Tradhtia bashkëshortore e Davidit – Fëmijët

“Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur. Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë. Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta. Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t’i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thonin: “Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t’i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t’i shkaktojë ndonjë të keqe”. Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: “Ka vdekur fëmija?”. Ata u përgjigjën: “Ka vdekur”. Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t’i sillnin ushqim dhe hëngri. Shërbëtorët e tij i thanë: “Ç’bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre”. Ai u përgjigj: “Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëronja dhe qaja, sepse thoja: “Kushedi Zotit mund t’i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?”. Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj? Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!”. Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Solomon; dhe Zoti e deshi. Pastaj dërgoi një mesazh me anë të profetit Nathan që i vuri emrin Jedidiah, për shkak të dashurisë të Zotit” (2 Samuelit 12:15-25).

Parathënie

Perëndia e ndëshkoi Davidin në mënyra nga më të ndryshmet dhe secila prej tyre do t’i sillte Davidit ndërmend marrëzinë dhe ligësinë, që kishte treguar. Ai ia kishte ngurtësuar aq shumë zemrën Zotit dhe fjalës së Tij, saqë vetëm qortimi dhe gjykimi i Perëndisë mund ta kthenin atë prapë në rrugën e drejtë. I duhej ta kuptonte se mëkati, që kishte kryer fshehtas, do të linte pasoja, si për të, ashtu edhe për të tjerët. Ndëshkimi i parë do të ishte vdekja e birit të tij, të krijuar si rezultat i tradhtisë bashkëshortore. Mënyra se si reagon Davidi ndaj kësaj vdekjeje na tregon vendosshmërinë e tij për t’iu bindur e për t’i shërbyer Zotit në të ardhmen.

Lutja e Davidit

Foshnja, kur u sëmur,  ka mundësi të ketë qenë shumë i vogël në moshë, vetëm disa ditësh. Sëmundja i zgjati për shtatë ditë me rradhë dhe gjatë gjithë asaj kohe, Davidi agjëroi dhe iu lut Zotit, që ta shëronte fëmijën e tij të sapolindur. Mëkati ia kishte bërë Davidit zemrën gur, por ishte sëmundja ajo, që ia zbuti zemrën. Nuk e dimë nëse Davidi qëndroi apo jo i shtrirë përtokë për shtatë ditë me rradhë, edhe pse teksti i mësipërm na e sugjeron një ide të tillë. Por jemi të sigurtë se ai u lut me gjithë shpirt. Ndoshta, ashtu siç e thotë edhe Gjon Uesli, Davidi kujtoi se ndoshta ndëshkimi “mund të ishte me kusht dhe si pasojë, edhe egzekutimi i atij ndëshkimi mund të parandalohej me anë të lutjes”.

Davidi nuk do t’i jepte leje askujt, që ta pengonte prej së luturit dhe së kërkuarit të fytyrës së Perëndisë. Ka të ngjarë që gjatë gjithë atij viti, kjo të ketë qenë hera e parë, që Davidi po bënte një lutje kuptimplote. Nëpër ceremonitë e ndryshme fetare, ai kishte luajtur rolin e hipokritit, që nga koha e tradhtisë bashkëshortore me Bathshebën e derisa u pendua. Tani po lutej, ngaqë kishte një barrë të madhe në zemër. Besonte akoma se Perëndia mund të tregohej i mëshirshëm për ta shëruar foshnjën. Kjo na vërteton se ai nuk ia vuri fajin Zotit për sëmundjen e djalit, por e bëri veten plotësisht fajtor për atë që kishte ndodhur.

Perceptimi i Davidit

Po qe se foshnja vdiq në ditën e shtatë, atëherë ai vdiq i parrethprerë. Shërbëtorët patën frikë ta njoftonin Davidin, ngaqë kujtuan se ai mund të kalonte në një depresion fizik, apo mendor. Mendonin se ai mund të reagonte ashpër. Por, në fakt, Davidi, me përulësi të madhe, e pranoi ndëshkimin, pa bërë fjalë. Kjo i habiti të gjithë ata, që e rrethonin. Ai nuk tregoi inat as ndaj Perëndisë, as ndaj dikujt tjetri. E shohim se si ai ia nënshtroi veten plotësisht vullnetit të Zotit, duke shkuar madje edhe në tempull për të adhuruar.

