Tethi – Fjala e çmuar

Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate. Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua. Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde. Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua. Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër. Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd. Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.” (Psalmi 119:65-72).

Parathënie  

Gjatë gjithë këtij psalmi, autori i referohet si konfliktit personal të tijit, ashtu edhe konfliktit kombëtar. Këto konflikte janë konflikte shpirtërore. Besimi i autorit tek autoriteti i fjalës së Perëndisë shtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që ai lufton me “kryelartët”.

Të mirat

Autori e hap këtë pasazh të psalmit me fjalë lavdërimi drejtuar Zotit. E pranon se Zoti i ka “bërë të mira”. Po ne, a e vëmë re këtë fakt në jetën tonë, sidomos kur ballafaqohemi me vështirësi e probleme? Duhet ta përqëndrojmë, pra, vëmendjen jo tek dilemat tona personale, por tek gjërat e mira që po bën Zoti në jetën tonë, sepse kështu na rritet edhe më shumë besimi. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Perëndia ynë i është gjithmonë besnik fjalës së Tij!

Autori, ngaqë e sheh mirësinë e Zotit të shfaqur hapur në jetën e vet, lutet për gjykim dhe njohuri. “Gjykimi” këtu ka të bëjë me mençurinë, kurse “njohuria” me veprimet e perëndishme në çdo situatë. Si gjykimi, ashtu edhe njohuria vijnë si rezultat i besimit tek fjala e Perëndisë. Por autori nuk i kërkon Zotit thjesht një njohuri fetare. Përkundrazi, ai do që ta vërë çdo ditë në praktikë atë që mëson prej Tij. “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten” (Jakobi 1:22). Besimtarëve sot iu thuhet se jeta e krishterë është pa probleme dhe se vështirësitë apo vuajtjet vijnë prej djallit. Kjo nuk është e vërtetë. Djalli nuk e “pikëlloi” autorin e psalmit, me qëllim që ta kthente atë drejt Zotit dhe drejt fjalës së Tij. Ishte Zoti Ai Vetë, që e planifikoi një pikëllim të tillë, me qëllim që autori të përqëndrohej përsëri tek Zoti. Autori e pranon se gjithçka që bën Perëndia, është “e mirë”. Ai e lejon vuajtjen, me qëllim që ajo të prodhojë mirësi tek ne. Gjithçka që bën Zoti, është akt dashurie. “Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij” (Hebrenjve 12:11). Kur i kujtojmë gabimet e së kaluarës, jemi më në gjendje për të mos i përsëritur më ato në të ardhmen. Nganjëherë, Zotit i duhet që të na e përulë zemrën tonë rebele, para se ne të bëhemi gati për ta dëgjuar zërin e Tij.

Dhjami

Çdo ditë ballafaqohemi me “kryelartët”. Këta janë “të pamendët”, që thonë se “nuk ka Perëndi” (Psalmi 14:1). Njerëz të tillë kënaqen, kur na persekutojnë për shkak të besimit tonë tek Zoti. “Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua” (Psalmi 140:5). Ndoshta autori e ka fjalën këtu për farefisin e vet, apo për miqtë e shokët, që e tallin atë, ngaqë ai është i përkushtuar ndaj urdhërimeve të Zotit. Njerëz të tillë ishin gënjeshtarë dhe donin t’ia shkatërronin besimin autorit, por ai vetë ka marrë vendim, që të mos i lejojë ata që të korrin fitore mbi të. Në situata të tilla, zemra e tij i bindet edhe më shumë fjalës së Perëndisë.

Na thuhet se kryelartët e kishin zemrën si “dhjami”. E kishin bërë lëmsh jetën e tyre dhe tani donin që t’ia shkatërronin edhe autorit jetën e tij. Ishin si “dhjami”, d.m.th. ishin të pastabilizuar, gjithnjë në lëvizje, gjithnjë duke rrëshqitur. Standartet e tyre morale nuk ishin absolute, por ndryshonin me kohën. Zemrën e kishin të ngurtë dhe të ashpër. Tek Psalmi 17:10, Davidi na flet rreth atyre, që flisnin me mendjemadhësi kundra të drejtit. “Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë”. Njerëz të tillë kënaqen me mëkatin dhe mund të duken sikur kanë begati, por Zoti i sheh. “Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve” (Fjalët e Urta 15:25). Autori i dinte këto gjëra, ndaj edhe e përqëndroi vëmendjen tek Zoti, jo tek fjalët gënjeshtare të kryelartëve. “Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij” (Psalmi 37:7 Autori vërtet që vuajti e u pikëllua, por ishte i kënaqur që një vuajtje dhe një pikëllim i tillë e afroi atë edhe më shumë pranë Zotit. 

Ari

Shumica e besimtarëve të sotshëm kujtojnë se bekimet e Perëndisë janë prej “ari dhe argjendi” dhe se Perëndia i begaton dhe i pasuron të tijët, por Bibla nuk thotë kështu. “Debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre. Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka” (1 Timoteut 6:5-6). Është e vërtetë se “Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19). Por Ai nuk plotëson të gjitha lakmitë tona! Thesari ynë është në Qiell, jo në tokë. “Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin” (Mateu 6:19). Autori e gjeti thesarin e tij tek fjala e Perëndisë. Ndoshta kryelartët dhe njerëzit me zemër prej dhjami po e tundonin, duke i thënë që të bashkohej me ta dhe të kënaqej me pasuritë e kësaj bote, por ai zgjodhi vendin, ku ndodheshin kënaqësitë më të mira.           

Përfundim

Në këtë pjesë të psalmi 119-ë shohim një njeri, që ndoshta kishte mëkatuar për një farë kohe, por që tani e dinte se kujt duhej t’i zinte besë. Ia kishte përkushtuar veten shërbesës së Perëndisë, pavarësisht nga tundimet dhe vështirësitë që po kalonte. E dinte se Ai, të Cilit i kishte besuar, do të rronte përgjithmonë. Për të, fjala e Perëndisë ishte më e çmuar sesa gjithë pasuritë e botës. Po ti, çfarë dëshiron më shumë: një trashëgimi të madhe, apo pasuritë e Mbretërisë së Krishtit? “Janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet” (Psalmi 19:10).  

Mbrapa

Advertisements