Tradhtia bashkëshortore e Davidit – Pashpirtësia

“Të nesërmen në mëngjes, Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Uriahut. Në letër kishte shkruar kështu: “Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë”. Ndërsa rrethonte qytetin, Joabi e vuri Uriahun në vendin ku e dinte se kishte njerëz trima. Banorët e qytetit bënë një dalje dhe sulmuan Joabin, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë dhe vdiq edhe Hiteu Uriah. Atëherë Joabi dërgoi një lajmëtar për t’i njoftuar Davidit tërë ngjarjet e luftës, dhe i dha lajmëtarit këtë urdhër: “Kur të kesh mbaruar së treguari mbretit tërë ngjarjet e luftës, në qoftë se ai zemërohet dhe të thotë: “Pse iu afruat qytetit për të luftuar? A nuk e dinit që do të gjuanin nga muret lart? Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshethit? A nuk qe një grua që i hodhi një gur nga muret, dhe kështu ai vdiq në Thebets?. Sepse ju jeni afruar te murët?,” atëherë ti do të thuash: “Vdiq edhe shërbëtori yt Hiteu Uriah””. Kështu lajmëtari u nis dhe, kur arriti, i tregoi Davidit të gjitha ato që Joabi e kishte ngarkuar të thoshte. Lajmëtari i tha Davidit: “Armiqtë patën epërsi mbi ne dhe bënë një dalje kundër nesh në fushë të hapur, por ne i sprapsëm deri në hyrjen e portës; atëherë harkëtarët gjuajtën mbi shërbëtorët e tu nga lartësia e mureve dhe disa shërbëtorë të mbretit vdiqën, dhe vdiq edhe shërbëtori yt, Hiteu Uriah”. Atëherë Davidi i tha lajmëtarit: “Do t’i thuash kështu Joabit: “Mos u hidhëro për këtë gjë, sepse shpata ha o njerin o tjetrin; lufto me forcë më të madhe kundër qytetit dhe shkatërroje”. Dhe ti jepi zemër”. Kur gruaja e Uriahut dëgjoi që burri i saj kishte vdekur, ajo mbajti zi për bashkëshortin e saj. Me të mbaruar zija, Davidi dërgoi ta marrë dhe e priti në shtëpinë e tij. Ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit” (2 Samuelit 11:14-27).

Parathënie

Davidi u soll në një mënyrë të ftohtë e të pashpirtë ndaj Uriahut, burrit të Bathshebës. Ky fakt na tregon sesa shumë arrin ta ulë veten njeriu mëkatar. Davidi kishte mëkatuar kundra Uriahut, ishte përpjekur ta mashtronte, e tani donte ta vriste.

Vrasja

Davidi qe përpjekur ta fshihte mëkatin e tij, por pa sukses. Tani ai kishte si synim, që me vdekjen e Uriahut, ta zhdukte çdo lloj shenje të mëkatit. Kjo vrasje ishte ndoshta gjëja më e keqe, që kishte bërë ndonjëherë Davidi në tërë jetën e tij. Bibla na e thekson këtë fakt tek 1 Mbretërve 15:5, “Sepse Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut”. Tradhtia bashkëshortore ishte patjetër mëkat, por ky veprim i fundit ndaj Uriahut ishte me të vërtetë shumë i ligë.

Davidi e kishte menduar mirë çdo detaj të vrasjes së Uriahut dhe, për më tepër, i përfshiu edhe të tjerët, që t’ia kryenin këtë punë të ndyrë. Habitemi se si një njeri kaq zemërbutë, si Davidi, të mund të vepronte në një mënyrë kaq mizore. Por të njëjtat gjëra i dëgjojmë të ndodhin çdo ditë edhe sot në lajme. Davidi ka të ngjarë ta kishte vrarë shumë mendjen se si e si ta fshihte mëkatin. “Mjerë ata që bluajnë në mendje paudhësi dhe projektojnë të keqen mbi shtretërit e tyre; në dritën e mëngjesit e kryejnë, sepse pushteti është në duart e tyre. Dëshirojnë me të madhe arat dhe i marrin me dhunë, shtëpitë dhe i marrin; kështu shtypin me hile njeriun dhe shtëpinë e tij, individin dhe pronën e tij” (Mikea 2:1-2). Sipas planit të tij, do të dukej sikur Uriahu ishte thjesht një viktimë e luftës dhe kjo ia kishte mbushur mendjen Davidit se nuk e kishte ai fajin për vdekjen e Uriahut. Davidi e la Perëndinë fare jashtë planit të tij dinak, por shumë shpejt, ai do të ballafaqohej sy për sy me mëkatin e vet.

