Tsiba dinak

“Davidi sapo e kishte kaluar majën e malit; kur ja, Tsiba, shërbëtor i Mefiboshethit, i doli përpara me gomarë me samar dhe të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një calik me verë. Mbreti i tha Tsibas: “Ç’ke ndërmënd të bësh me këto gjëra?”. Tsiba iu përgjigj: “Gomarët do t’i shërbejnë shtëpisë së mbretit për të hipur; buka dhe frutat e verës do të përdoren për të ushqyer të rinjtë, dhe vera do të pihet nga ata që do të jenë të lodhur në shkretëtirë”. Mbreti tha: “Ku është biri i zotërisë tënd?”. Tsiba iu përgjigj mbretit: “Ja, mbeti në Jeruzalem, sepse tha: “Sot shtëpia e Izraelit do të më kthejë mbretërinë e atit tim””. Atëherë mbreti i tha Tsibas: “Ja, të gjitha ato që janë pronë e Mefiboshethit janë të tua”. Tsiba iu përgjigj: “Unë po bie përmbys para teje. Paça hirin tënd, o mbret, o imzot!”” (2 Samuelit 16:1-4).

Parathënie

Nga pamja e jashtme, ky takim i Davidit me Tsibën na duket sikur është një takim i ndershëm dhe i rastësishëm. Por fakti qëndron këtu se ky takim ishte i paraplanifikuar mirë prej Tsibës, me qëllim për ta mashtruar Davidin.

Plani

Pas vdekjes së Jonathanit, Tsibës iu dha përgjegjësia për t’u kujdesur për gjithçka që i takonte Mefiboshethit, birit të Jonathanit, i cili ishte sakat nga këmbët (shiko 2 Samuelit 4:4, 9:9). Tsiba ishte, pra, i bekuar nga të gjitha anët, por donte edhe më shumë se ç’kishte, ndaj edhe ky takim u planifikua prej tij, me qëllim për t’ia vjedhur trashëgiminë Mefiboshethit. Më vonë, Davidi e kuptoi se Tsiba ia kishte punuar bukur, sepse vetë Mefiboshethi do t’i thoshte kështu mbretit, lidhur me Tsibën: “Ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime” (2 Samuelit 19:27). E megjithatë, ka të ngjarë që Davidi të mos ketë qenë plotësisht i bindur, lidhur me tradhtinë dhe gënjeshtrën e Tsibës, sepse ai duket sikur e qorton Mefiboshethin, kur i thotë: “Ti dhe Tsiba ndajini tokat” (2 Samuelit 19:29). Në fakt, Tsiba duhet të ishte egzekutuar me vdekje.

E shohim, pra, se Tsiba nuk ishte mik i Davidit, pavarësisht se u tregua gjoja bujar dhe besnik ndaj tij. Thjesht priti, derisa Davidi të shfaqej në anën tjetër të malit të Ullinjve, me qëllim që ta përdorte këtë situatë, për të marrë atë që donte. Tsiba kishte gjetur kohën e përshtatshme. I kishte bërë mirë përgatitjet e duhura.

Ushqimet

Ka të ngjarë që Davidi dhe njerëzit e tij të mos kishin marrë shumë ushqime me vete, ngaqë u larguan me nxitim prej Jeruzalemit. Kështu që tërë ato ushqime duhet t’iu jenë dukur atyre si një bekim prej Perëndisë. Këtë donte edhe Tsiba. Ai ishte gati të investonte pak, me qëllim që të merrte me bollëk. Por ushqimet, që kishte prurë, nuk ishin të tijat, por të Mefiboshethit. Tsiba po tregohej bujar me lekët e dikujt tjetri! Mos vallë, e dinte historinë e Abigailit, se si ajo i kishte prurë dikur ushqime Davidit, për ta marrë atë me të mirë? (shiko 1 Samuelit 25:18). Ndoshta Tsiba po përdorte të njëjtën metodë, për t’ia arritur qëllimit të tij dinak.