Ndërkohë që të tjerët po vajtonin vdekjen e fëmijës, siç ishin traditat dhe zakonet e asaj kohe, Davidi u la, ndërroi rrobat, u lut dhe hëngri ushqim. E kuptoi se nuk kishte ç’të bënte më për fëmijën. Vërtet që zemrën e kishte të copëtuar prej humbjes së djalit, por me një përkushtim të përtërirë ndaj Perëndisë, ai e kuptoi se vajtimi nuk duhej ta pengonte atë prej së adhuruarit të Zotit.

Në përgjigjen që Davidi iu dha pyetjeve të shërbëtorëve, lidhur me reagimin dhe veprimet e tij pas vdekjes së djalit, ai dëshmoi rreth besimit që kishte tek Zoti, duke na dhënë neve sot një mësim të vlefshëm, lidhur me atë që i ndodh një fëmije pas vdekjes. Nuk e humbi shpresën, si pasojë e hidhërimit të tij personal. Përkundrazi, iu shtua edhe më shumë besimi tek Perëndia. “Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë” (1 Thesalonikasve 4:13). Davidi kishte besim se foshnja shkoi direkt e në Qiell (në Parajsë). Kisha Katolike thotë se foshnjet e papagëzuara shkojnë në një vend të pacaktuar. Ka nga ata në kishat protestante, që thonë se vetëm fëmijët e zgjedhur prej Perëndisë mund të shkojnë në Qiell. Të dyja këto doktrina janë marrëzi, sidomos kur marrim parasysh me miliona foshnje të abortuara për vite me rradhë. Askund në Bibël nuk na sugjerohen ide të tilla, ndaj edhe ato janë thjesht imagjinatë e mendjeve të shtrembëruara të njerëzve, të cilët nuk i kuptojnë siç duhet mësimet e qarta të fjalës së Perëndisë. Davidi e dinte mirë se do ta shihte përsëri të birin, jo në Ferr, as në Purgator, as në një vend të pacaktuar, por në Parajsë. “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve” (Mateu 19:14). 

Princi i Davidit

Është interesant fakti se Davidi nuk e divorcoi Bathshebën, ngaqë një veprimi tillë do t’i kishte keqësuar edhe më shumë punët. Përkundrazi, ajo i lindi atij edhe fëmijë të tjerë. Duhet t’i krahasojmë fjalët e vargut 15-të me ato të vargut 24-r. Në fillim, Bathsheba quhet “gruaja e Uriahut”, kurse në fund, ajo bëhet gruaja e Davidit. Kjo na tregon se Zoti ia kishte falur Davidit plotësisht mëkatin. Djali i dytë i Davidit, i lindur prej Bathshebës, ishte Salomoni. Me përjashtim të Krishtit, ai kishte për të qenë mbreti më i mençur i Izraelit. Emri ‘Salomon’ do të thotë ‘paqedashës’. E dimë se mbretëria e tij pati vetëm paqe. Davidi i vuri atij edhe një emër tjetër: ‘Jedidiah’, që do të thotë ‘i dashur prej Zotit’, ndoshta ngaqë profeti Nathan i tha Davidit se Perëndia e donte shumë këtë fëmijë. Si emri ‘David’, ashtu edhe ‘Jedidiah’ kanë të njëjtën rrënjë.

Përveç fëmijëve të paemëruar, Davidi dhe Bathsheba patën katër djem: Shimea, Shobabi, Nathani dhe Salomoni (shiko 1 Kronikasve 3:5). Dy prej tyre (Salomoni dhe Nathani) përmenden në gjenealogjinë e Jezusit (shiko Mateu 1:6 dhe Luka 3:31). Kjo na tregon gjithashtu se si gjenealogjia e Jozefit, ashtu edhe ajo e Maries, rridhnin nga Davidi.

Mos, vallë, u bekua aq shumë Davidi prej shërbesës së profetit Nathan, saqë ia vuri emrin ‘Nathan’ njërit prej bijve të tij? Disa komentatorë të Biblës na sugjerojnë se ishte Perëndia Ai, që i tha Nathanit t’ia vinte emrin Salomonit ‘Jedidiah’ (shiko vargun 25-ë). Por ka të tjerë që thonë se ishte Davidi. Sidoqoftë, të dyja këto interpretime janë të pranueshme.

Përfundim

Davidi nuk e kishte imagjinuar dot kurrë se tradhtia e tij bashkëshortore me Bathshebën do t’i kushtonte kaq shumë. Ai vërtet që u kthye në rrugën e drejtë, por sa shumë vuajtje kaloi gjatë asaj rruge! Tani ai ishte i nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë dhe donte që t’i shërbente Atij me besnikëri për gjithë jetën.

Mbrapa

Advertisements