Veli i shqyer

Në fenë e judenjve, Tempulli ishte qendra e adhurimit – vendi, ku izraelitët takoheshin me Perëndinë, ofronin kafshët për flijim dhe bënin lutje dhe betime. Pjesa më e brendshme e Tempullit quhej ‘I shenjti i të Shenjtëve’ – dhoma, që përfaqësonte banesën e Zotit.

Ndarja

Një vel i madh dhe i trashë e ndante këtë vend (Të Shenjtin e të Shenjtëve) prej pjesëve të tjera të Tempullit. “Sigurisht edhe e para Besëlidhje kishte disa rregulla për shërbesën hyjnore dhe për shenjtëroren tokësore. Sepse u ndërtua një tabernakull i parë, në të cilin ishte shandani, tryeza dhe bukët e paraqitjes; ai quhet: “Vendi i shenjtë”. Pas velit të dytë ishte tabernakulli, i quajtur “Vendi shumë i shenjtë” (Shenjtërorja e Shenjtërorëve), që përmbante një tymtore prej ari edhe arkën e Besëlidhjes, të mbuluar nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte një enë e artë me manë, shkopi i Aaronit që kishte buluar dhe rrasat e Besëlidhjes. Edhe sipër asaj ishin kerubinët e lavdisë që i bënin hije pajtuesit; për këto ne nuk do të flasim me hollësi tani. Duke qenë të vendosura kështu këto gjëra, priftërinjtë hynin vazhdimisht në tabernakulli i parë për të kryer shërbesën hyjnore; por në të dytin hynte vetëm kryeprifti një herë në vit, jo pa gjak, të cilin e ofronte për veten e tij dhe për mëkatet e popu-llit të kryera në padije” (Hebrejnve 9:1-7). Veli simbolizonte faktin se njeriu, për shkak të mëkatit të tij, nuk kishte mundësi për t’iu afruar Perëndisë. “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:2). Vetëm Kryepriftit i lejohej të hynte një herë në vit matanë velit, për të ofruar flijime për mëkatet e njerëzve.

Tempulli i Salomonit ishte 30 kubit i lartë (aq i lartë sa Arka e Noeut, rreth 14m), por Mbreti Herod e lartësoi atë edhe 40 kubit më shumë (gjithsej rreth 32m i lartë). Një kubit ishte i barabartë me gjatësinë nga bërruli i krahut të njeriut deri tek maja e gishtit të të tij të mesit, d.m.th. rreth gjysëm metri. Veli ishte afërsisht 18m i lartë dhe gati 10cm i trashë. Thuhej se madje edhe kuajt më të fortë, po të lidheshin tek veli, nuk do të mund ta shqyenin dot! E shohim, pra, se trashësia e velit i dha akoma më shumë rëndësi vdekjes së Jezusit në kryq. “Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë” (Mateu 27:50-51). Priftërinjtë ishin duke përgatitur ofertat e përditshme. Ata që po punonin në oborret e tjera të Tempullit dhe në Vendin e Shenjtë, do ta kenë parë me sytë e tyre grisjen(shqyerjen) aktuale të velit. Ç’ndikim pati, vallë, një përvojë e tillë tek këta dëshmitarë? Pas Ditës së Pentikostit, “një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit” (Veprat e Apostujve 6:7).

Simboli

Veli i shqyer na tregon se tani ne kemi mundësi për të shkuar direkt tek Perëndia, nëpërmjet gjakut të Krishtit mbi kryq. Nuk kemi nevojë që një prift, apo një njeri tjetër, t’i paraqitet Perëndisë në vendin tonë. Gjithashtu, veli i shqyer na mëson se Zoti nuk ka më nevojë t’i takojë të Tijët në godina të bukura, të ndërtuara prej duarve njerëzore. “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut” (Veprat e Apostujve 17:24). Besimtarët nuk kanë më nevojë që ta adhurojnë Perëndinë me anë të ceremonive apo riteve fetare. Veli u shqye në momentin e vdekjes së Jezusit dhe Tempulli u shkatërrua plotësisht në vitin 70 pas erës sonë, duke përmbushur kështu profecinë: “A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar” (Marku 13:2). Shkatërrimi final simbolizoi dhënien fund të ligjeve ceremoniale të Dhiatës së Vjetër dhe faktin se Dhiata e Re sapo kishte filluar. “Në këtë mënyrë Fryma e Shenjtë donte të tregonte se udha e shenjtërores ende nuk ishte shfaqur, mbasi ende po qëndronte tabernakulli i parë, i cili është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme; dhe donte të tregonte se dhuratat dhe flijmet që jepeshin nuk mund ta bënin të përsosur në ndërgjegje atë që e kryente shërbesën hyjnore” (Hebrenjve 9:8-9)… “Duke thënë “një besëlidhje e re,” ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes” (Hebrenjve 8:13).

Veli i shqyer na tregon gjithashtu se e vetmja rrugë tek Perëndia është nëpërmjet Jezusit. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Ai tani është i vetmi Kryeprift, i denjë për të hyrë në të Shenjtin e të Shenjtëve për ne. Duke i besuar asaj që Ai kreu për ne mbi kryq, të gjithë besimtarët tani kanë mundësinë për ta ndjekur Krishtin madje deri aty ku dikur nuk shkelte dot njeri. “Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij” (Hebrenjve 10:19-20). Fakti që veli u shqye nga maja e deri në fund, është një fakt historik, që vërteton se ky ishte një veprim i Perëndisë, jo i njeriut. Veli tregonte se njeriu nuk mund të bëhej dot aq i mirë, sa t’i afrohej vetë Perëndisë, ndaj edhe Perëndia e grisi. Prania e mëtejshme e velit do të sugjeronte se sakrifica e Krishtit nuk ishte e mjaftueshme për ta çliruar njerëzimin prej mëkatit. Por tani të gjitha pengesat janë larguar plotësisht dhe ne mund t’i afrohemi Perëndisë  me guxim dhe shpresë. “Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:14-16).

Përfundim

Askush nuk ishte aq i marrë sa të kalonte matanë velit e ta vinte në rrezik veten, sepse të gjithë e dinin se i priste vdekja! Tani Perëndia e ka larguar velin dhe ne mund t’i afrohemi Atij pa frikë, duke e ditur se Ai ka për të na pranuar. Fatkeqësisht, ka nga ata që duan që një pengesë e tillë të jetë akoma e pranishme. Njerëz të tillë kujtojnë se mund t’i afrohen Perëndisë vetëm nëpërmjet riteve fetare, apo veprave të bamirësisë. Dera është e hapur për të gjithë ata, që i afrohen Atij me besim. “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet” (Gjoni 10:9). 

Mbrapa