Tradhtia bashkëshortore e Davidit – Shtatzania e Bathshebës

“Kështu Davidi dërgoi të kërkojë informata për gruan; dhe i thanë: “Éshtë Bath-Sheba, bija e Eliamit, bashkëshortja e Hiteut Uriah”. Davidi dërgoi lajmëtarë për ta marrë; kështu ajo erdhi tek ai dhe ajo ra në shtrat me të; pastaj u pastrua nga papastërtia e saj dhe u kthye në shtëpinë e vet. Gruaja mbeti me barrë dhe ia njoftoi Davidit, duke i thënë: “Jam me barrë”. Atëherë Davidi dërgoi t’i thotë Joabit: “Dërgomë Hiteun Uriah”. Dhe Joabi dërgoi Uriahun te Davidi. Kur Uriahu arriti tek ai, Davidi e pyeti për gjendjen shëndetsore të Joabit dhe të popullit, dhe si shkonte lufta. Pastaj Davidi i tha Uriahut: “Zbrit në shtëpinë tënde dhe laji këmbët”. Uriahu doli nga shtëpia e mbretit dhe i nisën një dhuratë nga ana e mbretit. Por Uriahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit bashkë me tërë shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij. Kur e njoftuan Davidin për këtë gjë dhe i thanë: “Uriahu nuk zbriti në shtëpinë e tij”. Davidi i tha Uriahut: “A nuk vjen vallë nga një udhëtim? Pse, pra, nuk zbrite në shtëpinë tënde?”. Uriahu iu përgjigj Davidit: “Arka, Izraeli dhe Juda banojnë në çadra, zotëria im Joab dhe shërbëtorët e zotërisë tim e kanë ngritur kampin e tyre në fushë të hapur. Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë? Ashtu siç është e vërtetë që ti rron dhe që rron shpirti yt, unë nuk do ta bëj këtë gjë!”. Atëherë Davidi i tha Uriahut: “Qëndro edhe sot këtu, nesër do të të lë të shkosh”. Kështu Uriahu qëndroi në Jeruzalem atë ditë dhe ditën tjetër.  Davidi e ftoi pastaj të hajë e të pijë bashkë me të dhe e dehu. Por në mbrëmje Uriahu doli për të shkuar në shtrojën e tij bashkë me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij” (2 Samuelit 11:3-13).

Parathënie

Mëkati kurrë nuk kënaqet me pak, por do që ta pushtojë të gjithë shpirtin e mëkatarit. Mëkati mund të fillojë si një ofendim i vogël, por përhapet si kanceri. Edhe pse Davidi u përpoq shumë, që ta fshihte mëkatin e vet, prapëseprapë, mëkati nuk iu bind, përkundrazi, mëkati iu bë zot, derisa ia mori nën kontroll dhe ia shkatërroi të gjithë jetën. “Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta… A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?” (Romakëve 6:12, 16).

Bathsheba ka të ngjarë të ketë qenë një grua izraelite, edhe pse ishte e martuar me një Hite. Në vargun 4 të këtij kapitulli, bëhet fjalë rreth përmbushjes që i bëri Bathsheba ligjit të pastrimit, të marrë prej Levitikut 15:18 dhe 18:19.

Kërkimi i informatave

Davidi e pa Bathshebën që po lahej dhe ndenji aty, duke e parë për një kohë relativisht të gjatë. Më pas, kërkoi informata dhe filloi të mendonte se si ta vinte në praktikë mëkatin e vet. E vëmë re se shumë shpejt, ai i përfshiu edhe të tjerët në këtë mëkat. “Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen” (Jakobi 1:14-15). Që prej momentit kur Davidi mori vendim që të mëkatonte, mëkati filloi t’ia kontrollonte jetën dhe ai vetë nuk ishte më në gjendje të arsyetonte siç duhej. Tradhtia bashkëshortore nuk filloi në momentin e kryerjes së mëkatit, por në momentin e thurjes së planit për ta kryer atë mëkat. “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:28). Davidi i kishte shkelur si urdhërimin e shtatë, ashtu edhe urdhërimin e dhjetë, që thonë: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore… Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd” (Eksodi 20:14, 17).