Besueshmëria

Tsiba i tha Davidit se Mefiboshethi ishte në Jeruzalem, për t’i kërkuar Absalomit, që t’ia kthente Saulit mbretërinë, por kjo s’ishte gjë tjetër veçse një gënjeshtër e ligë, me qëllim për ta bërë Davidin për vete. Mefiboshethi më vonë ia shpjegoi kështu situatën Davidit: “Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: “Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?”. Ai u përgjigj: “O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: “Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin,” sepse shërbëtori yt është çalaman” (2 Samuelit 19:25-26). “Nuk ka tradhtarë më të ligë, sesa ata që pretendojnë se të kanë mik” (Shënime nga Bibla Studimore e Gjenevës). Kështu, pra, Mefiboshethi ishte në shtëpinë e vet, kurse gomarët që Tsiba ia kishte prurë Davidit, duhet të ishin futur në punë, për ta sjellë vetë Mefiboshethin tek mbreti. E si mund të ngrinte krye ky njeri sakat ndaj Davidit? Për më tepër, Absalomi i përkiste dinastisë së Davidit dhe nuk kishte ndërmend, që t’ia lëshonte fronin Mefiboshethit. Këtij njeriu të çalë do t’i duhej t’i mundte si Davidin, ashtu edhe Absalomin, për t’u bërë vetë mbret. Historia e Tsibës, pra, ishte thjesht përrallë. Ai vetë e dinte se asnjë prej shërbëtorëve të Saulit nuk e kishte deklaruar akoma hapur përkrahjen e tij ndaj Davidit, ndaj edhe po sugjeronte se Mefiboshethi ishte shkaktari i kësaj kryengritjeje. Davidit iu duk e besueshme kjo histori, ndaj edhe e pranoi atë si të vërtetë, pa i bërë Tsibës më pyetje të tjera. “Pa dyshim, pra, për momentin, Davidi, duke i besuar lajmit të një gënjeshtari, lidhur me Mefiboshethin, u nxitua dhe bëri një gjykim të padrejtë, i cili i shkaktoi dëm të madh karakterit dhe interesit të mikut të tij të devotshëm” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Pasuria

Në një situatë të zakonshme, Davidi do të kishte qenë në gjendje ta kuptonte marrëzinë e fjalëve të Tsibës. Por, ngaqë mendjen e kishte plot e përplot me ngjarjet, që i kishin ndodhur atë ditë, iu besoi gënjeshtrave. Nuk e kuptoi se Tsiba po e përdorte fatkeqësinë e dikujt tjetri, për të përfituar për vete. Tsiba nuk ishte as mik i Davidit, as i Mefiboshethit. Ai ishte një mashtrues, që donte, me çdo kusht, të kishte sa më shumë pasuri. Davidi i dha Tsibës gjithçka, që i takonte Mefiboshethit, ngaqë i zuri besë se ishte një shërbëtor besnik. Pa dyshim që Davidit i erdhi keq, kur mori vesh se biri i Jonathanit po ngrinte krye kundra tij, për t’i marrë fronin. Gjon Uesli thotë se Davidi “u nxitua, kur mori vendimin” dhe u tregua “i padrejtë, kur e ndëshkoi një njeri, pa e dëgjuar atë vetë me veshët e tij se ç’kishte për të thënë, duke u mbështetur kështu vetëm në dëshminë e një akuzuesi dhe shërbëtori”. “Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të akuzuar dikë për çfarëdo krimi apo mëkati të kryer; fakti do të përcaktohet me deponimin e dy ose tre dëshmitarëve” (Ligji i Përtërirë 19:15).

Pretendimi

Fjalët e fundit të Tsibës (në vargun 4-r të këtij studimi) tingëllojnë sikur janë fjalë, që dalin nga goja e një njeriu të përulur. Tsiba i bën lajka Davidit. Po qe se ishte vërtet shërbëtor besnik i mbretit, atëherë pse nuk i shkoi nga pas? Në fakt, Tsiba s’kishte frikë fare të kthehej prapë e të qëndronte në Jeruzalem, derisa Davidi të kthehej e ta merrte në dorë përsëri fronin e vet (2 Samuelit 19:17).        

Përfundim

Tsiba ishte njeri dinak, i cili po bënte plane për të ardhmen. Po tregohej i zgjuar, ngaqë e dinte se kryengritja e Absalomit nuk do ta kishte jetën e gjatë, ndaj edhe po ia hapte rrugën vetes, për t’u ngritur në pozitë, kur të kthehej Davidi. “Ky njeri dinak po priste, që komploti i Absalomit të dështonte, ndaj edhe mori masa, për ta përgatitur veten për suksesin e tij të ardhshëm në mbretërinë e restauruar të Davidit” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Sa të kujdesshëm duhet të tregohemi, për të mos iu besuar thashethemeve, që dëgjojmë, sidomos kur ato thuhen si kritikë ndaj dikujt tjetri!

Mbrapa

Advertisements