Tradhtia bashkëshortore e Davidit – Ndëshkimi

“Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: “Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër. I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë; por i varfëri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij. Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t’i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur”. Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë! Ai do t’a paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë”. Atëherë Nathani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit. Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera. Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë Hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit. Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e Hiteut Uriah si bashkëshorten tënde”. Kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t’i marrë gratë e tua para syve të tu për t’ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën. Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit”. Atëherë Davidi i tha Nathanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit”. Nathani iu përgjigj Davidit: “Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë”” (2 Samuelit 12:1-14).

Parathënie

Davidit i ka lindur një djalë, si pasojë e shkeljes së kurorës me Bathshebën. Ai ka bërë gjithçka që ta fshehë mëkatin, por kjo i ka acaruar edhe më keq punët. Perëndia i ka dhënë kohë të mjaftueshme për t’u penduar, por, ngaqë Davidi nuk ka ndërmend të pendohet, Zotit i duhet që ta ndëshkojë.

Tregimi

Perëndia dërgoi profetin Nathan, që ta bënte Davidin të pendohej. Nathani përdori shëmbëlltyrën e një njeriu të padrejtë, i cili vodhi pronën e fqinjit të vet. Perëndia e kishte përdorur edhe më parë Nathanin, për t’i sjellë lajm të keq Davidit, lidhur me dëshirën, që ai kishte patur për ndërtimin e tempullit (2 Samuelit 7). Por tani fjalët e Nathanit ishin edhe më të ashpra dhe ndoshta edhe vetë profeti do të ishte frikësuar prej tyre. Për këtë arsye, Nathani u tregua i zgjuar, që zgjodhi t’i fliste Davidit me shëmbëlltyra. “Donte të futej në brendësi të zemrës së Davidit dhe t’ia shkëpuste zinxhirët, që e mbanin të lidhur dhe të qërruar nga ana shpirtërore” (Fjalori Biblik i Holmonit). Shëmbëlltyra që i tregoi Nathani Davidit ishte njëlloj si një pasqyrë, për ta ndihmuar mbretin ta shikonte veten e tij në atë shëmbëlltyrë.

Davidi reagoi me zemërim, kur e mori vesh se ç’kishte bërë pasaniku, ndaj edhe mund ta imagjinojmë reagimin e tij, kur profeti e qortoi drejtpërsëdrejti për mëkatin, që kishte bërë. Në fillim, Davidi nuk e kuptoi se shëmbëlltyra bënte fjalë për të. U hoq si hipokrit, ngaqë e dinte se ç’thoshte Bibla. “Në rast se ndokush vjedh një ka a një dele dhe i vret ose i shet, do të kthejë pesë qe për kaun dhe katër dele për delen” (Eksodi 22:1). Tha se pasaniku duhej të vdiste, edhe pse një ndëshkim i tillë nuk ishte i nevojshëm për atë, që kishte vjedhur delen.

Ndëshkimi

Sapo Davidi e ndëshkoi vetveten me gojën e tij, Nathani tha: “Ti je njeriu, për të cilin e kam fjalën”. “Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje” (Jobit 15:6)… “Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua” (Luka 19:22). Këto fjalë do t’i kenë rënë Davidit si rrufe në zemër. Ndoshta kujtoi se Nathani do ta lavdëronte për gjykimin që i kishte bërë hajdutit të deles. Por, përkundrazi, mori ndëshkim në vend të lavdërimit. Nathani nuk i sheqerosi fjalët e tij qortuese, ngaqë kishte të bënte me një çështje serioze. “Qorto me çdo pushtet!” (Titit 2:15).

