Vallë, si ranë trimat?

“Atëherë Davidi ia mori këtij vajtimi për Saulin dhe Jonatanin, birin e tij, dhe urdhëroi t’u mësonin bijve të Judës këngën e harkut. Ja, ajo gjendet e shkruar në librin e të Drejtit. “Madhështia e Izraelit qëndron e vrarë në lartësitë e tua! Si është e mundur që ranë trimat? Mos ia njoftoni Gathit, mos e bëni të ditur nëpër rrugët e Ashkalonit, që të mos gëzohen bijat e Filistejve, që të mos ngazëllohen bijat e të parrethprerëve. O male të Gilboas, mos rëntë më as vesa as shiu mbi ju, mos pastë as fusha ofertash; sepse aty u hodh mburoja e trimave, mburoja e Saulit, sikur ky të mos ishte i vajosur. Nga gjaku i të vrarëve, nga dhjami i trimave, harku i Jonatanit nuk u tërhoq kurrë dhe shpata e Saulit nuk u vërtit kurrë bosh. Sauli dhe Jonatani; aq të dashur dhe të përzemërt në jetë, nuk u ndanë në vdekjen e tyre. Ishin më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët. Bija të Izraelit, vajtoni Saulin që ju vishte në luks me rroba flakë të kuqe, që i zbukuronte me ar veshjet tuaja. Vallë, si ranë trimat në mes të betejës, si u vra Jonathani në lartësitë e tua? Unë jam në ankth për ty, o vëllai im Jonatan; ti ishe shumë i dashur për mua, dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme se dashuria e grave. Vallë, si ranë trimat dhe si u shkatërruan armët e luftës?”” (2 Samuelit 1:17-27).

Parathënie   

Davidi u hidhërua shumë prej vdekjes së Saulit e të Jonathanit. Brenda një dite, kishte humbur si armikun më të madh, ashtu edhe mikun e tij më të shtrenjtë. Por, në këtë vajtim poetik, nuk vëmë re asnjë ndjenjë kënaqësie.

Vajtimi

Vajtimi i Davidit është thjesht një këngë, apo një psalm i kompozuar prej tij si elegji për Saulin dhe Jonathanin. Në hebraisht, fjala ‘vajtim’ do të thotë ‘të qash, duke thërritur me hidhërim’. Ashtu siç na thuhet edhe tek vargu 18-të, kjo këngë titullohej ‘Kënga e Harkut’. “Ka të ngjarë që titulli i kësaj kënge të trishtuar varrimi, të ketë qenë “kasheth” (në hebraisht), ose “harku”” (Mateo Henri). Davidi donte që kjo këngë të mësohej të këndohej prej të gjithëve në Jude, me qëllim që askush të mos e harronte Saulin dhe Jonathanin. Një këngë e trishtuar mund të mos jetë edhe aq inkurajuese, por, ashtu siç shkroi edhe vetë Davidi më vonë: “Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua” (Psalmi 119:71). Kështu, pra, Perëndia mund të na mësojë të vërteta të rëndësishme madje edhe në momente hidhërimi. Shënim: Libri i të Drejtit (ose i Jasherit) është një dorëshkrim i pabazuar në Bibël. Një kopje e këtij libri  mund të gjendet pa vështirësi sot, por shumica e njerëzve besojnë se kopje të tilla janë të fallsifikuara. Origjinali ishte një përmbledhje e poezive të lashta të kombit të Izraelit.

