Vallëzimi i Davidit

“Kështu Davidi nuk deshi ta mbartë arkën e Zotit pranë vetes së tij në qytetin e Davidit, por e transferoi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi. Arka e Zotit mbeti tre muaj në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi, dhe Zoti bekoi Obed-Edomin dhe tërë shtëpinë e tij. Atëherë i thanë mbretit David: “Zoti ka bekuar shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që është pronë e tij, për shkak të arkës së Perëndisë”. Atëherë Davidi shkoi dhe e mbarti me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed-Edomit në qytetin e Davidit. Kur ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, ai flijoi një ka dhe një viç të majmë. Davidi hidhte valle me gjithë forcat e tija përpara Zotit, duke veshur një efod prej liri. Kështu Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit mbartën arkën e të Zotit me thirrje gëzimi dhe duke u rënë borive” (2 Samuelit 6:10-15).

Parathënie

Davidi kishte frikë ta sillte Arkën e Zotit në Jeruzalem, për shkak të vdekjes së Uzahut. Prandaj edhe e transferoi atë në shtëpinë e një njeriu, që s’ishte izraelit. Siç do ta shohim edhe në studimin e ardhshëm, Davidi ka për t’u përpjekur edhe një herë, për ta sjellë Arkën në qytetin e tij, por ky veprim i suksesshëm i tij nuk ka për t’i kënaqur të gjithë.

Bekimi

Arka u vendos në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi. Banorët e Gathit nuk ishin izraelitë, por jetonin mes izraelitëve dhe ka të ngjarë që shtëpia e Obed-Edomit të mos ketë qenë kushedi se çfarë. E megjithatë Perëndia vendosi që ta bekonte. Në një banesë të tillë të thjeshtë, pra, Zoti gjeti një njeri, që e donte dhe e nderonte Atë me një frikë të shenjtë. Për tre muaj me rradhë, Obed-Edomi dhe familja e tij u bekuan shumë nga Perëndia dhe pasojat e këtij bekimi do t’iu zgjasnin atyre gjatë gjithë jetës. “Sa mirë është të jetosh në një familje, që e nderon Zotin! Gjithçka, që i përket kësaj familjeje, ka për t’u bekuar prej Tij” (Gjon Uesli).

Davidit i treguan se sa shumë po e bekonte Obed-Edomin Perëndia, gjë që tregon se bekimi i Perëndisë duhet të ketë qenë i konsiderueshëm dhe i dukshëm. Për më tepër, ky bekim duhet të ketë qenë “ngjitës”, sepse nuk ishte vetëm Obed-Edomi, që u bekua, por edhe gjithçka dhe gjithkush, që kishte lidhje me të. Davidi u habit, kur e mori vesh se Obed-Edomi po merrte bekim prej Zotit. Jo se ishte xheloz, por kjo ngjarje i bëri aq shumë përshtypje, saqë edhe ai donte ta kishte të njëjtin bekim në kryeqytet.

Mbartja e Arkës

Davidi e kuptoi se, nëse donte që ta sillte Arkën në Jeruzalem pa patur probleme, atëherë çdo veprim duhej të bëhej në përputhje me fjalën e Perëndisë. E pranoi se e kishte patur gabim, kur e kishte vendosur Arkën mbi qerre. “Atëherë Davidi tha: “Asnjeri nuk duhet të mbartë arkën e Zotit përveç Levitëve, sepse Zoti ka zgjedhur ata për ta mbajtur arkën e Perëndisë dhe për t’i shërbyer atij përjetë…Sepse herën e parë ju nuk ishit dhe Zoti, Perëndia ynë, hapi një të çarë midis nesh, sepse nuk e kishim kërkuar sipas rregullave të caktuara” (1 Kronikasve 15:2, 13). Arka do të vendosej në tabernakull, derisa të ndërtohej Tempulli. Kështu, pra, Davidi “përgatiti një vend për arkën e Perëndisë dhe ngriti një çadër për atë” (1 Kronikasve 15:1).  

Turma e madhe e njerëzve (862 vetë) përbëhej më shumë prej Levitëve dhe priftërinjve, që e mbartnin Arkën. “Pastaj Davidi thirri priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar, dhe Levitët Uriel, Asajahu, Joel, Shemajahu, Eliel dhe Aminadab, dhe u tha atyre: “Ju jeni të parët e shtëpive atërore të Levitëve; shenjtërohuni, ju dhe vëllezëzit tuaj, që të mund të transportojnë arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit, në vendin që i kam përgatitur” (1 Kronikasve 15:11-12). Kësaj rradhe, askush nuk veproi sipas kokës së vet. “Kështu priftërinjtë dhe Levitët u shenjtëruan për të transportuar arkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit” (1 Kronikasve 15:14).

