Të zgjedhur prej Perëndisë

“Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën; tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.” (2 Thesalonikasve 2:13-14).

Parathënie

Ia vlen për ta theksuar përdorimin e fjalës “por“, e cila e lidh këtë pasazh me vargjet e mëparshme. Pali u përpoq për t’iua larguar besimtarëve thesalonikas frikën që kishin, duke kujtuar se Krishti kishte ardhur e i kishte lënë pas, pa i marrë në Qiell. Apostulli iu shkroi atyre rreth ditëve të fundit të botës. Por tani, në këtë pasazh, ai i inkurajon këta besimtarë, duke iu thënë se, n.q.s. besojnë në Krishtin, ata janë vërtet të shpëtuar.

Vëllezër të dashur

Apostulli Pal e kishte për detyrë ta falenderonte Perëndinë për vëllezërit e tij të dashur në Thesalonik. Ky fakt na tregon se ai nuk kishte pikë dyshimi se besimtarët që po vuanin e që po persekutoheshin, ishin me të vërtetë të krishterë. Ai përsërit atë, që kishte shkruar në vargjet e para të letrës së tij: “Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër” (2 Thesalonikasve 1:3). Këta besimtarë duheshin jo vetëm prej Palit, por, siç na e shpjegon edhe vargu, duheshin sidomos prej vetë Perëndisë.

Të zgjedhur që në fillim

Perëndia i kishte zgjedhur e i kishte shpëtuar. Që nga momenti, që e kishin pranuar Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, ata ishin gati për të marrë pjesë në lavdinë e Tij. Po qe se i kishte zgjedhur Perëndia dhe ata vetë kishin marrë vendim për ta ndjekur Krishtin, atëherë s’kishin arsye pse të frikësoheshin e të merakoseshin, nëse ishin apo jo me të vërtetë të shpëtuar. Ai, që i kishte zgjedhur që në fillim, do t’i ruante deri në fund. Nëpërmjet këtyre vargjeve, e shohim gjithashtu se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë të tre të përfshirë në shpëtimin e njeriut.

Ç’do të thotë Pali me shprehjen “që në fillim“? Ka nga ata, që thonë se ai po i referohej pikëpamjes Kalviniste të zgjedhjes dhe të paracaktimit, d.m.th. se Perëndia zgjodhi se kush do të besonte në Krishtin, para se ta krijonte universin. Ka shumë të ngjarë, që ai ta ketë patur fjalën për ditën, kur këta besimtarë u ballafaquan për herë të parë me ungjillin e Krishtit. Lidhur me këtë varg, Gjon Uesli thotë kështu: “Me të dëgjuar ungjillin. Të zgjedhur për shpëtim – Të marrë nga bota dhe të vendosur në rrugën drejt lavdisë”. Kjo shprehje gjen po të njëjtin përdorim edhe në vargje të tjera të Dhiatës së Re: “Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës” (Luka 1:1-2)… “Por janë disa midis jush që nuk besojnë”; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte” (Gjoni 6:64)… “Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi” (Gjoni 15:27). Prandaj, pra, vargu i 2 Thesalonikasve 2:13  nuk duhet të përdoret për të argumentuar nëse Perëndia i ka paracaktuar apo jo ata, që do të shpëtohen e ata, që do të mallkohen.

Shpëtimi ka të bëjë me tre aspekte. Së pari, duhet të ketë një fillim dhe ky fillim fillon atëherë, kur njeriu e pranon se fjala e Perëndisë rreth Krishtit është e vërteta. “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh…Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Romakëve 10:9, 13). Shpëtimi është progresiv, d.m.th. ne rritemi në Krishtin. “Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi (ose siç thuhet në greqisht, “që jemi duke u shpëtuar”) është fuqia e Perëndisë” (1 Korintasve 1:18). Shpëtimi, gjithashtu, duhet të ketë një fund. “Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam” (Romakëve 13:11)… “Ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë” (Mateu 10:22). Vetë Pali, tek 1 Thesalonikasve 1:6-10 na e bën të qartë se ai e ka fjalën për ditën, kur këta besimtarë e pranuan Krishtin: “Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë, për t’u bërë kështu shëmbull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë. Në fakt prej jush jehoi fjala e Perëndisë jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend u përhap besimi juaj tek Perëndia, sa që ne s’kemi nevojë të themi ndonjë gjë, sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë, dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen“.   

Shenjtërimi i Frymës

Njeriu nuk mund të shpëtohet, pa u shenjtëruar prej Frymës së Shenjtë. Por duhet ta pranojnë se Ai vepron aty, ku besimi është ngulitur thellë në themelin e fjalës së predikuar. “Që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve” (Veprat e Apostujve 26:18)… “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë, që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:5-7)… “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit” (Romakëve 1:16-17). Kjo vepër shenjtëruese e Frymës së Shenjtë fillon në momentin, kur mëkatari beson në Krishtin, sepse “shenjtërimi i Frymës” është i pandarë prej “besimit në të vërtetën“.

Përfundim

Pali e falenderon Perëndinë për shpëtimin e besimtarëve thesalonikas dhe, pak a shumë, ai i inkurajon ata që të veprojnë në të njëjtën mënyrë edhe vetë. Këta besimtarë, në vend që të shqetësoheshin për ato, që po thoshnin mësuesit e rremë, duhej ta përqëndronin vëmendjen tek ajo, që kishte bërë, po bënte e që do të bënte Krishti për ta.

Mbrapa

Advertisements