Vejusha e urtë

“Joabi, bir i Tserujahut, vuri re që zemra e mbretit ishte e shqetësuar për Absalomin. Kështu Joabi dërgoi dikë në Tekoa dhe solli që andej një grua të urtë, së cilës i tha: “Bëj sikur mban zi dhe vish një palë rroba zije; mos u lyej me vaj, por sillu si një grua që qan prej kohe një të vdekur. Shko pra te mbreti dhe foli në këtë mënyrë”. Dhe Joabi e mësoi se ç’duhej të thoshte. Gruaja e Tekoas shkoi të flasë me mbretin, u hodh me fytyrën për tokë, u përul dhe tha: “Ndihmomë, o mbret!”. Mbreti i tha: “Çfarë ke?”. Ajo u përgjigj: “Mjerësisht jam e ve dhe burri më ka vdekur. Shërbëtorja jote kishte dy djem, por këta patën një grindje midis tyre në arë, dhe, me qenë se nuk kishte njeri t’i ndante, njeri goditi tjetrin dhe e vrau. Tani tërë farë e fis është ngritur kundër shërbëtores sate, duke thënë: “Na dorëzo atë që vrau vëllanë, që ta bëjmë të vdesë për jetën e vëllait që ai ka vrarë dhe për të shfarosur edhe trashëgimtarin”. Në këtë mënyrë do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe nuk kanë për t’i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut”. Mbreti i tha gruas: “Shko në shtëpinë tënde; unë do të jap urdhrat për çështjen tënde”. Gruaja e Tekoas i tha mbretit: “O mbret, zotëria ime, faji të bjerë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, por mbreti dhe froni i tij të jenë të pafaj”. Mbreti tha: “Në qoftë se dikush të thotë diçka, sille tek unë dhe ke për të parë që nuk do të të bjerë më në qafë”. Atëherë ajo tha: “Të mos e harrojë mbreti, të lutem, Zotin, Perëndinë tënd, në mënyrë që hakmarrësi i gjakut të mos vazhdojë të shkatërrojë dhe biri im të mos shfaroset”. Ai u përgjigj: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, birit tënd, nuk do t’i bjerë në tokë asnjë qime floku!”. Atëherë gruaja i tha: “Lejoje shërbëtoren tënde t’i thotë akoma një fjalë mbretit!”. Ai u përgjigj: “Thuaje, pra”. Gruaja ia rifilloi: “Pse ke menduar një gjë të tillë kundër popullit të Perëndisë? Duke folur në këtë mënyrë në fakt mbreti është deri diku fajtor, sepse mbreti nuk e kthen atë që është në mërgim. Ne duhet të vdesim dhe jemi si ujët që derdhet mbi tokë, që nuk mund të mblidhet; por Perëndia nuk të heq jetën, por gjen mënyrën që ai që është në mërgim të mos qëndrojë larg tij. Dhe tani kam ardhur të flas për këtë gjë me mbretin, me zotërinë time, sepse populli më ka trembur; dhe shërbëtorja jote ka thënë: “Dua të flas me mbretin; ndofta mbreti do të bëjë atë që shërbëtorja e tij do t’i thotë. Mbreti do të dëgjojë shërbëtoren e tij dhe do ta çlirojë nga duart e atye që duan të më heqin mua dhe birin tim nga trashëgimia e Perëndisë”. Shërbëtorja jote thoshte: “Oh, fjala e mbretit, e tim zoti, më ngushëlloftë, sepse mbreti, zotëria ime, është si një engjëll i Perëndisë që di të dallojë të mirën dhe të keqen”. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty”. Mbreti u përgjigj dhe i tha gruas: “Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të pyes. Gruaja i tha: “Le të flasë mbreti, Zotëria ime”. Atëherë mbreti tha: “A nuk është ndoshta dora e Joabit me ty në tërë këtë çështje?”. Gruaja u përgjigj: “Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, zotëria im, çështja është pak a shumë ashtu siç e ka thënë mbreti, zotëria im; ka qenë në fakt shërbëtori yt Joabi ai që ka dhënë këto urdhëra dhe ka vënë tërë këto fjalë në gojën e shërbëtores sate. Shërbëtori yt Joab e bëri këtë gjë për të sjellë një ndryshim në gjendjen e tanishme; por zotëria ime ka po atë dituri të një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar tërë ato që ndodhin mbi dhe” (2 Samuelit 14:1-20).

