Udhëtimi i frikshëm

“Samueli u përgjigj: “Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë”. Zoti tha: “Do të marësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: “Kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotit”. Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë”” (1 Samuelit 16:2-3).

Parathënie

Është Perëndia Ai, që na i drejton hapat, kur ecim sipas vullnetit të Tij. “Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij” (Fjalët e Urta 16:9). Kur nuk e dimë se kë rrugë duhet të marrim, apo se kush është më e mira për ne, apo se si të ballafaqohemi me shqetësime të ndryshme personale, Zoti na ka premtuar se do të jetë gjithmonë me ne, për të na udhëhequr. “Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua. Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë” (Isaia 43:1-2). Këtë gjë e kuptoi edhe Samueli, në momentin kur Perëndia i dha urdhër për të shkuar e për të vajosur mbretin e ri të Izraelit.

I frikësuar prej Saulit

Mbreti Saul ishte i pashpirt e mizor, prandaj edhe Samueli kishte të drejtë të frikësohej prej tij. Siç do ta shohim edhe në studimet e ardhshme, Sauli na paraqitet si një njeri, që s’kishte besim te askush dhe inatosej shpejt, po ta merrte vesh se dikush po i thurte intriga pas shpine. Vajtja e Samuelit në Bethlehem, me bririn të mbushur me vaj, do ta bënte Saulin të dyshonte. Ka të ngjarë që Sauli të kishte spiunët e tij kudo, prandaj edhe Samueli kishte të drejtë të mendonte se s’do të arrinte dot i gjallë në Bethlehem. Frika e Samuelit bazohej tek fakti se mbreti ishte gati ta ekzekutonte njeriun e Perëndisë, pa hezituar aspak, gjë që na tregon sesa i ligë ishte bërë Sauli.

Të paktë janë ata besimtarë sot, që janë gati të ballafaqohen me frikën, ashtu siç u ballafaqua edhe Samueli. Për të, frika nuk përfaqësonte mungesë besimi, por, përkundrazi, tregonte se ai i kuptonte mirë pasojat e detyrës, që i kishte ngarkuar Zoti. Samueli po i hapte zemrën Perëndisë dhe nuk po i fshihte ndjenjat e vërteta të tij pas fasadës së besimit fallco, apo rrëfimit pozitiv. Fakti që Samueli shkoi direkt tek Zoti, na tregon se ai vërtet i besonte Atij, pavarësisht nga frika që kishte. “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë? Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë. Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim” (Psalmi 27:1-3).

Plani

Kur Perëndia thur plane për ne, atëherë jemi të sigurtë se planet e Tij janë të përsosura. Samueli thjesht duhej t’i ndiqte pikë për pikë udhëzimet e Zotit. Vajtja e profetit në Bethlehem me një mëshqerre për flijim, do të konsiderohej si diçka e zakonshme. Nga pamja e jashtme, të tjerët do të kujtonin se ai thjesht po kryente një detyrë fetare, për hir të mëkatarëve në atë fshat. Ka të ngjarë që Samueli ta kishte bërë si zakon udhëtimin e tij nga fshati në fshat, për të predikuar e për t’i thirrur njerëzit drejt pendimit. Të tjerët do ta vinin re ardhjen e familjes së Isait tek flijimi, por kjo ardhje nuk do të konsiderohej si diçka e jashtëzakonshme. Ndoshta, njerëzit do të kujtonin se kjo familje kishte kryer ndonjë mëkat të madh, ndaj edhe profeti duhej të flijonte mëshqerren. Flijimi ishte ‘ofertë paqeje’, për të mbuluar mëkatet e atyre, që pendoheshin. Samueli ishte në gjendje ta ofronte flijimin, ngaqë ai ishte edhe prift, edhe profet. “Kur një njeri ofron një flijim falënderimi, po të jetë se ofron një bagëti të trashë të marrë nga kopeja, qoftë mashkull apo femër, do ta ofrojë pa të meta përpara Zotit. Do të vërë dorën mbi kokën e ofertës së tij dhe do ta therë në hyrje të çadrës së mbledhjes; pastaj priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të shpërndajnë gjakun rreth e qark mbi altarin” (Levitikut 3:1-2)… “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Samueli shkoi në Bethlehem, pa e ditur se kush do të ishte mbreti i ri i Izraelit. Do ta kishte kuptuar se ky mbret ishte pjesëtar i familjes së Isait, por s’ka dyshim se ai u habit shumë, kur Perëndia i tha se kush ishte në të vërtetë mbreti. Zoti gjithmonë e di se ç’është më e mira. “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia,” thotë Zoti. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:8-9).

Përfundim

Frika nuk është një gjë aq e keqe, sa ç’thonë sot ca pastorë. Frika na bën më të kujdesshëm e më të matur, kur vjen puna për t’u përfshirë në veprimtari të rrezikshme, të cilat mund të na dëmtojnë ne, apo të tjerët. Por, frika nuk duhet të na pushtojë. Përkundrazi, besimi në Perëndinë e mund frikën, sa herë që ajo na pengon prej së kryerit të vullnetit të Tij. “Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?” (Psalmi 118:6). Samuelit i duhej të shkonte në Bethlehem me besim, përndryshe nuk do të realizonte atë, që kishte planifikuar Perëndia. Liria dhe fitorja nuk do të arrihej kurrë, po qe se Samueli do të ishte zënë në kurth, nga frika që kishte prej Saulit. “Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar” (Fjalët e Urta 29:25). Edhe pse Zoti do të kishte caktuar një profet tjetër, po qe se Samuelin do ta mundte frika, prapëseprapë, Ai donte që Samueli të mbahej mend në historinë e njerëzimit si njeriu, që e vajosi Davidin si mbret, nga familja e të cilit erdhi edhe Mbreti Jezus. Sa shumë bekime humbasim, kur nuk i besojmë Perëndisë ashtu siç duhet!

Mbrapa

Advertisements