Vajtja në Gath

“Davidi tha në zemër të tij: “Një ditë ose një tjetër unë do të vritem nga dora e Saulit; prandaj nuk ka asgjë më të mirë për mua se sa të shpëtoj kokën në vendin e Filistejve; kështu Sauli do të heqë dorë të më kërkojë akoma në të gjithë territorin e Izraelit; kështu do të shpëtoj nga duart e tij”. Prandaj Davidi u ngrit dhe shkoi, bashkë me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete, te Akishi, bir i Maokut, mbret i Gathit. Kështru Davidi qëndroi me Akishin në Gath, ai vetë dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; Davidi me dy bashkëshortet e tij: Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit. Pastaj i njoftuan Saulit që Davidi kishte ikur në Gath, dhe ai nuk e kërkoi më.” (1 Samuel 27:1-4).

Parathënie

Teksti i mësipërm na tregon se Davidi nuk kishte besim se mbreti Saul do ta mbante fjalën, prandaj edhe e ndjeu veten më të sigurtë mes filistenjve, armiqve të Izraelit. Ndoshta ai ishte i shtyrë të vepronte kështu nga frika e jo nga besimi në Zotin. Kujtoi se Akishi do ta mbronte prej ndonjë sulmi të Saulit. Por nuk duhet të presupozojmë se ngjarjet e këtij kapitulli janë të aprovuara prej Perëndisë. “Davidi nuk ka besim tek mbrojtja e Perëndisë, ndaj edhe ikën e fshihet mes idhujtarëve, që ishin armiq të popullit të Zotit” (citat i marrë nga Bibla Studimore e Gjenevës).

Do të vritem

Takimi, që pati herën e fundit me Saulin, në vend që ta gëzonte Davidin, e bëri atë edhe më të dëshpëruar e më të zhgënjyer se më parë. Dhe, si pasojë, ai fillon e kryen përsëri veprime nga frika, jo nga besimi. I kishte harruar premtimet, që i kishte bërë dikur Perëndia, ndaj edhe këndvështrimi që kishte tani në jetë ishte shumë pesimist. Sipas tij, do të vritej, po të mos ikte në vendin e filistenjve. Edhe grupi gjithnjë e në rritje i njerëzve që e ndiqnin, kishte filluar të mendonte të njëjtën gjë. S’ka dyshim se frika e Davidit mbështetej tek fakti se atij i duhej të kujdesej për të gjithë ata, që i kishte nën vete, duke përfshirë këtu edhe dy gratë e tij. Gjithmonë ka rrezik që, në momente vështirësie e zhgënjimi, besimtarët e harrojnë faktin se Perëndia është gati për t’i mbrojtur e për t’u kujdesur për ta. E si mund të vritej Davidi prej Saulit, në një kohë që Perëndia kishte thënë se ai do të bëhej mbreti i ardhshëm i Izraelit? Problemi qëndronte këtu: Davidi i foli zemrës së vet e jo Perëndisë në lutje. “Ky ishte, pa dyshim, një gabim i madh i Davidit, sepse erdhi si rezultat i mosbesimit të tij në premtimet dhe kujdesin e Perëndisë, në një kohë që Perëndia i kishte treguar atij me dhjetëra herë se sa shumë kujdesej për të” (Gjon Uesli).

Davidi ishte i lodhur nga përndjekja që i kishte bërë Sauli gjatë gjithë këtyre viteve. Besimi në Perëndinë i kishte dhënë atij shpeshherë shpresë, por tani ai po ballafaqohej me një situatë, që po ia thante tërë shpresën e forcën. E kishte humbur durimin. “Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh. Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara” (Hebrenjve 10:35-36)… “Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:9). Durimi është besim këmbëngulës, është qëndrueshmëri, që e mposht çdo lloj dëshpërimi e zhdekurajimi. “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë” (Jakobi 1:2-4).

Do të mbrohem

A ishte vullneti i Perëndisë, që Davidi të gjente strehë mes filistenjve? Është e vërtetë se Sauli nuk do ta kërkonte më në Gath, por kjo nuk do të thotë se këtë donte edhe Perëndia. A do t’i merrte Zoti mbrapsht fjalët, që i kishte thënë Davidit nëpërmjet profetit Gad? “Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës” (1 Samuelit 22:5). Perëndia donte që Davidi t’i besonte Atij në Izrael, jo në vendin e filistenjve.

Davidi nuk kishte zënë mend prej gabimit që kishte bërë më parë, kur ishte fshehur mes filistenjve (1 Samuelit 21:10-15). Përsëri, pra, frika dhe mosbindja do ta largonin prej Perëndisë. I dukej sikur kishte më shumë gjëra të përbashkëta me filistenjtë, sesa me popullin e tij në Izrael. “Po qe se jemi shërbëtorët e Krishtit, atëherë duhet të kemi më shumë afrimitet madje edhe me të krishterët më të dobët, sesa me jo-besimtarët më të fortë” (Aleksandër Maklaren). Ata që zënë më parë miqësi me jo-besimtarët, sesa me anëtarët e kishës së tyre, shumë shpejt kanë për t’u zhgënjyer. “A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4). Akishi kishte qëllime të tjera, ndaj edhe e lejoi Davidin dhe njerëzit e tij, që të banonin në Gath. Kjo situatë do të bëhej shkak “për marrjen e masave të ashpra kundër Izraelit, masa këto, të cilat po kurdiseshin prej filistenjve” (nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Përfundim

Davidi mund t’ia kishte arritur qëllimit, për t’i grumbulluar të gjithë njerëzit e tij në Gath, por ai veproi kështu pa miratimin e Perëndisë. Shpeshherë, rezultatet e mira që arrijmë në jetë, nuk vërtetojnë se bekimet e Zotit janë mbi ne. Ato mund të jenë thjesht bekimet fallco të djallit, që na bëjnë që ta harrojmë burimin e vërtetë të bekimit. “Mosbesimi është një mëkat, prej së cilit zihet mat shumë shpejt edhe njeriu më i mirë, sidomos atëherë kur ky njeri sulmohet nga jashtë prej armikut, e nga brenda prej frikës. Është vështirë për t’i mposhtur armiq të tillë” (Mateo Henri).

Mbrapa

Advertisements