Vau – Fjala fitimtare

“Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. Kështu do të mund t ‘i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote. Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua. Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë. Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua. Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.” (Psalmi 119:41-48).

Parathënie 

E gjithë Bibla ka të bëjë me shpëtimin e njeriut, prandaj edhe në këtë pasazh, autori i psalmit e përqëndron vëmendjen tek kjo temë. Në këto vargje ai flet rreth domosdoshmërisë së shpëtimit. Ai e di se Perëndia është Shpëtimtari i tij, prandaj edhe ai vetë qëndron i fortë në çdo konflikt e vështirësi.

Shpirtmadhësia e Zotit

Në vargun 41, vëmë re të përdorur fjalën “shpirtmadhësi”, e cila ka kuptimin e dashurisë së Zotit, që është e njëjtë me shpëtimin. Autori i psalmit beson me gjithë shpirt se Perëndia është një Zot i besëlidhjes, d.m.th. një Zot që e mban premtimin. Po qe se autori do të ishte në vendin e priftit Ezra, atëherë ka të ngjarë që ai mund të thoshte të njëjtën lutje si ajo e Salomonit në ditën e dedikimit të Tempullit: “Dhe tha:”O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër” (1 Mbretërve 8:23). Kjo është, pra, besnikëria e Perëndisë – shpirtmadhësia e Tij ndaj nesh, ndërkohë që Ai premton se do t’iu përgjigjet lutjeve të atyre, që vijnë tek Ai me besim. “Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate” (Psalmi 31:16)… “Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht” (Vajtimeve 3:22).

Autori i psalmit po vuante prej atyre, që po e “fyenin”, ose prej atyre që nuk besonin tek Zoti. Ai lutet që Perëndia ta çlirojë prej armiqve të tillë dhe që Ai t’i japë forcë për t’iu bërë ballë fyerjeve të tyre. Ai besonte në fjalën e Zotit dhe e dinte se ajo fjalë kishte fuqi për ta shkatërruar çdo ofendim të armikut. “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjve 4:12)… “Mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:16-17). Ne nuk përdorim të njëjtat armë si ata që i kundërvihen Zotit, apo fjalës dhe popullit të Tij. “Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit, sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat, që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t ‘ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit, dhe jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, kur të bëhet e përkryer bindja juaj” (2 Korintasve 10:3-6).

Fjala e Perëndisë

Sa e rëndësishme është Bibla në jetën e një besimtari! Zoti nuk do të na e kishte dhënë fjalën e Tij, po qe se ajo nuk do të ishte aq e rëndësishme për ne. Për më tepër, kjo fjalë nuk na është dhënë që ta neglizhojmë, apo ta harrojmë. Autori i psalmit e dinte këtë fakt, ndaj edhe lutet që fjala e Zotit të jetë gjithmonë në gojën e tij. Ai e beson këtë të vërtetë, ndaj edhe e vë atë në praktikë. “Unë kam besuar dhe prandaj flas” (Psalmi 116:10). Pa dyshim që në sytë e tij, besimtarët që nuk i bindeshin fjalës së Zotit, ishin hipokritë e jo besimtarë besnikë. Ai vetë kishte “shpresë” tek dekretet e Zotit dhe donte ta respektonte atë “vazhdimisht, përjetë”.

Shpesh dëgjojmë të krishterët që flasin rreth “lirisë”, duke kujtuar se janë të lirë të bëjnë si t’iu dojë qejfi. Njerëz të tillë e hedhin poshtë domosdoshmërinë për të jetuar një jetë të shenjtë. Por autori i psalmit e gjeti lirinë e tij tek të zbatuarit e fjalës së Zotit. Ai që e di të vërtetën dhe e vë atë në praktikë, ai është vërtet i lirë. “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t ‘ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:32). Është e pamundur që një besimtar i pabindshëm të jetë i siguruar se është i shpëtuar. Kjo vihet re në jetën e tij të përditshme, sepse një besimtar që nuk ka siguri për shpëtimin e vet, nuk ka kurajo që t’iu tregojë të tjerëve për Shpëtimtarin. Autori i psalmit ka besim tek Zoti dhe ky besim e forcon atë për të folur pa turp për Perëndinë, madje edhe “para mbretërve”. Kështu kanë vepruar gjatë gjithë historisë njerëzore edhe dëshmorët martirë të Ungjillit, të cilët nuk patën frikë prej mbretërve, papëve, apo priftërinjve, por iu treguan atyre hapur fjalën e Perëndisë. Një njeri i tillë është vërtet i lirë!

Kisha e sotshme nuk e kupton dot një guxim të tillë. Pse? Ngaqë të paktë janë ata, që janë të lumtur dhe të sigurtë se Zoti i do, sepse nuk gjejnë kënaqësi tek urdhërimet e Tij. Thonë se e duan Zotin, por jeta e tyre vërteton të kundërtën. Autori i psalmit i “donte” urdhërimet e Zotit aq shumë, saqë donte t’i zbatonte ato. Zoti Jezus Krisht na tha se ajo që vërteton se një besimtar e do vërtet Atë, është fakti se ai besimtar është gati për t’iu bindur Atij. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). A e vutë re sesi autori i psalmit e përmend dy herë fjalën “dua” në vargjet e fundit të këtij pasazhi? Fjala e Zotit, pra, ishte në gojën e tij, në jetën e tij. Ai jo vetëm që beson tek ajo fjalë, por edhe e praktikon atë.     

Përfundim

Në mes problemeve e vështirësive të jetës, si mund ta ruajë besimtari një përkushtim kaq të madh tek Zoti, ashtu si autori i psalmit? A pret Zoti që ne të jemi të fortë, kur ballafaqohemi me sulmet e armikut? Autori i psalmit na jep përgjigjen: forca e tij erdhi si rezultat i të medituarit tek fjala e Perëndisë. Ç’ringjallje e mrekullueshme do të ndodhte në kishat e sotshme, nëse të krishterët do ta kuptonin mirë se Bibla  nuk është thjesht një libër që kapet me dorë vetëm të dielave, por përkundrazi, është një mesazh që duhet predikuar dhe praktikuar në jetën e përditshme!

Mbrapa

Advertisements