Trimat

Tre herë me rradhë në këtë këngë, Davidi qan, duke thirrur: “Vallë, si ranë trimat?”. E shohim, pra, se ai akoma e vlerëson dhe nuk e hedh poshtë mbretin Saul. Ai është i mendimit se Izraeli vuajti një humbje të madhe, në momentin kur vdiqën Sauli dhe Jonathani, sepse ai i quan ata “madhështia e Izraelit” dhe më pas thotë se ata ishin “të dashur dhe të përzemërt”. Shprehja “madhështia e Izraelit” mund të përkthehet edhe si “gazelat”, apo “antilopat e Izraelit”. Duke përdorur fjalët “shqiponjat” dhe “luanët”, Davidi na tregon se sa trima të fuqishëm ishin Sauli dhe Jonathani. Kjo pjesë e elegjisë mund të na duket si një lavdërim i tepruar ndaj Saulit, por Davidi, në fakt, po e nderonte dhe po e respektonte pozitën e Saulit si mbret, plus që në të kaluarën ai kishte qenë vërtet një luftëtar trim.

Mallkimi

Filistenjtë pa dyshim që e kishin marrë vesh se Sauli dhe Jonathani kishin vdekur, sepse ia kishin prerë kokën mbretit dhe e kishin parakaluar trupin e tij në Bethshan. “Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe tre bijtë e tij të rënë në malin Gilboa. I prenë kokën Saulit, e zhveshën nga armatimi i tij dhe dërguan lajmëtarë në tërë vendin e Filistejve për ta çuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe popullit. E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e Ashtarothit dhe e varën kufomën e tij në muret e Beth-Shanit” (1 Samuelit 31:8-10). Davidit i vinte neveri, kur mendonte sesi filistenjtë po këndonin këngë fitoreje, në një kohë që Izraeli vajtonte. “Fjalët e Davidit nuk janë një urdhërim, por thjesht një dëshirë poetike, me anë të së cilës ai dëshiron që të mos gëzohen e ngazëllohen filistenjtë, duke e ditur njëkohësisht se kjo dëshirë do të ishte e pamundur për t’u realizuar” (Gjon Uesli). Ai i mallkoi filistenjtë, duke thënë që malet e bukura e të begatshme të Gilboas të bëheshin të shterpa si shkretëtira dhe që filistenjtë të kishin një zi buke, për shkak të asaj që kishin bërë.

O Jonatan!

Nuk duhet të habitemi që Davidi e shfaqi më shumë hidhërimin e tij për Jonatanin, mikun e tij më të ngushtë, sesa për Saulin. Kjo pjesë e fundit e këngës na paraqitet në një formë tributi të dhimbshëm. Davidi, edhe pse e nderon Saulin dhe nuk i përmend të gjitha ato që kishte vuajtur prej tij, prapëseprapë, në këtë këngë ai e përmend Jonatanin më shumë sesa Saulin. Siç e kemi thënë edhe në studimet e kaluara, ka nga ata njerëz të ligë, që e konsiderojnë miqësinë mes Davidit e Jonathanit si një marrëdhënie homoseksuale, ngaqë qëllimisht nuk e kuptojnë përdorimin e fjalës “dashuri” në këtë pasazh. Por vini re se si Davidi e quan Jonathanin “vëllai im”. Këta shokë ishin vëllezër të një gjaku. Për Davidin, miku i tij më i ngushtë ishte më i afërt, sesa çdo njeri tjetër në këtë botë. Në hebraisht, fjala “i dashur” tek vargu 26-ë ka tjetër kuptim prej po të njëjtës fjalë të përdorur tek vargu 23, pikërisht për të treguar dallimin mes karakterit të dashur të Jonatanit dhe atij të egër e egoist të Saulit. “Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin” (Romakëve 12:10)… “Dashuria vëllazërore le të mbetet” (Hebrenjve 13:1).

Përfundim

E dimë se Sauli ia bëri vetë të keqen vetes, për shkak të mosbindjes dhe të mëkatit të tij. Por e dimë gjithashtu se Perëndia po i përdorte këto rrethana, për ta sjellë Davidin tek froni mbretëror. Vërtet e pranojmë se dora ndëshkuese e Perëndisë është në veprim, por në të njëjtën kohë, duhet të na vijë keq për ata, që po ndëshkohen prej Tij. Trimat e mëdhenj vërtet ranë, por nëpërmjet Davidit Perëndia do të bënte gjëra akoma edhe më të mëdha.

Mbrapa

Advertisements