të na jetë më e madhe sesa dëshira mishore. Le të mos e harrojmë faktin se dëshira që kemi, për t’u përdorur prej Zotit, është e lidhur ngushtë me besimin që kemi tek Ai. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6).

T’i kërkosh me zemër të zjarrtë dhuntitë është njëlloj sikur të kesh etje të tmerrshme për një gotë ujë në një ditë të nxehtë vere. Njeriu, që po vdes nga etja në shkretëtirë, e ka mendjen vetëm tek uji! “Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë”. Por këtë ai e tha për Frymën” (Gjoni 7:37-39). Po ne, a jemi aq të etur? A dëshirojmë që të jemi vërtet të mbushur “me Frymë” (Efesianëve 5:18)?

 Përfundim

Fakti qëndron këtu: Zoti është gati të na i japë dhuntitë, por a jemi gati ne t’i pranojmë ato? Ndoshta e dimë se Perëndia na ka dhënë një dhunti të caktuar, për ta përdorur për lavdinë e Tij, por e kemi lënë pas dore një dhunti të tillë. Një gjë e tillë nuk është vetëm neglizhim, por mëkat. “Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16-17). Plani i Perëndisë nuk ka qenë kurrë që kisha e Tij të fshihej pas shkurreve, por përkundrazi, që ajo të ngrihej lart, duke ndriçuar me dritën e lavdisë së Tij. Nëse i lëmë pas dore dhuntitë, duke i fshehur ato në errësirë, atëherë si kemi për ta kryer detyrën, që na ka caktuar Zoti? “Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar. Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen” (Marku 16:15-18).

Mbrapa