Thirrja e lartë

“Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti. Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus. Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë. Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje” (Filipianëve 3:8-11).

Parathënie

Kjo temë është njëra nga temat më të keqkuptuara dhe më të abuzuara të Palit si autor. Shumica e besimtarëve të sotshëm kujtojnë se s’kanë nevojë të rendin drejt përsosshmërisë shpirtërore, ngaqë besojnë se Zoti i ka bërë me kohë aq të përsosur sa ç’kanë për të qenë ndonjëherë në këtë botë. Por jeta e këtyre besimtarëve na lë të dyshojmë rreth një përsoshmërie të tillë. Edhe në kohën e Palit, kishte njerëz, që kujtonin se ai po thoshte se ishte i përsosur, por, siç e vëmë re qartë edhe nga teksti i mësipërm, Pali na dëshmon komplet të kundërtën. E megjithatë, ai na mëson se Perëndia e “zë” besimtarin për një qëllim të lartë e të lavdishëm, d.m.th. për ta bërë atë të përsosur në Krishtin. Ndoshta vizjoni që kishte parë dikur, e kishte frymëzuar Palin për të patur një qëllim edhe më të lartë (shiko 2 Korintasve 12:4). Ai kishte marrë vendim për të përparuar lart e më lart, derisa të arrinte deri aty, sa ta shihte ballë për ballë Zotin.

Asnjëri prej nesh nuk është shpirtërisht i përsosur e megjithatë, jemi thirrur drejt përsosshmërisë. Vërtet që nuk jemi të përsosur as nga ana fizike, as nga ajo mendore, por kjo nuk na ndalon që ta përmirësojmë veten, nëpërmjet ushtrimeve fizike, apo nëpërmjet shkollimit. Duhet ta ndjekim Krishtin me besnikëri, nëse kemi si synim përsoshmërinë shpirtërore. Në të njëjtën kohë, të gjithë besimtarët e vërtetë e kuptojnë se janë shpirtërisht të papërsosur. “Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj” (Romakëve 7:18-19).

U zura

Pali kishte dëshirë ta ndiqte Krishtin vazhdimisht nga afër. Nuk besonte në idenë e përsosshmërisë së menjëhershme, por në faktin se të krishterët duhet të rriten shpirtërisht, ndërkohë që jetojnë çdo ditë për Zotin. Fjala “rend” ka kuptimin “t’i shkosh pas”. E njëjta fjalë, me po të njëjtin kuptim, përdoret edhe tek 1 Korintasve 14:1, ku na thuhet: “Kërkoni dashurinë”. Gjithashtu, tek 1 Timoteut 6:11-12, Pali shkruan: “Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve”. Këto veprime, pra, duhet t’i bëjmë vetë. E njëjta gjë ndodh edhe me përsosshmërinë. Ka nga ata, që nuk bien dakort me ne lidhur me këtë çështje, por, në fund të fundit, duhet t’i bindemi vullnetit të Perëndisë në jetën tonë dhe t’i shërbejmë Atij me gjithë zemër e jo në mënyrë të vakët. Folja “rend” (në greqisht “dioto”) është një fjalë që përdoret në fushën e atletikës e sidomos në sportin e vrapimit. Prandaj, pra, Pali këtu nuk e ka fjalën për ata që janë dembelë. Përkundrazi, e shohim se ai dëshironte t’ia arrinte përsosshmërisë me gjithë shpirt. Fatkeqësisht, të shumtë janë ata të krishterë, që dorëzohen shpejt dhe kurrë nuk e arrijnë vijën e finishit. “Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?” (Galatasve 5:7). Ky gabim mund të korrigjohet. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh” (Hebrenjve 12:1).

Folja “zë” ka kuptimin e të kapurit të diçkaje dhe e të shtrënguarit fort të saj. Krishti na ka kapur fort, ndaj edhe ne duhet të qëndrojmë të kapur fort prej Tij. Duhet ta rrokim “jetën e përjetshme” (1 Timoteut 6:12, 19), “duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara” (Hebrenjve 6:18). Fjala “zë” ka të njëjtin kuptim me fjalën “kap”, kur themi, p.sh. se polici e ka kapur kriminelin me presh në dorë!

Pali e dinte vërtet se Krishti e kishte zënë, por ai (Pali) nuk e kishte zënë akoma thirrjen e lartë. Me pak fjalë, pra, ai nuk ishte aty ku duhej. Ashtu si vrapuesi i garave, edhe Pali ishte i vendosur për t’ia arritur qëllimit. I duhej t’i harronte të gjitha gjërat e së kaluarës dhe të përqëndrohej tek Krishti, “pararendësi” i tij (Hebrenjve 6:20). Palit i duhej ta harronte jetën e tij të vjetër si jude, me të gjitha ritet dhe zakonet e saj të shumta. I duhej ta harronte trashëgiminë e tij, persekutimin që i kishte bërë kishës dhe vuajtjet e tij personale. Asnjëra prej këtyre kujtimeve nuk duhej ta pengonte atë së shërbyeri Perëndisë. Nëse duam të ecim me Zotin, duhet ta harrojmë të shkuarën, sidomos talentet tona njerëzore, aftësitë dhe arritjet.