Nathani i vuri Davidit në dukje se kishte qenë Perëndia Ai, që e kishte vajosur atë si mbret, ndaj edhe Ai priste që Davidi të jetonte si i tillë, e jo si diktator, duke bërë çfarë t’i donte qejfi me popullin e tij. Perëndia e kishte mbrojtur prej Saulit, kur ai ishte përpjekur për ta vrarë. Mos vallë, Davidi do t’i përngjante Saulit, duke u bërë aq i ligë sa edhe ai? Për më tepër, a nuk kishte mjaft gra Davidi? Pse i duhej edhe një tjetër, që ishte e martuar? Perëndia i kishte dhënë gjithçka, që dëshironte dhe do t’i jepte akoma edhe më shumë gjëra të ligjshme. Nathani u fut direkt në temë, duke i thënë Davidit se e kishte përbuzur fjalën e Perëndisë, duke kujtuar se ishte vetë mbi ligjin. Ata që e përbuzin Biblën, merren me lloj-lloj ligësish, por kanë për t’u gjykuar një ditë.

Davidi vrau, me qëllim që të merrte atë që donte, ndaj edhe tani, mbretëria e tij do të mbizotërohej prej gjakderdhjes. Do të vuante gjatë gjithë jetës. Madje edhe bijtë e vet do t’i shkaktonin aq shumë hidhërim, kurse gratë do t’i merreshin prej të tjerëve. Gjithçka që e konsideronte të çmuar, kishte për t’u ndikuar prej mëkatit që kishte bërë. Ishte munduar ta fshihte mëkatin e tij, por të gjithë banorët e Izraelit kishin për ta marrë vesh se ç’kishte bërë. E kishte turpëruar vetë veten.

Hidhërimi

Më në fund, Davidi u pendua për mëkatin. “Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk i vjen keq” (2 Korintasve 7:10). Po të kishte vepruar kështu që më parë, nuk do të ndihej aq i ligështuar. E shkroi Psalmin 51-ë si simbol të pendesës së tij. Por, edhe pse u fal, prapëseprapë, iu desh t’i vuante pasojat e veprimeve të tij. Do të vuante ndëshkimin, që ia përshkroi Nathani, ngaqë e kishte çnderuar kombin e tij, Izraelin, duke e bërë që të tallej nga të tjerët.

Fatmirësisht, Davidi nuk u justifikua për mëkatin e vet. As nuk e holloi, as nuk fajësoi të tjerët për atë që kishte bërë. Ai u tregua vërtet i penduar, ngaqë e pranoi se e kishte patur vetë të gjithë fajin. E konsideroi veten fajtor, të denjë për t’u ndëshkuar me vdekje, sepse këtë kërkonte edhe Perëndia tek Zanafilla 9:6, “Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri”. “Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet” (Levitikut 24:17). Të njëjtin ndëshkim meriton edhe tradhtia bashkëshortore. “Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje” (Levitikut 20:10). Davidi nuk u ndëshkua edhe aq shumë, edhe pse iu desh ta paguante çmimin e mëkatit të vet, derisa të vdiste. Po qe se Davidi do të ishte egzekutuar për krimet e tij, atëherë do t’i vinte fundi planit të Perëndisë për mbretërinë e ardhshme të Izraelit.

Davidi nuk kishte për të vdekur vetë, por djali i sapolindur do t’i vdiste. Ka nga ata që pyesin se përse ia mori jetën Perëndia një foshnjeje të pafajshme, si ndëshkim ndaj Davidit? Por duhet ta pranojmë se ky ishte një veprim i mëshirshëm i Perëndisë. Fëmija, kur të rritej, do të ishte quajtur prej fëmijëve të tjerë si “djali i i paligjshëm i Davidit”. E dimë se foshnja u mor direkt në Qiell, ndaj edhe Perëndia e bekoi.

Përfundim

Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23)… “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Galatasve 6:7). Kjo ishte, pa dyshim, e vërtetë në jetën e Davidit. Sa shumë hidhërim e vuajtje i shkaktoi vetes prej mëkatit! Në studimin tonë të ardhshëm, do t’i hedhim një sy vdekjes së djalit të Davidit.

Mbrapa

Advertisements