Tre rrugë për të ecur

Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë, që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë. Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë, por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë, të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse është shkruar:“Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë ”. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë. Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s ‘i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë. Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia. Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore. Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’ i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht. Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri. Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.

 Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t ‘ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht. Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo, sepse jeni akoma të mishit; në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve? Sepse, kur dikush thotë:“Unë jam i Palit’ ‘, dhe një tjetër:“Unë jam i Apolit’ ‘, a nuk jeni ju të mishit?” (1 Korintasve 2:9-3:4).

Parathënie

Pse ca të krishterë i shërbejnë me besnikëri Zotit, por ka të tjerë, që sillen aq shumë si bota, saqë i bëjmë pyetje vetes nëse janë ata të shpëtuar apo jo? Ka gjithashtu nga ata, që e nisin mirë jetën e tyre të krishterë, por s’kalojnë shumë muaj dhe e hedhin poshtë besimin. Bibla na i jep, pa dyshim, përgjigje pyetjeve të tilla, duke na thënë se besimi ynë varet nga mënyra se si ecim, apo se si sillemi në jetën e përditshme. Në tekstin e mësipërm, apostulli Pal na rradhit tre mënyra për ecjen e një besimtari dhe secila prej tyre ka të bëjë me cilësinë dhe rezultatin e jetës sonë shpirtërore. 1. Rruga natyrale, në të cilën ecin ata, që duken sikur nuk e kanë marrë kurrë shpëtimin, apo nuk kanë ndryshuar kurrë nga ana shpirtërore. Njerëz të tillë janë akoma të lidhur prej jetës së tyre mëkatare dhe si rrjedhim, nuk ia vënë veshin zërit të Frymës. 2. Rruga mishore, në të cilën ecin ata, që bëjnë lojra me mëkatin. Njerëz të tillë janë foshnje shpirtërore, që nuk dëshirojnë që të mësojnë fare rreth Krishtit. Duan që t’i ushqejnë të tjerët me lugë, në vend që ta lexojnë dhe ta studjojnë vetë Biblën. Derisa të vdesin, këta njerëz kanë për të mbetur foshnje të rritura, që ankohen pa shkak. 3. Rruga shpirtërore, në të cilën ecin ata, jeta e të cilëve është e mbushur me Frymën e Shenjtë dhe nën kontrollin e Tij. Njerëz të tillë, jo vetëm që e dëgjojnë, por edhe e vënë në praktikë atë që iu thotë Perëndia. Korrin fitore kundra tundimeve të tyre natyrale dhe mishore, sepse e dinë se rruga e Perëndisë është më e mira nga të gjitha.

Si po ec unë?

Këtë pyetje duhet t’ia bëjmë rregullisht vetes. “Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar” (2 Korintasve 13:5). Kur e analizojmë rrugën tonë të krishterë, as nuk duhet që ta përqëndrojmë vëmendjen tek sukseset që kemi arritur, as nuk duhet që ta krahasojmë veten me besimtarët e tjerë, sepse, duke vepruar kështu, e mashtrojmë veten dhe ia bëjmë qejfin vetes, duke kujtuar se jemi më të mirë sesa të tjerët. Përkundrazi, duhet ta shohim nëse po jetojmë në mënyrë mishore apo shpirtërore, duke e parë nëse po ia vëmë veshin apo jo fjalës së Perëndisë. “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte. Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:22-25).

Si po e dëgjoj Fjalën?

Ka nga ata, që nuk duan të dëgjojnë. E vërteta iu hyn nga njëri vesh dhe iu del nga tjetri. Kujtojnë se nuk kanë për ta humbur shpëtimin, po të bëjnë si t’iu dojë qejfi. Mëkatojnë sa të duan, sepse kujtojnë se kanë për të shkuar në Parajsë, por sa gabim e kanë! Po ne, a po jetojmë në mënyrë mishore? Na pëlqen fjala e Perëndisë, por a po e studjojmë vërtet atë ashtu siç duhet? A mjaftohemi thjesht me ato që dëgjojmë në kishë, apo me një lexim shpejt e shpejt të Biblës, kur na del koha gjatë ditës? Pali na thotë se, nëse kemi smirë, grindje apo përçarje me njëri-tjetrin, këto janë shenja papjekurie shpirtërore.

Fëmija i vërtetë i Perëndisë duhet të ecë:

  1. sipas Frymës: “Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16);
  2. në dashuri: “edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë” (Efesianëve 5:2).
  3. në unitet: “duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efesianëve 4:3).

Kjo listë e shkurtër na tregon, pra, nivelin e vërtetë të ecjes tonë në Krishtin. Nëse nuk ia kemi arritur standarteve të tilla, atëherë duhet t’i bëjmë pyetje vetes se kujt po ia vëmë veshin: botës apo fjalës së Zotit? A ia kemi përkushtuar veten mëkatit, apo Shpëtimtarit? “Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav” (Romakëve 7:14). Nëse mendjen e kemi tek bota dhe tek gjërat që marrim prej saj, atëherë jeta jonë shpirtërore ka për vuajtur pasoja të rënda. Por nëse mendjen e kemi tek Perëndia, jeta jonë ka për t’u bërë më fitimtare, më e pjekur dhe më e kënaqshme për Zotin.

Përfundim

Këtu qëndron, pra, sfida, për secilin prej nesh: duhet të përpiqemi për ta lexuar, për ta studjuar dhe për ta vënë çdo ditë në praktikë fjalën e Perëndisë, në mënyrë që të bëhemi besimtarë, të cilët ia kanë përkushtuar vërtet jetën Krishtit. Po të rritemi përditë në njohurinë e Perëndisë, jo vetëm që do të mbushemi me Frymën e Shenjtë, duke iu bindur zërit të Tij, por edhe kemi për t’i treguar botës se kush është krishtërimi i vërtetë biblik. Rruga jonë ka për të qenë dëshmi e gjallë e hirit shpëtues të Zotit.

Mbrapa