Davidi, kur e mori vesh se Bathsheba ishte e martuar, duhej të kishte hequr dorë menjëherë prej idesë së vet. Por përkundrazi, ai vendosi që ta neglizhonte fjalën e Perëndisë dhe rregullat e mirësjelljes. Donte me çdo kusht që ta bënte Bathshebën pjesë të haremit të vet, një fakt ky që jo vetëm që do ta rriste numrin e grave në jetën e Davidit, por do ta zmadhonte edhe më shumë mëkatin e poligamisë së tij. Davidi, kur e mori vesh se Bathsheba ishte grua e një Hiteu, që po luftonte në fushën e betejës, mendoi se Uriahu ishte i papërfillshëm, ngaqë i përkiste një kombësie tjetër. Dërgoi, pra, njerëz, që t’ia sillnin Bathshebën, kur e mori vesh se i shoqi nuk ishte në shtëpi.

Mëkati

A e bëri me zor Davidi Bathshebën që të mëkatonte, apo pranoi ajo vullnetarisht që t’i nënshtrohej atij? Ka ide të ndryshme lidhur me këtë çështje. Por në këtë studim, do ta përqëndrojmë vëmendjen tek mëkati i Davidit, edhe pse duket sikur Bathsheba nuk ishte aq e pafajshme, sepse i tha mbretit se ishte e pastër. Në bazë të Levitikut 20:10, të dy, si Davidi, ashtu edhe Bathsheba, meritonin të dënoheshin me vdekje. “Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje”.

Në mëkatin e Davidit përfshihej edhe mungesa e respektit për dy ushtarët e tij trima, të cilët kishin lidhje të drejtpërdrejtë me Bathshebën. I ati i saj, Eliami, dhe i shoqi, Uriahu, ishin që të dy ushtarë besnikë të Davidit, kurse ai u tregua i pabesë ndaj tyre (2 Samuelit 23:34, 39).

jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Numrave 32:23). Davidi, Bathsheba dhe shërbëtorët e mbretit e mbajtën sekret mëkatin e sapokryer, derisa u mor vesh se Bathsheba kishte mbetur me barrë. E pyesim veten, nëse, gjatë gjithë kësaj kohe, Davidi kishte ndjerë apo jo ndonjë keqardhje për atë që kishte bërë. Por, në vend që të pendohej e ta pranonte se kishte mëkatuar, ai u përpoq për ta fshehur mëkatin me një mëkat tjetër, sepse shumë shpejt të gjithë do ta shikonin se Bathsheba ishte me barrë dhe kjo shtatzani nuk ishte e dëshiruar.

Intriga

Davidi e përdori gruan e Uriahut për nevojat e veta dhe tani donte ta përdorte edhe vetë Uriahun për ta mbajtur të fshehtë mëkatin e tij. Davidi thuri plan, për ta bërë Uriahun që të flinte bashkë me të shoqen, me qëllim që të gjithë të kujtonin se ai (Uriahu) ishte babai i fëmijës. Por ky plan nuk doli i suksesshëm. Mbreti u përpoq ta fshihte intrigën e vet, duke e thirrur Uriahun, për të diskutuar privatisht me të se si po shkonte lufta me Amonitët. Davidi do ta ketë vënë buzën në gaz dhe do t’i jetë bërë shumë qejfi, kur e pa Uriahun të shkonte atë natë në shtëpi të vet, tek gruaja e tij. Sipas Davidit, tani s’kishte mbetur më asnjë problem për t’u zgjidhur.

Por, në mëngjes, të gjithë e panë se Uriahu nuk kishte shkuar të flinte në shtëpi të vet me të shoqen, por kishte fjetur jashtë dyerve të pallatit mbretëror. Me fjalët që tha, ai e tregoi veten si shërbëtor shumë besnik i Davidit. Nuk kishte njeri që t’ia mbushte mendjen, që të shkonte e të çlodhej, ndërkohë që shokët e tij ishin në fushën e betejës. Edhe pse i dehur, ai prapëseprapë nuk veproi ashtu siç e urdhëroi mbreti. “Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit të tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh” (Habakukut 2:15).

Përfundim                                         

Davidit iu prishën të gjitha planet dhe iu shkatërruan të gjitha shpresat. “Edhe idetë më të mira të njerëzve shpeshherë dalin pa rezultat” (Robert Bërnsi). Edhe sikur Uriahu të kishte shkuar të flinte me Bathshebën, mëkati i Davidit dhe pasojat e tij do t’i kishin mbetur atij gjithë jetën si njollë. Për më tepër, vazhdimësia e këtij mashtrimi do t’iua kishte shkatërruar më në fund jetën të gjithë personave të lartpërmendur. Mëkati epshor i Davidit u bë shkak i një zinxhiri ngjarjesh, që do të sillnin si pasojë çnderim dhe vdekje. “Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t’i hiqet kurrë” (Fjalët e Urta 6:32-33). Perëndia kishte marrë vendim, që të mos e linte Davidin të shpëtonte prej asaj, që kishte bërë.

Mbrapa

Advertisements