Vdekja e Samuelit

“Pastaj Samueli vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh dhe e qau, e varrosën në shtëpinë e tij në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit dhe zbriti në shkretëtirën e Paranit” (1 Samuelit 25:1).

Parathënie

Edhe pse po studjojmë në veçanti jetën e Davidit, prapëseprapë, nuk mund ta anashkalojmë dot vdekjen e profetit Samuel. Samueli vërtet që luajti më shumë rol në jetën e mbretit Saul, sesa atë të Davidit. Por ishte pikërisht Samueli ai, që e vajosi për herë të parë Davidin, si përgatitje për mbretërimin e tij të ardhshëm në Izrael.

Arritjet e Samuelit

Samueli e kishte kaluar fëmijërinë në Shiloh, duke u përgatitur si shërbëtor i priftit Elia. Qëkur ishte djalë i vogël, ai mësoi se si ta dëgjonte zërin e Frymës së Shenjtë të Perëndisë. “Pastaj Elkanahu u kthye në shtëpinë e tij në Ramah, dhe fëmija qendroi që t’i shërbejë Zotit në prani të priftit Eli” (1 Samuelit 2:11)… “Samueli u përgjegj: “Folë, sepse shërbëtori yt të dëgjon” (1 Samuelit 3:10). Ishte pikërisht Samueli ai, që u përdor prej Zotit, për të formuar qeverinë e parë monarkike dhe për të vajosur mbretin e saj të parë. “Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: “A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij?” (1 Samuelit 10:1). Ai ishte i pari profet i Izraelit, që krijoi shkollën e parë biblike, apo shkollën e profetëve (shiko 1 Samuelit 19:20). Ai dhe profetët e tjerë grumbulluan shumicën e thesareve, që do të vendoseshin një ditë brenda Tempullit, që kishte planifikuar vetë Davidi. Ka të ngjarë që Samueli organizoi gjithashtu edhe rregullat dhe ligjet e ndryshme, që kishin të bënin me punën e shërbëtorëve dhe të priftërinjve në Tempull, si edhe me ceremonitë e ndryshme fetare. “Ata kishin shenjtëruar një pjesë të plaçkës që kishin shtënë në dorë gjatë luftës për të mbajtur shtëpinë e Zotit. Përveç kësaj të gjitha ato që ishin shenjtëruar nga Samueli, shikuesi, nga Sauli, bir i Kishit, nga Abneri, bir i Nerit dhe nga Joabi, bir i Tserujahut, dhe çdo gjë tjetër e shenjtëruar nga cilido qoftë ishte nën përgjegjësinë e Shelomithit dhe të vëllezërve të tij” (1 Kronikave 26:27-28)… “Ata ishin të regjistruar sipas gjenealogjive në fshatrat e tyre. Davidin dhe Samuelin shikuesi i kishte vendosur në zyrën e tyre” (1 Kronikasve 9:22).

Lavdërimi i Samuelit

Bibla nuk përmend asgjë negative rreth profetit Samuel. Përkundrazi, ai na përshkruhet si: 1) një njeri i vërtetë i Perëndisë, “Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre” (Psalmi 99:6)… 2) një njeri i lutjes, “Por Zoti më tha: “Edhe sikur Moisiu dhe Samueli të paraqiteshin para meje, zemra ime nuk do të anonte për këtë popull; dëboje nga prania ime; le të ikë!” (Jeremia 15:1)… “Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t’ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë” (1 Samuelit 12:23) dhe 3) si një njeri i besimit, “Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët” (Hebrenjve 11:32).

Varrimi i tij

Profeti Samuel vdiq në moshën 98-vjeçare. Ai qe gjyqtari i 13-ë i Izraelit dhe profeti i tij i parë. I tërë Izraeli qau dhe vajtoi për Samuelin dhe të shumtë ishin ata, që shkuan për ta varrosur në fshatin e tij të lindjes, në Ramah, ndoshta në një varr të përgatitur posaçërisht për të. Vargu në hyrje të këtij studimi na sugjeron se edhe Davidi ishte mes atyre, që morën pjesë në varrim. Pas kësaj ngjarjeje, ai largohet me të shpejtë, për t’i shpëtuar syve të Saulit, i cili ka shumë të ngjarë që të ketë qenë aty me të tjerët. Davidi ikën drejt shkretëtirës së Paranit në Judenë e Jugut. Ka shumë mundësi që ai ta ketë shkruar Psalmin 120 menjëherë pas varrimit të Samuelit. “Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj. O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese. Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare? Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje. I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit! Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen. Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën”.

Përfundim

Shërbesa e Samuelit është si parapërgatitje për atë të Gjon Pagëzorit. Të dy këta burra ishin profetë nazaritas, të cilët u morën me përgatitjen e ardhjes së Mbretërisë së Perëndisë. Njerëzit vajtuan për Samuelin, ndoshta ngaqë e kuptuan se ai respektohej dhe nderohej shumë prej Saulit. Pa dyshim që Sauli kishte frikë prej Samuelit, ashtu siç pati frikë edhe Herodi prej Gjon Pagëzorit. Tani që Samueli vdiq, Sauli mund të bënte si t’i donte qejfi. Ai tani mund të tregohej edhe më barbar. Davidit, nga ana tjetër, i humbi një mik i rëndësishëm dhe me shumë influencë. Ndaj edhe për të, një vajtim i tillë nuk ishte thjesht një zakon apo rit, por dilte nga zemra. “Të ngurtë e kanë zemrën ata, të cilët e varrosin shërbëtorin e tyre besnik, pa derdhur fare lot. Të tillë njerëz nuk e kuptojnë se kanë humbur atë, që dikur lutej për ta, që dikur iu kishte mësuar rrugën e Zotit” (Gjon Uesli). Si Davidi, ashtu edhe Samueli e dinin se Sauli donte ta vriste profetin. “Samueli u përgjigj: “Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë” (1 Samuelit 16:2). Por Zoti e mbrojti si Davidin, ashtu edhe Samuelin prej duarve të të ligut. 

Mbrapa

Advertisements