Parathënie

Ashtu siç e kishte gjykuar Davidi vetveten, kur i kishte kthyer përgjigje Nathanit për historinë që i kishte treguar (shiko 2 Samuelit 12:1-14), ashtu edhe tani ai bie dakort që Absalomi nuk duhet të mbetet më i mërguar.

Plani i Joabit

Absalomi kishte tre vjet, që ishte në mërgim dhe Joabi, duke e parë se Davidi po vajtonte për të, thuri një plan dinak, për ta sjellë Absalomin përsëri në shtëpi. Joabi vërtet që kishte ndikim të madh tek Davidi, por edhe ai vetë e kishte kuptuar se nuk mund t’i fliste dot mbretit lidhur me Absalomin, nga frika se mos i hapte plagë të tjera në zemër e mos shkaktonte armiqësi të mëtejshme mes Davidit dhe të birit. Por Joabi po tregohej gjithashtu edhe egoist në këtë rast, ngaqë, nëse Absalomi do të bëhej vërtet mbreti i ardhshëm i Izraelit, atëherë Joabi kishte ç’të përfitonte prej një ngjarjeje të tillë. Duke e hequr veten si aleat të Absalomit, Joabi do të kishte mundësi ta ruante pozitën e tij të lartë edhe në qeverinë e ardhshme të vendit. Siç do ta shohim edhe në një studim tjetër të ardhshëm, Joabi nuk kishte fare dashuri për Absalomin.

Joabit i lindi mendimi, që ta mashtronte Davidin, me shpresën se ai do ta hidhte poshtë atë që thoshte Ligji, lidhur me aktin vdekjeprurës të Absalomit. Gjeti një grua të urtë, e cila ra dakort, që të shkonte tek mbreti. Shprehja “grua e urtë” këtu ka kuptimin “grua dinake”. E njëjta fjalë përdoret edhe për të përshkruar Jonadabin tek 2 Samuelit 13:3. Ka të ngjarë që kjo grua të jetë zgjedhur, ngaqë ajo mund të vlerësohej shumë si një aktore, apo si një plakë, që tregonte përralla në Tekoa.

Problemi i vejushës

Edhe pse ishte gruaja ajo, që i foli mbretit, në fakt ishin fjalët e Joabit ato, që dolën prej gojës së saj. Ajo thjesht po recitonte ato, që i kishte mësuar ai. Shëmbëlltyra u thur bukur e me dinakëri, me qëllim që të përfshinte çdo lloj argumenti, që mund të nxirrte Davidi, lidhur me kthimin e Absalomit në shtëpi. Gruaja gjithashtu tha se ishte vejushë, por ka të ngjarë, që kjo të ketë qenë gënjeshtër, e sajuar me qëllim që Davidit t’i vinte keq për të e të bënte të pamundurën për ta ndihmuar. Joabi ndoshta e dinte se mund t’ia ndërronte mendjen mbretit me anë të emocioneve, ngaqë Davidi ishte tanimë shumë i trishtuar për shkak të Absalomit.

