Të Zgjedhurit dhe Shpëtimi Ynë

“Duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj, sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj.” (1 Thesalonikasve 1:4-5).

Parathënie

Tema e të zgjedhurit është një nga çështjet, që e ka përçarë kishën. Koncepti i të zgjedhurit jepet qartë në Bibël, por, fatkeqësisht, ky koncept është shtrembëruar nga ata, që e bazojnë arsyetimin e tyre tek idetë e Shën Agustinit. Ka nga ata, që e ngrenë këtë temë në piedestal, duke hedhur poshtë kështu vullnetin dhe përgjegjësinë njerëzore.

Të Zgjedhurit

Ja, se si e përkufizon Pali bazën e të zgjedhurit tonë tek Romakëve 8:29-30, “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi”. Perëndia nuk na thirri pranë Vetes, me qëllim që ta lartësonim veten tonë para Tij, por me qëllim që të bëheshim të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Krishtit. Këtë funksion kryen edhe të zgjedhurit. Në këtë varg, “të gjithë të krishterët janë ‘të zgjedhurit’, ose me fjalë të tjera, ‘Duke ditur se tashmë ju jeni bërë të krishterë’” (Marrë nga versioni i Biblës me titull: Dhiata e Re e Popullit).

A i ka paracaktuar me kohë Perëndia si ata, që do të shpëtoheshin, ashtu edhe ata, që do të ishin përgjithmonë të humbur? Nëse po, atëherë është e kotë t’i bindemi Mandatit të Madh, tek Mateu 28:18-20. Nëse njerëzve nuk iu jepet mundësia për ta marrë vetë vendimin ose për ta pranuar, ose për ta mohuar Krishtin, atëherë është humbje kohe t’iu thuash mëkatarëve që të pendohen. Bibla na thotë se “ecim nëpërmjet besimit”, jo sipas fatit (2 Korintasve 5:7).

Vullneti i lirë

Nëse njeriu nuk ushtron dot vullnet të lirë, atëherë shpëtimi nuk është një vendim i marrë prej mëkatarit, por një vendim i marrë prej Perëndisë. Ka teologë, që sugjerojnë se, që nga momenti i lindjes, njeriu udhëton në një rrugë të paracaktuar, e cila do ta çojë atë ose në Parajsë, ose në Ferr, d.m.th. ca njerëz janë zgjedhur për t’u shpëtuar, kurse të tjerët janë zgjedhur për t’u mallkuar. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë mund të nxjerrim si konkluzion se është Perëndia Ai, që nuk i ka dhënë njeriut vullnet të lirë. E nëse njeriu nuk ushtron dot vullnet të lirë, por, thjesht, jeton atë jetë, që ia ka paracaktuar Perëndia, atëherë me ç’arsye mund të gjykohet ai për mëkatet e tij dhe të dërgohet në Ferr? A nuk do të thotë kjo se Perëndia është fajtor për një krim të tillë? Por, në fakt, Perëndia “i urdhëron të gjithë njerëzit kudo që të pendohen” (Veprat e Apostujve 17:30). Nëse, me të vërtetë, Ai i kishte paracaktuar fatet e njerëzve, atëherë pse lodhej kot që t’i urdhëronte ata kudo që të pendoheshin? Këtu, pra, qëndron problemi, për të gjithë ata, që e mohojnë konceptin e vullnetit të lirë, sepse, nëse Perëndia “jep urdhër” dhe njeriu nuk pendohet, a do të thotë kjo se sovranitetit të Perëndisë i është ulur vlera? Është më mirë që ta pranojmë se Perëndia, sipas vullnetit të Tij sovran, i ka dhënë njeriut vullnet të lirë ose për ta pranuar, ose për ta mohuar Krishtin.

Shpëtimi

Në Thesaloniki, ata mëkatarë, që iu përgjigjën predikimit të Palit, Silës dhe Timoteut, e pranuan Krishtin si Shpëtimtar. Shpëtimi i tyre erdhi si rezultat i dëgjimit të të predikuarit të fjalës së vërtetë prej atyre, që iu bindën Perëndisë. Secili prej këtyre mëkatarëve mori vetë vendimin për t’u penduar dhe për t’u kthyer tek Perëndia. Mesazhi i shpëtimit nuk pranohet prej robotave, por prej atyre që besojnë. Të besuarit është një akt i vullnetshëm: “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun” (Romakëve 1:16). Perëndia mund ta përdorë Lajmin e Mirë, kur ne iua mësojmë dhe iua predikojmë atë të tjerëve, me qëllim që edhe zemra më e ngurtë të zbutet para Tij.

Ata, që iu mësuan për herë të parë thesalonikasve fjalën e Perëndisë, ishin të bindur se fuqia e Frymës së Shenjtë mund t’i transformonte jetët njerëzore dhe ta shpengonte botën. Këtë fakt duhet ta dijë çdo besimtar: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16) dhe Krishti “erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15). E kemi për detyrë që të shkojmë “në mbarë botën” dhe t’i predikojmë “ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15), sepse vetë Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). Jo se Perëndia nuk do që t’i shpëtojë njerëzit, por se shumica e njerëzve nuk duan që të pendohen dhe ne, si besimtarë, shpeshherë nuk duam që t’iua predikojmë atyre ungjillin: “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14).            

Përfundim

Biem në kurthin e rrezikshëm të teologjisë, atëherë kur nuk e kemi të qartë arsyen e të zgjedhurit tonë. Të shumtë janë ata, që kanë rënë në këtë kurth dhe nuk kanë arritur kurrë për ta kuptuar lavdinë e mrekullueshme të dhuratës së shpëtimit: “Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme” (1 Pjetrit 1:8). 

Mbrapa

Advertisements