Përparimi

“Duke u prirur drejt” ka kuptimin e një vrapuesi, që është pothuajse gati tek vija e finishit. Nuk duhet ta kemi si synim që t’iua kalojmë besimtarëve të tjerë, por thjesht të jemi i krishteri më i mirë që ka parë ndonjëherë bota. “A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni” (1 Korintasve 1:24). “Rend drejt synimit” do të thotë se Pali po rend drejt qëllimit të vet, duke dashur t’i konformohet plotësisht përsosshmërisë së Krishtit. “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve” (Romakëve 8:29). A nuk është për t’u habitur që ata, që besojnë tek doktrina e paracaktimit, e hedhin poshtë domosdoshmërinë e konformimit? Të shumtë janë ata të krishterë, që e bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, kur vjen puna tek kjo temë!

Është e pamundur të avancosh drejt përsosshmërisë, po nuk i drejtove “sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Hebrenjve 12:2). Po ta kthejmë kokën pas, ashtu siç bëri gruaja e Lotit (Zanafilla 19:27, Luka 17:32), kemi për t’u kthyer mbrapsht dhe nuk do të jemi më të denjë për Mbretërinë e Perëndisë. “Jezusi i tha: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë” (Luka 9:62). Duhet të përpiqemi të hymë “nëpër derë të ngushtë”, sepse, ashtu siç e tha edhe Jezusi, “shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden” (Luka 13:24). Të njëjtën gjë na thotë edhe apostulli Pjetër: “Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit. Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:13-16). Perëndia gjithmonë do që populli i Tij të përparojë (Eksodi 14:25). Ai na i inkurajon zemrat dhe na ndihmon ta shohim se ku e kemi gabimin. Fryma e Shenjtë na bind që të jemi edhe më shumë si Krishti në jetën tonë të përditshme. “Që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Jezu Krishtin” (Kolosianëve 1:28)… “Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia” (Hebrenjve 6:1).

“Synimi” është Krishti, sepse Ai qëndron tek vija e finishit, për të na mirëpritur në shtëpinë tonë qiellore, kurse “çmimi” nuk është “thirrja e lartë”, por është “kurora e jetës”, që do t’iu jepet të gjithë atyre, që e përfundojnë garën (Jakobi 1:12). “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Timoteut 4:7-8).

Rritja

Jeta jonë e krishterë duhet të jetë në përputhje me “thirrjen e lartë”, ose me “thirrjen nga lart”. Fatkeqësisht, djalli i ka bindur disa pastorë dhe anëtarë kishash, që të synojnë drejt standarteve të tjera më të ulta, e jo më të larta. Por kjo thirrje është “e lartë”, sepse vjen nga lart, jo nga poshtë! Ata që largohen nga Krishti, dëshmojnë se nuk janë aspak të përkushtuar ndaj Tij. Të rendësh drejt përsosshmërisë do të thotë, në një farë mënyre, ta ruash atë që ke arritur deri tani në Krishtin. Të rritesh në besim pa patur shenjtëri në jetën tënde është njëlloj si një zog pa krahë, por që kërkon të fluturojë! Duhet ta disiplinojmë veten, për t’iu rezistuar të gjitha atyre gjërave, që na pengojnë së rrituri. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh” (Hebrenjve 12:1). Duhet theksuar gjithashtu se Pali i qortoi ata, që kujtonin se ishin të përsosur. Mbiemri “i përsosur” tek vargu 15-ë ka kuptimin “i pjekur, i matur”, e jo se dikush ia ka arritur të jetë përsosshmërisht pa mëkat, apo ia ka arritur përsosshmërisë shpirtërore. Kjo fjalë ka kuptimin gjithashtu “të jesh i denjë apo i përshtatshëm për të vrapuar” në përputhje me parimet biblike. Ka nga ata, që kujtojnë se ia kanë arritur një farë përsosshmërie, por në fakt, gënjejnë veten.

Përfundim                     

Gjithmonë kanë për të egzistuar ata, që mendojnë se ia kanë arritur përsosshmërisë, ose nëpërmjet veprave të mira që kanë bërë, ose nëpërmjet hirit të Perëndisë. Por Perëndia e gjen rrugën për t’i bindur këta njerëz se e kanë gabim. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kanë për të egzistuar ata, që na sugjerojnë se është e pamundur për t’ia arritur përsosshmërisë, përsa kohë që jemi në këtë botë, ndaj edhe kot që mundohemi. Por, si kanë për ta marrë “çmimin” njerëz të tillë, nëse nuk i shkojnë pas “thirrjes së lartë të Perëndisë në Krishtin Jezus”? A po ecin me të vërtetë “në Frymë”, apo po përmbushin “dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16)? Ata, që thonë se po e ndjekin Krishtin, duhet të jetojnë sipas së vërtetës, që gjendet tek 1 Gjonit 2:6. “Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai”. Përndryshe, kot që gënjejnë veten. “Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfrytësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta” (Efesianëve 5:15-16).

Ç’lloj përsosshmërie kujtojmë se kemi arritur? Ajo vendosshmëri që na ka prurë deri këtu, ka për të na avancuar edhe më shumë në të ardhmen në marrëdhënien tonë me Krishtin. Nuk është forca jonë, por fuqia e Frymës së Shenjtë ajo, që na jep mundësinë për të qenë të krishterë të bindur, të cilët synojnë për t’ia arritur përsosshmërisë. Le të mos pushojmë së renduri.

Mbrapa

Advertisements