Tulla në vend të gurëve

Dhe i thanë njëri tjetrit: “O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!”. Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.” (Zanafilla 11:3)

Parathënie                           

Ndoshta e dimë mirë historinë e kullës së Babelit, se si njerëzit rebelë ngritën krye kundra Zotit, duke dashur të arrinin qiellin. Por Perëndia iua prishi planet.

Situata

Pas përmbytjes, Zoti iu tha njerëzve që ta ripopullonin tokën, duke u shpërndarë në të gjithë botën (shiko Zanafilla 9). Por, në kundërshtim me këtë urdhërim, ata vendosën që të ndërtonin një qytet të fortifikuar në Shinar të Babilonisë, në Irakun e sotshëm (shiko Zanafilla 11). Udhëheqësi i tyre ishte një njeri me emrin Nimrod, i cili jetoi rreth 100 vjet pas përmbytjes. Ky fakt na vërteton se Perëndia durimtar kishte kohë që priste që njerëzit t’i bindeshin fjalës së Tij. Emri “Nimrod” do të thotë “ai rebeloi”, d.m.th. ai ishte me të vërtetë një njeri i keq. Tek Zanafilla 10:8-9 na thuhet: “Kushit i lindi Nimrodi, që filloi të jetë një njeri i fuqishëm mbi tokë. Ai qe një gjahtar i fuqishëm para Zotit; prandaj thuhet: “Si Nimrodi, gjahtari i fuqishëm para Zotit“. Tek 1 Kronikasve 1:10 na thuhet: “Kushit i lindi Nimrodi, që filloi të jetë një njeri i fuqishëm mbi tokë”. Vargje të tilla na tregojnë se Nimrodi ishte një mëkatar i madh, vrasës i të pafajshmëve dhe rebel kundra Zotit. E shohim, pra, se si Babeli dhe kulla e tij përfaqësonin një akt rebelimi kundra Perëndisë.

Tullat

Për të ndërtuar qytetin dhe kullën, Nimrodi vendosi të përdorë tulla në vend të gurëve. Ky mund të na duket si një veprim i parëndësishëm, por, përkundrazi, ishte fillimi i kundërshtimit të fjalës së Perëndisë nga ana e njerëzve. Do ishte më kollaj të përdoreshin drunj nga pylli, apo gurë për të ndërtuar banesa, por jo. Këta njerëz kishin marrë vendim për ta ndërtuar qytetin sipas qejfit të tyre. Gjithçka ishte bërë e përgatitur prej duarve të tyre, jo prej gjërave që Perëndia kishte krijuar me kohë. Ata, jo vetëm që donin të ndërtonin shtëpitë e tyre, por donin të planifikonin gjithashtu edhe vetë të ardhmen. Mund të shkonin deri në qiell e t’i preknin yjet, thjesht me forcat e veta, pa patur nevojë për Perëndinë apo për fjalën e Tij. Në këtë mënyrë, Nimrodi do të lavdërohej, jo Zoti.

Kështu, pra, kjo punë ndërtimi kishte si synim që njerëzit ta vendosin vetë fatin e tyre, duke jetuar sipas rregullave të veta – qeveria e popullit, për vetë popullin, pa nevojën e një autoriteti hyjnor. Nuk e donin Perëndinë si Mbret, por ishin gati ta lejonin Nimrodin të bëhej diktator! A e shohim, pra, se si e filloi jetën e saj filozia e komunizmit? A nuk është vërtet interesant fakti se si diktatorët komunistë, që u munduan të ndërtonin perandoritë e tyre, kujtonin se mund ta shfarosnin Perëndinë përgjithmonë nga faqja e dheut? Sa herë që njerëzimi është munduar të veprojë ashtu si Nimrodi, Perëndia ka ndërhyrë për t’ia prishur punën dhe do të vazhdojë t’ia ndërpresë punën edhe Nimrodit të fundit (Antikrishtit), kur ky të mundohet ta qeverisë një ditë botën.

Besimtari

Shoqëria në të cilën jetojmë, e urren Krishtin dhe kishën. Pothuajse të gjitha kombet dhe qeveritë e tyre mundohen të jetojnë pa patur nevojë për Zotin. Jetojmë në një vend aq tolerant, saqë nuk egziston fare toleranca ndaj së vërtetës biblike! Përkundrazi, njerëzit, sa herë që iu jepet rasti, përpiqen t’i vënë në lojë dhe t’i persekutojnë ata, që duan ta ndjekin Zotin. Kërkojnë të jetojnë sipas qejfit dhe e hedhin poshtë domosdoshmërinë e një jete të shenjtë e të drejtë. Humanizmi thotë se njeriu është zot i vetvetes, se e di vetë se ç’është e mira dhe ç’është e keqja. Një gënjeshtër e tillë i ka rrënjët tek kopshti i Edenit. “Por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen” (Zanafilla 3:5).

Besimtari nuk kontrollohet prej opinionit publik, apo prej politikës qeveritare. Ai nuk është një tullë e vdekur e duarve të shoqërisë, por një gur i gjallë i Perëndisë, që e ka krijuar. “Edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 2:5). Është kollaj të jetosh rehatshëm, kur kompromentohesh me botën dhe standartet e saj. Por ata që bëhen miq të botës, bëhen armiq të Perëndisë. “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4). Jemi thirrur të jetojmë sipas standarteve të Perëndisë, jo sipas standarteve të ndryshme të botës. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2).

Qyteti i besimtarit nuk është i ndërtuar prej metodave fetare, politike, apo humaniste. Ne presim “qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia” (Hebrenjve 11:10). Nuk jemi të botës (Gjoni 17:6), prandaj edhe nuk qeverisemi prej ligjeve të njerëzve. Nuk duhet ta lejojmë veten që të ndikohemi nga të tjerët, përkundrazi, Fryma e Shenjtë do të na udhëheqë, derisa të arrijmë Qytetin Qiellor. “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve” (Veprat e Apostujve 5:29). Pavarësisht sesa shumë mund të mundohet armiku i shpirtrave tanë, që të na bëjë që t’i kundërvihemi vullnetit të Perëndisë, prapëseprapë duhet t’i rezistojmë atij, “duke e mbajtur lart fjalën e jetës” (Filipianëve 2:15). Shtëpia jonë është e ngritur mbi themelin e patundur të Perëndisë, jo mbi rërën e cekët të njerëzve rebelë. “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh” (Mateu 7:24-27).

Përfundim                                                            

Të shumtë kanë qenë ata Nimrodë, të cilët janë përpjekur për ta përfunduar detyrën e paraardhësit të tyre, por asnjëri nuk ia ka arritur qëllimit. Të shumtë kanë për të qenë edhe ata Nimrodë të ardhshëm, paraardhës të atij të fundit, “njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi” (2 Thesalonikasve 2:3-4). Lavdi Zotit, që i përkasim një Mbretërie, e cila nuk është e krijuar prej duarve njerëzore, prandaj edhe nuk ka për t’u shembur. “Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit” (Psalmi 127:1).

Mbrapa