Turma i ngjante një kori të madh, duke kënduar e duke iu rënë veglave muzikore, gjatë gjithë rrugës deri në Jeruzalem. “Pastaj Davidi urdhëroi krerët e Levitëve të caktonin vëllezërit e tyre këngëtarë me vegla muzikore, harpa, qeste dhe cembale për të pasur tinguj gëzimi” (1 Kronikasve 15:16). Këngët nuk ishin spontane, por ishin të planifikuara që më parë dhe ata që do t’i këndonin ato, i kishin mësuar mirë se si t’i këndonin. “Kenaiahu, i pari i Levitëve, ishte i ngarkuar me këngën; ai drejtonte këngën, sepse ishte kompetent në këtë fushë” (1 Kronikasve 15:22). E megjithatë, turma këndonte me zë të lartë e plot gëzim. “Kështu tërë Izraeli e çoi lart arkën e besëlidhjes të Zotit me klithma gëzimi nën tingujt e burive, brirëve, cembaleve, qesteve dhe harpave” (1 Kronikasve 15:28). Këngët e Psalmit 105-ë dhe 1 Kronikasve 16:7-36 u kompozuan nga Davidi, për të festuar këtë ngjarje të shënuar.

Një flijim iu bë Zotit çdo gjashtë hapa. Tek 1 Kronikasve 15:26 thuhet se “u ofruan si flijime shtatë dema dhe shtatë desh”. Ka të ngjarë që këto flijime të mos jenë bërë, sa herë që priftërinjtë ndaluan për t’u çlodhur, sepse udhëtimi do t’iu kishte zgjatur për një kohë të gjatë. Vargu ndoshta i referohet ose fillimit të udhëtimit, ose arritjes përfundimtare në Jeruzalem. Flijime të tilla do të ishin bërë si për shlyerjen e fajit, ashtu edhe si oferta të vullnetshme. Ishte e rëndësishme që të bëheshim flijime për shlyerjen e fajit, sidomos pas përpjekjeve të bëra herën e parë, për ta sjellë Arkën në Jeruzalem.

Kështu, pra, në këtë pasazh shohim flijime, këngë, thirrje, muzikë dhe valle. Na thuhet qartë se “Davidi hidhte valle me gjithë forcat e tija përpara Zotit”. Shprehja “hedh valle” ka kuptimin “të kërcesh e të rrotullohesh”, gjë që na tregon se Davidi ishte me të vërtetë i kënaqur, që po e sillte përsëri Arkën mes popullit të Izraelit. Nuk e kishte problem se po i shfaqte hapur ndjenjat dhe emocionet e tij përpara Zotit dhe përpara njerëzve. Ka nga ata, që e përbuzin këtë lloj shprehjeje adhurimi të përzemërt, por Perëndia kënaqet, kur besimtarët janë të gëzuar. Davidi kërceu i veshur me “një efod prej liri”, që ndoshta na sugjeron se ai ishte i veshur me rrobat e priftërinjve. Tek 1 Kronikasve 15:27 thjesht na thuhet se ai kishte veshur “një mantel prej liri të hollë”, e jo rrobat e tij mbretërore. Por pak rëndësi ka se ç’kishte veshur Davidi. Ajo që ka rëndësi, është fakti se në këtë pasazh, Davidin e shohim si adhurues e jo si mbret. “Davidi i hoqi rrobat e tij mbretërore dhe veshi mantelin prej liri, për t’iu shpallur të gjithëve se, edhe pse ishte mbret i Izraelit, ishte gati që me dëshirën e vet të bëhej shërbëtor i Zotit” (Gjon Uesli). “Vishuni me përulje” (1 Pjetrit 5:5).     

Përfundim   

Edhe pse gjithçka ishte e parapërgatitur, kur erdhi puna për ta sjellë Arkën e Zotit në Jeruzalem, prapëseprapë e shohim se zemrat e njerëzve nuk ishin të ftohta, se veprimet e tyre nuk ishin thjesht religjoze e pa jetë, por përkundrazi, të gjalla e shpirtërore. Fakti që Bibla na thotë se Davidi (dhe ndoshta edhe të tjerët) hodhën valle gjatë gjithë rrugës, na tregon se gjithçka që u krye atë ditë, doli nga zemra. “Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:23-24). 

Mbrapa

Advertisements