Traktati i Zotit lidhur me Shtrëngatën e Fundit

Marku 13:14-27 na tregon se ç’do të ndodhë në ditët e fundit të historisë së botës. Jezusi na paraqet një tablo të gjallë, jo për të na frikësuar, por për të na treguar se, pavarësisht nga tmerret e ditëve të fundit, ata që e ndjekin Atë, kanë “shpresën e lume” të jetës së përjetshme në Qiell (Titit 2:13).

Tempulli

Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve. Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet. Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet” (Marku 13:14-16).

Judenjtë nuk kanë patur një tempull të tyren, që prej kohës kur tempulli i dytë u shkatërrua prej perandorit romak Titi në vitin 70 pas Krishtit. Tempulli i tretë do të ndërtohet në Jeruzalem, para ardhjes për së dyti të Zotit Jezus Krisht. Pikërisht në këtë tempull, Antikrishti do të vërë imazhin e tij dhe do t’i urdhërojë judenjtë që ta adhurojnë atë si perëndi: “Ai do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz për një javë, por në mes të javës do t’i japë fund flijimit dhe blatimit; dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme do të vijë një shkatërrues, deri sa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin” (Danieli 9:27)… “Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi” (2 Thesalonikasve 2:3-4).

Pjesa e fundit e periudhës së shtrëngimit ka të bëjë me vuajtjen përfundimtare të judenjve. Po të mos ishte e vërtetë kjo, atëherë fjalët e Jezusit rreth të ikurit maleve të Judesë nuk do të kishin rëndësi të madhe. Ka nga ata komentues, që e kanë interpretuar këtë tekst nga ana figurative, por të përmendurit e “Judesë” tregon se ky tekst duhet të merret fjalë për fjalë. Zbulesa 12:1-6 flet rreth së njëjtës ngjarje: “Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje. Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes. Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora. Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur. Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij. Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë”.

Tmerri

Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë! Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër. Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë. Dhe, nëse Zoti nuk do t’i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi” (Marku 13:17-20).

Tmerri i periudhës së fundit të shtrëngatës, që zgjat për tre vjet e gjysëm, nuk është parë ndonjëherë në histori. Madje as holokausti i Luftës së Dytë Botërore nuk krahasohet dot me urrejtjen, që Antikrishti do të derdhë mbi Izraelin në ditët që përmenden në këtë profeci. Po të mos ndërhyjë Perëndia, judenjtë do të azgjesoheshin plotësisht nga Antikrishti. Fjala “të zgjedhurve”, në këtë varg, nuk mund t’i referohet besimtarëve të krishterë, që jetojnë në atë kohë. Tema e kësaj profecia është populli jude: “Për hir të Jakobit, shërbëtorit im, dhe për hir të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra me emër dhe të dhashë një titull nderi megjithëse ti nuk më njihje” (Isaia 45:4)… “Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre” (Isaia 65:22).

Mashtruesit

Atëherë, nëse dikush do t’ju thotë: “Ja, Krishti është këtu!”; ose “Është atje,” mos e besoni. Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit. Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë” (Marku 13:21-23).

Një nga shenjat kryesore të ditëve të fundit do të jetë shtimi në numër i mësuesve, krishtërve dhe profetëve të rremë. Disa prej tyre do të jenë të pajisur me fuqi mbinatyrore të marrë prej Satanait, për t’i bërë njerëzit për vete e për t’i larguar ata prej së vërtetës. Vetëm ata, që e ndjekin me besnikëri Zotin Jezus Krisht, nuk mund të mashtrohen dot prej gënjeshtarëve. Ata që janë të mashtruar sot, janë të kualifikuar për mashtrimin përfundimtar. Do t’i besojnë një gënjeshtre, ngaqë nuk e durojnë dot të vërtetën: “E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!” (2 Thesalonikasve 2:11-12).

Triumfi

Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet; yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit” (Marku 13:24-27).

Këto vargje përmbushin profecinë e Joelit, të cilës i referohet edhe Pjetri në ditën e Rrëshajëve: “Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë. Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Veprat e Apostujve 2:16-21)… “Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret. Do të bëj mrekulli në qiejt dhe mbi tokë: gjak, zjarr dhe shtëllunga tymi. Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jeruzalem do të ketë shpëtim, siç e ka thënë Zoti, edhe për ata që kanë mbetur gjallë dhe që Zoti do t’i thërrasë” (Joelit 2:28-32).

Ata, që do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, do të jenë ndoshta judenjtë, të cilët vetë Perëndia i ruajti gjatë qëndrimit të tyre në shkretëtirë: “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur” (Zakarias 12:10). E megjithatë, Zbulesa 1:7 dhe Mateu 24:30 thonë se e gjithë bota do ta përjetojë Ardhjen e Dytë të Krishtit: “Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen”… “Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe”.

Të pranishëm me Krishtin në ardhjen e Tij, do të jetë i gjithë populli i zgjedhur i Perëndisë, duke përfshirë këtu si kishën e marrë në Qiell, ashtu edhe besimtarët judenj. Vini re se si Jezusi përmend si Tokën, ashtu edhe Qiellin: “Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet” (Zbulesa 20:4). Besimtarët e të gjitha brezave do të kenë pjesë në lavdinë e Mbretërisë së Mesias.

Shënim: Ardhja e Dytë e Krishtit është një ngjarje e dyfishtë. Marrja e kishës në Qiell ndodh, para se të vijë Zoti në tokë për të ngritur Mbretërinë e Tij Njëmijëvjeçare.  

Përfundim

Ka shumë gjëra, që s’i kuptojmë dot, kur vjen puna tek profecitë. Por të gjithë besimtarët e vërtetë e dinë se Shpëtimtari i tyre do të ngrihet përsëri mbi tokë: “Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra” (Jobit 19:25-27). Na pret një e ardhme e bukur, edhe pse në fillim do të shohim një pamje të ngrysur: “Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër” (Luka 21:28).

Mbrapa

Advertisements