Varrimi i Zotit dhe Guri i Madh

Krishtërimi nuk do të egzistonte, pa vdekjen sakrifikuese të Zotit Jezus Krisht. Mëkatarët nuk do të gjenin shpëtim, po qe se Krishti nuk do ta kishte derdhur gjakun e Tij: “Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 Gjonit 1:7). Gjithomonë, ka patur nga ata, që e kanë mohuar faktin se Zoti vdiq vërtet mbi kryq. Feja islame, p.sh. thotë se “atë (d.m.th. Krishtin) as nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan, por atyre iu duk sikur vdiq” (Sura 4:156). Myslimanët, në fakt, thonë se ishte Juda ai, që vdiq në vend të Jezusit. Në Ungjillin Gnostik të Sethit, lexojmë: “Ishte një tjetër ai, që, mbi kryq, piu uthullën dhe vrerin; nuk isha unë, por një Simon tjetër, që e mbajti mbi supe kryqin. Ishte dikush tjetër, mbi kokën e të cilit u vu kurora me gjemba. Por unë, ulur mbi majë të malit, po gëzohesha, tek i shihja ata të gabonin. Po qeshja me paditurinë e tyre; ata kujtonin se po më kryqëzonin mua” (56:6-19).

Në këtë studim, do të shohim se kjo ngjarje kishte dëshmitarë. Ata ishin aty në skenë, ndaj edhe e dinin se Atij nuk i ra thjesht të fikët, as nuk ra në gjendje kome. Mund ta themi me bindje se Jezusi vdiq vërtet.

Ushtari

Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!” (Marku 15:39).

Nuk ka aspak të ngjarë që centurioni, që iu kishte dhënë ushtarëve të tij urdhër për t’ia gozhduar Jezusit këmbët dhe duart, të gënjehej tani prej dikujt në gjendje kome. Centurioni ishte një njeri, që u ballafaqua me fakte. Gjithçka që kishte ndodhur rreth tij, gjithçka që kishte ndodhur mbi kryq, e kishte bindur atë plotësisht se Jezusi ishte më shumë sesa një njeri: “Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!” (Mateu 27:54). Vini re se ai përdor fjalën “ishte” dhe jo fjalën “është”, për të treguar se Krishti kishte vdekur vërtet. Nga vargjet 44-45 të Markut 15, e kuptojmë se trupi i Zotit nuk iu dorëzua Jozefit për varrim, pa u siguruar më parë se Ai kishte vdekur me të vërtetë: “Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe. Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit”.

Përkrahësit

Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja, të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem. Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës, Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe. Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit” (Marku 15:40-45).

Ndërkohë që dishepujt ishin fshehur, gratë, që e kishin ndjekur Jezusin sa ishte gjallë, ndenjën me Të deri në fund. Këto gra besnike e vërtetuan dashurinë e tyre për Zotin, në momentin kur burrat e mohuan Atë.

Nuk dimë shumë rreth Jozefit nga Arimatea, me përjashtim të faktit se ai ishte anëtar i Sanhedrinit dhe pasues i fshehtë i Jezusit: “Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit” (Mateu 27:57). Tani e shohim atë tek shkon me guxim para Pilatit, për t’i kërkuar trupin e Jezusit. Jozefi ishte, pa dyshim, njeri i pasur, ngaqë varrin e vet e kishte bërë me kohë gati. Por, ai nuk mund të rrinte duarkryq e ta shikonte Zotin të varrosej pa nderet, që i takonin. Më parë, Jozefi kishte jetuar me frikë, por tani, ai po ecte me besim: “Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit” (Gjoni 19:38).

Kishte edhe shumë të tjerë, që e kuptuan se Jezusi kishte vdekur me të vërtetë: “Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç’po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin” (Luka 23:48). Edhe drejtuesit fetarë e kuptuan se Ai kishte vdekur: “Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t’u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej. Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të; por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë” (Gjoni 19:31-34). Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta mohojë se Jezusi vdiq vërtet mbi kryq.

Varri

Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit. Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë” (Marku 15:46-47).

Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash. Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë. Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush. Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër” (Gjoni 19:39-42).

Të gjithë e dinin se ku u varros Krishti: jo në varrezat e kriminelave, por në varrin e një njeriu të pasur. Të gjithë e panë gurin e madh, që mbulonte hyrjen e varrit, si edhe vulën, që iu vu atij: “Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: “Pas tri ditësh unë do të ringjallem”. Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: “U ringjall së vdekuri”; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari”. Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë”. Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin” (Mateu 27:62-66). Kjo ishte përmbushje e profecisë së Isaias 53:9, që thotë: “Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin”.

Përfundim

Zoti Jezus Krisht vdiq për ne. Për hatrin tonë, Ai ia hoqi vdekjes gjembin dhe fitoren: “Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Korintasve 15:56-57). Bashkë me Të, ne duhet ta kryqëzojmë veten dhe mëkatin, duke u varrosur me anë të pagëzimit e duke u ringjallur me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë: “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati. Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të, duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të. Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:3-11)… “Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve” (1 Korintasve 15:3-4).

Mbrapa

Advertisements