Tregimi i Jezusit dhe Kombi Izraelit

Edhe pse ky pasazh është një shëmbëlltyrë, prapëseprapë, ai bazohet tek historia fetare e Izraelit deri në ardhjen e Krishtit. Në këtë shëmbëlltyrë, Zoti na tregon historinë, që ka të bëjë me Perëndinë dhe popullin e Tij, që nga eksodi prej Egjiptit, e deri tek shkatërrimi i Jeruzalemit.

Të zgjedhur

Pastaj ai filloi t’u flasë me shëmbëlltyra: “Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg” (Marku 12:1).

Perëndia e kishte bekuar Izraelin me privilegje të mrekullueshme. I kishte dhënë një mëmëdhe – Tokën e Premtuar. I kishte dhënë ligje dhe dekrete të mira. I kishte dhënë fitore kundër shtatë kombeve të tjera, që ishin më të fuqishëm sesa izraelitët. Edhe pse Perëndia kishte patur mundësinë t’i bënte favore Egjiptit, Sirisë, Greqisë dhe Romës, prapëseprapë, Ai kishte zgjedhur Izraelin si popullin e Tij. S’ka komb në botë, që të ketë marrë kaq shumë bekime sa familja e Abrahamit.

Edhe kombi ynë është bekuar shumë prej Perëndisë. Ai e zgjodhi Britaninë e Madhe dhe e përdori atë për të dërguar misionerë në vende të ndryshme të botës, për të përhapur lajmin e mirë. Na dha burra të tillë të shquar, si p.sh. Uiklif, i cili përktheu Biblën në anglisht, e të cilit i është borxhli e tërë bota. Përse e zgjodhi Perëndia Britaninë e Madhe, e nuk zgjodhi Kinën, apo Francën? Nuk na zgjodhi, ngaqë ishim më të mirë, apo më të denjë sesa të tjerët, por na zgjodhi për shkak të hirit të Tij falas. Sot, Britania është e ndëshkuar si komb, sepse e ka hedhur poshtë pikërisht atë gjë, që e bëri dikur të famshme: Biblën. E, duke e hedhur poshtë Biblën, ajo ia ka kthyer kurrizin vetë Perëndisë. “Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht mbi një kodrinë shumë pjellore. E rrethoi me një gardh, hoqi gurët, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, ndërtoi në mes një kullë dhe bëri një trokull. Ai priste që të prodhonte rrush të mirë, kurse prodhoi rrush të egër. Kështu, pra, o banorë të Jeruzalemit dhe njerëz të Judës, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim. Çfarë mund t’i kisha bërë vreshtit tim që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër? Por tani do t’ju njoftoj atë që gatitem të bëj me vreshtin tim: do ta heq gardhin dhe do ta përpihet krejt, do të shemb murin e tij dhe atë do ta shkelin. Do ta katandis në një shkretëtirë: as nuk do ta krasit as nuk do ta punoj me shatë, por do të mbijnë ferra dhe gjemba; dhe do të urdhëroj retë që të mos bjerë shi, fare. Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi” (Isaia 5:1-7).

Të korruptuar

Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit. Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh. Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar. Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë” (Marku 12:2-5).

E gjithë historia e Izraelit, ashtu siç është e dokumentuar edhe në Dhiatën e Vjetër, bën fjalë për rebelimin e vazhdueshëm të këtij populli ndaj Perëndisë. Është një histori e gjatë e një populli të korruptuar. Gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, lexojmë rreth profetëve, që iu dërguan Izraelit, si edhe rreth paralajmërimeve të tyre. Por, në më të shumtën e rasteve, këta profetë nuk u pranuan, u persekutuan, e madje, edhe u vranë. Për shembull, Mikajahun e futën në burg (1 Mbretërve 22:26-27), Jeremian po ashtu (Jeremia 37:15-16), Zakarian e vranë me gurë (2 Kronikave 24:20-21), kurse Gjon Pagëzorit ia prenë kokën (Marku 6:27). Këta profetë erdhën tek vreshta e Perëndisë, për të kërkuar frytin e drejtësisë e të shenjtërisë, por nuk gjetën gjë. “Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij” (2 Kronikave 36:16). Edhe pse Perëndia u tregua i duruar me Izraelitët dhe priti që të pendoheshin, prapëseprapë, lexojmë më tej sesi Zotit nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të derdhte mbi ta zemërimin dhe gjykimin e Tij, “deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje”.

Ne, në këtë komb, e meritojmë të ndëshkohemi edhe më shumë se Izraeli. Duket sikur Perëndia nuk po na ndëshkon ashtu siç e meritojmë, në bazë të korrupsionit serioz të këtij kombi (kudo ka paperëndishmëri, homoseksualitet, aborte dhe padrejtësi). Vazhdimisht e provokojmë Atë, që të zemërohet me ne, e megjithatë, Ai tregohet i duruar. “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). Do të vijë dita, kur durimit të Tij do t’i vijë fundi, e pastaj, Ai do të gjykojë. “Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve” (Fjalët e Urta 14:34). Prandaj edhe kemi nevojë për një ringjallje të fuqishme në kombin tonë. Ai është në prag të rrënimit e duhet të kthehet mbrapsht. “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17).

