Vëllezërit e çrregullt

“Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh” (2 Thesalonikasve 3:6).

Parathënie

Ky pasazh i 2 Thesalonikasve 3:6-15 përfshin çështje, që kanë lidhje me mënyrën se si duhet të sillemi në kishë. Ka shumë të ngjarë që ata thesalonikas, që po silleshin keq e në mënyrë të çrregullt, iu besonin doktrinave të rreme, lidhur me Ardhjen e Dytë të Krishtit. “E ç’na duhet të jetojmë në mënyrë të perëndishme” – thoshin ata, “kur botës do t’i vijë që do t’i vijë fundi pas pak ditësh?” Pali, pra, nuk kishte rrugëdalje tjetër, veçse të sillej ashpër me njerëz të tillë, sepse, po të mos vepronte kështu, këta njerëz do t’i bënin dëm kauzës së Krishtit e do ta turpëronin edhe më shumë Atë.

Urdhërimi (Porosia)

Që në fillim, e vëmë re se thëniet e Palit në lidhje me disiplinën kishtare, nuk janë as opcione, as sugjerime, por përkundrazi, janë urdhërime e porosi ndaj besimtarëve, në mënyrë që ata t’iu binden parimeve të caktuara të kishës. Ai iu kishte shkruar edhe më parë thesalonikasve në këtë mënyrë: “Dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar” (1 Thesalonikasve 4:11). Urdhërimi për t’iu bindur parimeve kishtare jepet në “emër të Zotit tonë Jezus Krisht“, gjë që iu tregon besimtarëve se me sa seriozitet po iu fliste Pali atyre.

Largohuni!

Në greqisht, fjala “largohu” ka kuptimin e një shprehjeje detare, që do të thotë “shpalos velat e anijes”. Nëpërmjet një urdhërimi të tillë, pra, Pali iu kërkon atyre, që e duan vërtet Zotin, që të largohen e t’iu shmangen atyre, që jetojnë një jetë të çrregullt e të paperëndishme. Mund të na duket si gjë e ashpër fakti se duhet ta distancojmë veten prej ca njerëzve të caktuar, por një mësim i tillë nuk është aspak i ri. Jezusi Vetë tha: “Në se pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës” (Mateu 18:17). Duhet t’iu shmangemi sidomos atyre, që mësojnë doktrina të rreme: “Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit” (Romakëve 16:17-18)… “Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga” (2 Gjonit, vargu 10-11). S’ka dyshim, pra, se ky urdhërim i Palit duhet zbatuar ndaj atyre, që, me vetëdashje e me kokëfortësi, nuk pranojnë t’i ndjekin mësimet e qarta të Biblës.

Çrregullësia

Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi” (1 Korintasve 14:40). Pasazhi i 1 Korintasve 5:1-6 na lejon të depërtojmë më thellë në atë mënyrë të sjelluri, të cilën apostulli e quan të çrregullt, si edhe në faktin se si duhet trajtuar një sjellje e tillë. “Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet. Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë. Dhe unë, megjithëse nuk jam aty me trup, me frymë aty jam, dhe, sikur të isha i pranishëm, kam gjykuar tanimë atë që bëri këtë. Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, mbasi të mblidheni ju bashkë me frymën time, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht, vendosa që ti dorëzohet ky njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus. Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin?

Rregulli në kishë mbahet, nëpërmjet të mësuarit e të zbatuarit të asaj që thotë Bibla, sepse fjala e Perëndisë është i vetmi burim i besueshëm për të gjitha çështjet e besimit, të doktrinës e të praktikës. Aty ku fjala e Perëndisë nuk mësohet e nuk vihet në zbatim, aty mbizotëron edhe çrregullësia. Ata anëtarë kishe, që janë të çrregullt, bëjnë, faktikisht, punën e Satanait, jo punën e Zotit.

Përfundim

Të mos kujtojmë se Pali na thotë se ai vëlla ose motër në Krishtin, që ecën në mënyrë të çrregullt, duhet shkishëlluar apo përjashtuar automatikisht nga kisha. Por llogjika vetë na sugjeron se një rezultat i tillë do të jetë i pashmangshëm, nëse besimtarë të tillë të çrregullt vazhdojnë të mos e respektojnë fjalën e Perëndisë, por me kokëfortësi, e hedhin poshtë atë. Nuk është as gjë e lehtë, as gjë e këndshme të kesh të bësh me njerëz të tillë, por, fatkeqësisht, ka shumë raste, kur njerëz të tillë të çrregullt duhen vënë në vijë, për të mirën e kishës e për hatër të emrit të Krishtit. “Duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, sepse disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje në besim. Ndër këta janë Imeneu dhe Aleksandri, të cilët unë i dorëzova në duart e Satanit që të mësojnë të mos blasfemojnë” (1 Timoteut 1:19-20).

Mbrapa

Advertisements