Të Qënit Esëll

“Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit” (1 Thesalonikasve 5:8).

Parathënie

Bibla Studimore e Gjenevës e përmbledh kështu vargun e mësipërm: “Duhet të luftojmë me besim dhe shpresë dhe, për këtë arsye, nuk duhet të biem në gjumë”. Fjala “esëll” do të thotë “vigjilent”. Të qënit esëll është e kundërta e të qënit shpirtërisht i dehur, si ata që, nga njëra anë jetojnë në errësirë, e nga ana tjetër thonë se janë fëmijë të dritës. Pali na inkurajon që të jemi vigjilentë, syhapur e t’i kushtojmë vëmendje mënyrës sesi sillemi në këtë botë mëkatare. Fjala “esëll” ka të bëjë me mospirjen e verës apo pijeve të tjera alkolike, por, nga ana shpirtërore, të qënit esëll do të thotë ta ruash veten nga gjithçka, që mund ta shkatërrojë, apo ta dobësojë besimin tënd në Krishtin. “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22).

Esëll

Tek 1 Thesalonikasve 5:6, Pali shkruan: “Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll“. Vetëm ushtari që është esëll, është i përgatitur siç duhet për fushën e betejës. Në të njëjtën mënyrë, besimtarët e vërtetë nuk mund ta mposhtin armikun e shpirtit të tyre, po qe se ia bëjnë qejfin atij: “Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar” (2 Timoteut 2:4)… “Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit. Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:13-16). Pali përdor vargun e Isaias 59:17, për të na përshkruar dy pjesët e armaturës sonë shpirtërore. “Ai u vesh me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel“. Po ky varg mund të jetë baza e Efesianëve 6:10-18, “Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore. Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë. Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë, dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes, mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët“.

Parzmorja dhe përkrenarja

Në Dhiatën e Vjetër, parzmorja e Kryepriftit kishte dymbëdhjetë gurë të çmuar të ngulur (të fiksuar) në të, kurse parzmores sonë i nevojiten vetëm dy: besimi dhe dashuria. Në jetën e krishterë, besimi dhe dashuria janë të pandashme. “Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus” (2 Timoteut 1:13). Pikërisht në themelin e besimit dhe të dashurisë bazohet edhe siguria jonë në Zotin. Një shpresë e tillë ka besim në plotësimin e shpëtimit, d.m.th. në jetën e përjetshme në praninë e Zotit Jezus Krisht, pas mbarimit të kësaj jete në tokë. Besimin e kemi në zemër. Dashuria është vënia në praktikë e atij besimi. “Sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie” (Galatasve 5:6). Nuk kemi shpresë e siguri shpëtimi, nëse nuk kemi besim dhe dashuri.

Kët tre gjëra (besimi, dashuria dhe shpresa) janë pjesë përbërëse e të qënit esëll, vigjilent dhe syhapur. Në librin e tij “Progresi i Pelegrinit”, Gjon Bunjan tregon se si I Krishteri (karakteri kryesor i librit) iu afrua tre burrave, që “po flinin, me këmbët e lidhura me zinxhirë. Emri i të parit ishte Budalla, i të dytit Përtac dhe i të tretit Supozim. I Krishteri u përpoq t’i zgjonte ata nga gjumi, duke i paralajmëruar për shkatërrimin që po afrohej, por ata vetëm donin të flinin. Budallai tha: “Nuk shoh ndonjë rrezik”. Përtaci tha: “Hë, të fle edhe pak!”. Kurse Supozimi tha: “‘Gjithsekush i di vetë punët e tij”. Pastaj, që të tre burrat, u kthyen nga ana tjetër, dhe ranë përsëri në gjumë. Fatkeqësisht, e tillë është edhe gjendja e shumë besimtarëve në kishat e sotme.

Përfundim                      

Parzmorja dhe përkrenarja mbrojnë dy pjesë kryesore të trupit: zemrën dhe kokën. Autori Edmunds ka thënë: “Kur zemra dhe koka janë në rregull, atëherë tërë njeriu është në rregull”. Zemra duhet të ruhet e pastër prej mëkatit, kurse koka duhet të ruhet e kthjellët, pa mësime të rreme. Nuk mund të dalim dot fitimtar në betejat tona shpirtërore, po qe se nuk kemi besim, dashuri dhe siguri shpëtimi. “Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës” (Romakëve 13:12)… “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:42-44).

Mbrapa

Advertisements