Vdekja e Mesisë dhe Errësira e Mistershme

Marku tani na përshkruan momentin, kur vdiq Zoti Jezus Krisht. Nuk ka ngjarje më të rëndësishme dhe më solemne në tërë historinë e botës, sesa vdekja e Krishtit. Shlyerja e mëkateve të të gjithë njerëzimit u realizua pikërisht në sekondën, kur Mesia dha frymën e fundit. Po në këtë moment, Mbretëria (e Qiellit) hapi dyert e saj për këdo, që do të besonte në Krishtin. Një sakrificë e tillë nuk u përsërit më kurrë. Ajo ishte e vetmja mënyrë shpengimi, si për hebrenjtë, ashtu edhe për jo-hebrenjtë.

Zëri

Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë. Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabaktani?”, që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Marku 15:33-34).

Dielli u bë errësirë për tre orë me rradhë, para se të vdiste Krishti, sikur donte të thoshte se edhe ai (dielli) po e mbulonte fytyrën, për të mos parë ligësinë tepër të madhe të atyre, që po qëndronin duke soditur kryqin. Errësira na ilustron faktin se Ati Perëndi e fshehu fytyrën e Tij, për të mos parë skenën mbi tokë. Në momentin që Krishti u bë “mëkat për ne” (2 Korintasve 5:21), Ati e ktheu kokën mbrapa, për të mos parë Birin e Tij të vetëmlindurin: “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:2).

Nuk ka fjalë, që të mund të shprehin atë që ndjeu Jezusi, kur thirri: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Kjo ishte dhimbja, vuajtja dhe tortura më e madhe, që duroi Ai për hatrin tonë. Britma e Tij nuk do të kishte aspak kuptim, po të ishte thjesht thirrja e një njeriu, që vdes si martir për kauzën e tij. Britma e Krishtit ishte pika kulmore, kur tensioni i rëndë i të gjithë mëkatit të botës iu vu mbi supe. Ai u ndie i braktisur vetëm në atë moment. Megjithatë, edhe në atë çast, u duk sikur Ati Perëndi tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mateu 3:17)… “Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur” (Psalmi 22:24).

Uthulla

Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: “Ja, ai po thërret Elian!”. Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: “Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë” (Marku 15:35-36).

Armiqtë e Jezusit nuk treguan as edhe një pikë dhembshurie për Të, madje edhe kur Ai ishte në momentin e vuajtjes dhe dhimbjes më të madhe. U përpoqën dy herë për t’i dhënë uthull për të pirë. Tek Marku 15:23 lexojmë se, para se të kryqëzohej, “I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori”… “Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull” (Psalmi 69:21). Uthulla e përzier me mirrë e me vrer përdorej si drogë narkotike, për ta lehtësuar dhembjen, por Jezusi nuk pranoi për ta pirë këtë pije, ngaqë i duhej që ta ndiente tërë forcën e vuajtjes mbi kryq. Herën e dytë, Jezusi e shijoi uthullën, kur ia ofruan për ta pirë: “Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!”. Dhe duke ulur kryet, dha frymën” (Gjoni 19:30).

Veli

Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën. Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund” (Marku 15:37-38).

Grisja e velit simbolizon faktin se, që tani e tutje, tërë ligji i ceremonive fetare të judenjve ishte shfuqizuar nga Perëndia. Kjo na tregon se tani, hyrja për në Të Shenjtin e Më të Shenjtëve është e hapur për të gjithë ata, që besojnë në Krishtin: “Hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar” (Hebrenjve 9:12). Tani, si hebrenjtë, ashtu edhe jo-hebrenjtë kanë privilegjin për t’iu afruar “me guxim fronit të hirit” (Hebrenjve 4:16). Nuk egziston më posti i kryepriftit (njerëzor), sepse tani Krishti është Kryeprifti ynë i madh (Hebrenjve 4:14). Pengesa, që e ndalonte njeriun të qëndronte në praninë e Perëndisë, u largua njëherë e përgjithmonë: “Ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete” (Efesianëve 2:12-16).

Gjithë vuajtja dhe agonia e përjetuar nga Krishti për shpengimin e njerëzimit mëkatar përfundoi, kur Ai thirri: “U krye!” (Gjoni 19:30). Po në këtë moment u krye edhe vepra e shpëtimit: “Kështu edhe Krishti…u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatet e të shumtëve” (Hebrenjve 9:28)… “Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10).

Përfundim

Jezus Krishti vdiq për të na shpenguar. Por, një trup i vdekur mbi kryq nuk është simboli i vërtetë i krishtërimit të Dhiatës së Re. Nëse Krishti nuk do të kishte vdekur fizikisht e nëse nuk do të ishte ngjallur (po fizikisht) prej së vdekuri, atëherë besimi ynë do të ishte i pavlerë: “Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (1 Korintasve 15:17). Në studimin tonë të ardhshëm, do të shohim dëshminë e Markut, lidhur me ringjalljen e Jezusit.

Mbrapa

Advertisements