Ç’vepër mizore ishte, ta shikoje Uriahun tek mbante në dorë urdhërin e vdekjes së tij! Kjo na tregon ligësinë e zemrës së Davidit. E abuzoi besnikërinë e patundur të Uriahut. E dinte se Uriahu do ta falte me kënaqësi jetën e tij për mbretin dhe nuk do të kundërshtonte, që të vihej në vijë të parë, aty ku ishte rreziku më i madh. Duhet ta vëmë re gjithashtu se Joabit nuk iu dha asnjë arsye pse Uriahu duhej të vdiste atë ditë në fushën e betejës. Përkundrazi, ai thjesht zbatoi urdhërin e mbretit. Joabi mund ta merrte me mend se diçka s’ishte në rregull, por, për momentin, ai nuk bëri zë. Më vonë, ai do ta përdorte këtë situatë për t’iu kundërvënë vetë Davidit.

Mesazhi

Joabi, sapo u vra Uriahu, i dërgoi Davidit një mesazh, për t’i dhënë mbretit lajmin e mirë. Por problemi qëndronte këtu se edhe shumë të tjerë ishin vrarë atë ditë në fushën e betejës, ndaj lajmëtarit iu tha që t’i shtrembëronte pak faktet, me qëllim që ta qetësonte Davidin, po qe se zemërohej. Lajmi i vdekjes së shumë ushtarëve duhej t’ia kishte copëtuar zemrën Davidit, por jo, lajmëtari s’kishte pse të kishte frikë prej përgjigjes së mbretit. “Thuaj Joabit”, tha ai, “që të mos shqetësohet. Burrat vdesin përherë në fushën e betejës”. Davidi, pra, në vend që të mbante zi për vdekjen e ushtarëve të tij trima, gati sa nuk u hodh nga gëzimi. Një reagim i tillë na tregon se e liga ia kishte pushtuar Davidit si mendjen, ashtu edhe zemrën.

Martesa

Vetëm Bathsheba mbajti zi për Uriahun. Davidi po thurte plan, se si ta merrte atë për grua e kështu ta fshihte përfundimisht mëkatin e tij. Pa dyshim që Davidi do të ketë pritur me padurim, që ditëve të zisë t’iu vinte fundi. A mbajti me gjithë shpirt zi Bathsheba për të shoqin, apo thjesht përmbushi zakonet e traditat familjare të asaj kohe? Mos, vallë, po ta dinte se ç’i kishte bërë Davidi të shoqit, a do të martohej tani me të? Është e pamundur ta dimë përgjigjen e këtyre pyetjeve. Por është Davidi ai, që është në qendër të vëmendjes në këtë studim, e jo Bathsheba.

Pas zisë, erdhi martesa e nxituar. Tani Davidi mund të thoshte se fëmija ishte shtatanik. A e shohim, pra, se si Davidit i duhej t’i shtonte barrës së mëkatit të vet edhe një mëkat tjetër, për ta justifikuar veten? Davidi ishte gati t’i përdorte të gjithë, madje edhe fëmijën e tij të palindur akoma, me qëllim që të mos e humbiste respektin në sytë e njerëzve. Askush, përveç atij, Bathshebës dhe Joabit, nuk kishte për ta ditur se ç’kishte ndodhur. Do të ketë kujtuar se e kishte zgjidhur një herë e mirë problemin, por, ah, sa gabim e pati! Fjalia e fundit e këtij kapitulli na tregon se Perëndia tani ishte gati të merrej me Davidin, lidhur me gjërat e tmerrshme që kishte bërë. Gjithçka, që nga tradhtia bashkëshortore e deri tek martesa, ishte e neveritshme në sytë e Zotit.  

Përfundim

Fajin për të gjitha ato që ndodhën, e pati vendimi që kishte marrë Davidi për të praktikuar poligami martesore dhe për të patur një harem si të gjithë mbretërit paganë. E kishte hedhur poshtë planin e Perëndisë, lidhur me martesën vetëm mes një burri e një gruaje, prandaj edhe nuk i dukej gabim të kishte më shumë sesa një grua për bashkëshorte. Davidi nuk iu lut Zotit fare, që ta ndihmonte të dilte prej kësaj balte, në të cilën e kishte zhytur kaq thellë veten. Përkundrazi, sa më shumë që u përpoq ta zgjidhte vetë problemin, u zhyt thellë e më thellë në mëkat.  

Mbrapa

Advertisements