Zemërgurë

I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: “Për djalin tim do të kenë respekt”. Por ata vreshtarë i thanë njeri tjetrit: “Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia”. Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit” (Marku 12:6-8).

Jezusi përshkruan këtu sjelljen zemërgurë, që treguan Izraelitët kundrejt profetëve të tyre. Profetët iu sollën njerëzve fjalën e Perëndisë e madje, bënë edhe mrekullive midis tyre. Por zemrat e njerëzve ishin kaq të ngurtësuara, saqë asgjë nuk iu bënte më përshtypje. Më në fund, atyre iu dërgua vetë Biri i Perëndisë, Mesia i tyre, por e mohuan edhe Atë dhe e vranë. “Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan” (Gjoni 1:11)…“Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini, ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë” (Veprat e Apostujve 2:22-23).

Kurrë nuk duhet ta harrojmë se zemra dhe vullneti njerëzor mund të sëmuren “në mënyrë të pashërueshme” (Jeremia 17:9). Do vijë dita, kur do ngrihemi nga gjumi në mëngjes, e do të shohim se si duar të liga kanë marrë nën kontroll drejtimin e qeverisë e të kishës, e na i kanë hequr edhe ato liri fetare që kishim. Kombi ynë, i themeluar mbi mësimet e Krishtit, do ta hedhë poshtë gjithçka, që ka të bëjë me Të. E kemi për detyrë, që t’i paralajmërojmë bashkëatdhetarët tanë, duan apo s’duan ata. Zemrat mund t’i ndryshojë vetëm Fryma e Shenjtë. “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7)…“Mos u mrrekullo që të thashë: “Duhet të lindni përsëri” (Gjoni 3:7).

Ndëshkimi

Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t’i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve. Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: “Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes. Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë”?”. Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën” (Marku 12:9-12).

Drejtuesit fetarë e kuptuan se kjo shëmbëlltyrë po iu vinte në dukje pozitën e tyre para Perëndisë. Ishin të ndëshkuar, dhe vetë historia ishte provë e mjaftueshme e këtij fakti. E kishin ndëshkuar vetë vetveten, me fjalët që nxirrnin nga goja: “Ata i thanë: “Ai do t’i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet” (Mateu 21:41). E dinin gjithashtu se Jezusi ishte në dijeni të planit të tyre, d.m.th. të krimit më të madh në historinë e botës. Ashtu siç e bën qartë edhe shëmbëlltyra, ata po bëheshin gati për ta kryqëzuar Mesian e tyre. Edhe pse e dinin këtë, prapëseprapë, nuk u penduan, por ishin të bindur se Mbretëria e Perëndisë iu përkiste vetëm atyre. “Ai do të vijë, do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve”. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Kështu mos qoftë” (Luka 20:16). Parajsa nuk iu përket atyre, që e mohojnë Krishtin. “Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt. Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar” (Mateu 21:43-44). Drejtuesit fetarë e kishin kuptuar thelbin e shëmbëlltyrës së Jezusit, e ngaqë Ai citoi Psalmin Mesianik (Psalmi 118:22-23), ata e dinin se Ai po deklaronte se Ai vetë ishte Mesia i shumëpritur. E kishin mohuar kështu të vetmin Mesi, që kishin, e në këtë mënyrë, e kishin hedhur poshtë gurin e qoshes. Ishin kthyer në një skuadër shkatërrimi, në vend që të ishin ndërtues të Mbretërisë së Perëndisë.

Këta drejtues fetarë po kryenin mëkatin e lashtë: atë të vrasjes së lajmëtarëve të vërtetë të Perëndisë. Por nuk mund ta vrisnin dot Jezusin në atë moment, sepse Ai konsiderohej prej turmës si një profet i Perëndisë. “Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet” (Mateu 21:46).

Njohuria për mëkatin dhe të bindurit se ke bërë mëkat, nuk i sjellin dot shpëtim shpirtit. Ka shumë prej atyre, që e dinë se janë mëkatarë, e megjithatë, vazhdojnë të bëjnë mëkate. Këta njerëz kanë nevojë për një ndryshim zemre e vullneti. Pa këtë, kurrë nuk mund të shpëtohen e të shkojnë në Parajsë.   

Përfundim

Feja gjithmonë është përpjekur t’i mohojë mësimet e Biblës. Feja vazhdon ta hedhë poshtë Krishtin dhe të gjithë ata, që e ndjekin. Do të vijë dita, kur ata që i kundërvihen Perëndisë, do të qëndrojnë përpara Tij dhe do të gjykohen.

Mbrapa

Advertisements