Historia e shpikur e kësaj gruaje, që kishte dy djem, ia tërhoqi vëmendjen Davidit, ngaqë edhe ai ndodhej në të njëjtën situatë. Problemi qëndronte këtu se ai djalë që kishte vrarë të vëllanë, ishte i vetmi njeri, i cili do të ishte në gjendje të linte pasardhës dhe emër për familjen e vet në të ardhmen. Ekzekutimi i tij do të sillte si pasojë shfarosjen e tërë familjes. Ç’ishte më e keqja, të gjithë donin që ai të vdiste. Me këto fjalë, gruaja donte që Davidi ta merrte në konsideratë faktin se dënimi me vdekje do të ishte jo vetëm një veprim i padrejtë, por edhe shumë mizor, sepse, po të vihej në praktikë një dënim i tillë, atëherë ajo kishte për të vuajtur edhe më shumë. Ata që donin që djali t’i vdiste, kërkonin t’i merrnin trashëgiminë. E ngaqë trashëgimia ishte diçka shumë e rëndësishme në ato kohë, kjo pjesë e historisë do t’i kishte bërë shumë përshtypje Davidit. Këtë donte edhe Joabi, por nuk mund të lëmë dot pa vërejtur se detajet midis historisë së gruas dhe ngjarjeve, që shkaktuan vdekjen e Amnonit, nuk janë aspak të ngjashme, ndaj edhe Davidi nuk duhej të ishte mashtruar kollaj prej asaj, që po dëgjonte. Duhet ta kishte kuptuar se ç’po ndodhte, menjëherë sapo iu sugjerua se Ligji i Perëndisë ishte i padrejtë.

Gjendja e vështirë e Davidit

Davidi, pasi e dëgjoi një histori të tillë të tmerrshme, i tha gruas të mos merakosej për asgjë, sepse askush nuk kishte për ta shqetësuar më as atë, as djalin e saj dhe i premtoi se do t’ia mbronte djalin nga Ligji. Por sapo i tha Davidi këto fjalë, gruaja e akuzoi se ai vetë po tregohej i padrejtë. Davidi, pra, e vuri kështu veten në një pozitë të vështirë, me fjalët që i dolën nga vetë goja e tij.

Historia ishte llogaritur në atë mënyrë, që ta bënte Davidin të ndihej sikur ishte vetë fajtor, sikur po tregohej i padashur dhe nuk po e vriste mendjen shumë për të ardhmen e Izraelit. Gjithashtu po dukej sikur Davidi nuk ishte as tolerant, por në fakt ne e dimë se ai ishte treguar tepër tolerant ndaj djemve të tij, ngaqë duhej ta kishte ekzekutuar si Amnonin, ashtu edhe Absalomin për krimet e tyre. Joabi donte që Davidi ta falte Absalomin për një mëkat, që vetëm Perëndia mund t’ia falte. Mënyra se si donte Joabi që të falej Absalomi, nuk i linte vend fare ndëshkimit për krimet e kryera dhe mund të shkaktonte një të çarë të rrezikshme brenda ligjit të Izraelit. Ashtu si ligjet e sotshme, edhe amendamenti i Joabit (d.m.th. korrigjimi që donte t’i bënte ai ligjit) kishte si qëllim diskriminimin (keqtrajtimin) e të pafajshmit, duke e lejuar kriminelin, që të lirohej nga burgu. Për më tepër, një ligj i tillë nuk e detyronte fare fajtorin që të pendohej, apo që të tregonte ndonjë lloj keqardhjeje për atë që kishte bërë.

Papritur, Davidi e kuptoi se kjo histori ishte vepër e Joabit. Nuk duhet ta harrojmë se Joabi kishte bashkëvepruar dikur me Davidin, për ta vrarë Uriahun, ndaj edhe mbreti e dinte se tani i duhej të vepronte me shumë kujdes. E kuptoi se duhej t’ia plotësonte dëshirën Joabit dhe ta kthente Absalomin përsëri në Izrael. Davidi e gjeti veten, pra, në një situatë të vështirë: duhet t’i bindej Ligjit të Perëndisë, por, në të njëjtën kohë, i duhej të kompromentohej edhe me Joabin. Më në fund, Ligji u vu mënjanë dhe u la pas dore. 

Përfundim

Kjo histori iu tha Davidit, me qëllim që ai të mashtrohej e të mos i bindej Ligjit të Perëndisë. Në të shohim gjithë lajkat e nevojshme, për t’ia zbutur mbretit zemrën, me qëllim që ai ta pranonte vullnetin e Joabit. Davidin e lavdëruan, ngaqë u tregua i zgjuar, por në fakt, asnjë njeri i zgjuar nuk e thyen fjalën e Perëndisë.

Mbrapa

Advertisements